Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet do të mblidhet sërish ditën e sotme pas kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Mbledhja do të zhvillohet në orën 16:00.
Kujtojmë që Këshilli i Mandateve u mblodh të martën dhe zhvilloi katër orë diskutime. Arben Ahmetaj nuk ishte i pranishëm, por dy avokatët e tij mbrojtës u përballën me kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij.
Avokatët kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen e mbërritur nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme. Avokatët bënë me dije para këshillit se Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, por siguruan se nuk është në arrati. Megjithatë nuk bënë të ditur se ku është konkretisht.
Gjatë kësaj mbledhjeje pati debate mes opozitës dhe mazhorancës. Opozitarët thanë se shtyrja e mbledhjes është taktikë për t’i dhënë kohë Ahmetajt që të fshihet. Po ashtu, ata kërkuan që mbledhja të jetë e hapur për mediat.
Brenda së mërkurës, Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet duhet të hartojë raportin lidhur me kërkesën e SPAK-ut dhe me shumë mundësi në një seancë të posaçme, Kuvendi do të vendosë nëse do të autorizojë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në dosjen voluminoze prej 400 faqesh krahas Ahmetajt, rezultojnë të përfshirë për aferën e inceneratorëve edhe persona të tjerë.