Nga BUJAR QESJA
Shumë kam shkruar këto kohë të ngarkuara, me stres, dhimbje, por pa zbehur fuqinë e optimizmit dhe mbijetesës. Zemra na është coptuar dhe lotët të lyera me nota trishtimi, nuk u është gjendur koha të thahen. E lapsi i gazetarit, si një parmendë gjigande, është dashur të lërojë mbi shpirtërat e vrarë, si shkak i ndarjes nga jeta të njerëzve të afërt dhe të dashur.
7 shtator 2021! Kohë e vranët. Fryn një e rë e lehtë këtu në Durrësin e tij, ku nisi të shënojë sekondat e para të frymëmarrjes me 17 dhjetor 1933. Diku nga mesdita, më çfaqet një burrë i gjatë si lis dhe simpatik, tërheqës bash si vesa e mëngjesit.
-Jam Osman Firza më tha. Jam gjithashtu vëllai i Fatbardhës, bashkëshortes së Agim Dritës. Kam një lajm të hidhur për t’iu dhënë zoti Qesja: Agimi ynë na la!
Lotët si rruaza të shndritshme, i vendosen si varëse në mollëzat e faqeve dhe m’u si bulëza mbuluan fytyrën e tij. Në lagjen e vjetër, nr. 4, tek rruga e poshtme siç i thonim, duke kthyer paksa djathtas dhe ec pak më në thellësi, shikohet një shtëpi dykatëshe. Këtu ka jetuar kur ishte në Durrës, i miri zotni Agim Drita. Mbi gjysëm shekulli më parë, në këtë derë hyri nuse e bukura e dheut, Fatbardha, e cila i dha vërtet Agim Dritës shansin e bardhë të jetës. Kjo familje u shtua me dy vajza të florinjta: Brizida dhe Migena.
Koha dhe zhvillimet pas viteve 90-të, e kalojnë familjen e Agim Dritës në Itali, duke u vendosur në kryeqendrën veriore të saj Milano. Para dhjetë vitesh me vajzat bashkohet edhe Agim Drita me Fatbardhën. Por Agimi ynë kishte filluar të vuante nga një lloj parkinsoni, që çdo ditë amortizonte muskujt e tij të fortë.
Vështroj me shumë vëmëndje emrin Agim Drita. Sinonimet janë të qarta dhe i shkojnë aq mirë njëra tjetrës, sikur të jenë vendosur nga një dorë e kujdesshme. Agim, lindja e një ditë të re dhe të bukur dhe Drita, ndriçim, kohë e shndritshme, joshëse dhe ndjellëse e të mirës. Brenda emrit Agim, qendronte mbiemri Drita, për ti dhënë me shumë vlerë jetësore Agim Dritës, për të qenë vërtet një njeri me plot agim dhe dritë, me plot bukuri dhe sharm, me plot personalitet dhe qytetari.
Kur ecte rrugëve të Durrësit çifti Drita, bukuria shtohej e durrsakët kthenin kokën për të vështruar bukurinë e të qënurit të tyre. Të bukur në pamje, por akoma më të bukur në shpirt, me zemër të madhe, me një sjellje që të tërhiqte dhe të detyronte ti ngjasoje. E kam njohur Agim Dritën. Edhe im atë Xhafer Qesja, e ka patur mik. Ishte kënaqësi dhe ndjehesha me fat, që e njihja dhe komunikoja me këtë mjek profesionist klasi, që durrsakët e kishin shumë për zemër ta lakonin, si përfaqësues i denjë i qytetarisë.
Agim Drita e lidhi jetën me mjeksinë. I dha shumë asaj dhe punoi shumë për të. Pesë vite studime itensive dhe diplomohet për mjeksi. Deri në 1960-tën punoi me korrektesë në Qendrën Sanitare. Ky mjek i ri, që po krijonte dita ditës personalitetin e tij, nuk mund të mos merrte përgjegjësi të tjera. Është mirë të dihet fakti, që doktor Agim Drita në harkun kohor 1960 – 1966, ishte drejtor i Shërbimit Shëndetësor në Durrës. Përgjegjësitë i dhanë vërtet emër, por ia shtuan edhe detyrimet. Agim Drita ishte një lloj prerje, që përshtatej me çdo individ. Fliste pak dhe dëgjonte shumë. Fliste pak dhe fjala i ngjiste, pasi qetësia dhe argumenti ishin dy armë kryesore, mbi të cilat ai ndërtonte komunikimin me njerëzit.
Por Agim Drita ishte më i qetë, kur qendronte pranë pacientëve. Dhe për këtë kërkoi të specializohej për ftiziopneumologji në Tiranë. Pas këtij specializimi, caktohet të punoj në Dispancerinë anti TBC në Durrës. Nuk hoqi dorë nga ekzaminimet radiologjike dhe konsultat që kryheshin në spitalin e Durrësit. Punonte në praktikën e vështirë me pacientët, por nuk hiqte dorë edhe nga studimet, duke përgatitur tema dhe referate shkencore. Kundrejt kësaj pune kolosale, fama e Agim Dritës rrites dita ditës. Megjithëse ishte e vështirë të takoje Agim Dritën, ai u kthye në dritë për të gjithë. Rrezatonte një lloj mirësie, që i shkonte aq bukur dhe përshtatej me pamjen e rrallë fizike. Një Agim zotni dhe shumë i hijshëm, një mjek aq i aftë dhe i saktë në ekzaminime, ishte fat për Durrësin dhe durrsakët.
Megjithëse një kohë relativisht të shkurtër në dispozicion, pasi largimi i tij nga jeta ka pak orë që është mësuar, na u desh me shpejtësi të kërkonim foto dhe gjetëm jo pak. Dhe në pamjet që kemi seleksionuar për ti bërë publike, Agim Drita çfaqet pranë kolegëve, pranë shokëve dhe miqve që aq shumë i donte, pranë gruas së dashur, pranë fëmijve dhe nipërve aq të shtrenjtë dhe gjithnjë ishte dhe mbeti i njëjti.
Disa u shuan para tij si të mënçurit dhe të aftët tanë Ben Çeta, Halit Haka, Ali Sula, Rushen Golemi dhe të tjerë që jetojnë ndër ne si Miri Hoti, Mikel Muka, etj. Agim Drita mbeti si një kurorë e ndriçimit të pafund, duke plotësuar gjerdanin e artë të radiologëve të famshëm durrsakë si Ismail Tartari, Dhimitër Propopulli, Kostandin Moisiu, Mustafa Cara, Zef Kaçulini, Eqerem Enesi, Anastas Dhroso, Veniamin Deçolli etj.
Për Agim Dritën, durrsakët përulen me respektin më të madh, pasi deri në vitin 1994 kur doli në pension edhe pas tij, ai mbeti djali i bindur i tyre, doktori që u shkri njësh me pacientin, duke e kthyer këtë njeri në vlerë dhe dobi të gjithkohshme. Me shumë dhimbje u largua nga Durrësi, jo vetëm që u detyrua të afrohet pranë fëmijve, por edhe të fillojë atë kurim të gjatë, të lodhshëm dhe të vështirë që kishte nisur ta mundonte dhe t’ia rëndonte jetën.
Ai u gëzua pa masë për ecurinë befasuese dhe akomodimin perfekt të dy vajzave Brizidës dhe Migenës në jetën italiane. Migena ka ngritur m’u në mes të Milanos një klinikë dentare, duke punësuar 14 mjekë dhe infermiere. Dhe motra e saj Brizida, është ekonomiste në këtë aktivitet. Kjo ia lehtësonte dhimbjet babait të dashur, që sëmundjen e kalonte në plan të dytë para kësaj kënaqësie.
Momentet më të paharruara të Agim Dritës kanë qenë, kur qendronte pranë katër nipërve dhe të vetmes mbesë. Djemtë e Brizidës Endry dhe Devis, si dhe tre fëmijët e Migenës Lela, Denis dhe Rubeni, mbetën pesëshja shpirtërore e Agim Dritës. Një miqësi me frymë qytetarinë durrsake e lidhi çiftin Agim dhe Fatbardha Drita, me fisnikët e tjerë Thoma dhe Merita Fora. Durrsakë e bij durrsakësh. Sa mirë! Sa bukur! Dhe jeta gjallërohej, ani se ditët e fundit të përmbylljes, ngjasonin me gjethet e vjeshtës që bien lehtë dhe në mënyrë të trishtë nga pemët. Fatbardha, e bardha fat i Agim Dritës, qëndronte natë e ditë në roje të shëndetit të bashkshortit të saj, burrit të thjeshtë dhe të nderuar të Durrësit, që ishte në orët e fundit të mbijetesës.
Dhe do të vinte 7 shtatori, i vitit 2021 që doktori i njohur në Durrës Agim Drita, të shuhej si drita i një qiriu, duke mbetur përjetësisht drita që shpërndau ky mjek i përkushtuar, ky njeri i detyruar ndaj njerëzve, për t’ua hequr errësirën e sëmundjeve shumë e shumë shëndetligëve. Agim Drita nuk jeton, por zor se mund të harrohet e gjalla e tij, ajo punë e madhe dhe titanike që kreu në favor të shëndetit të njerëzve.
Dhe durrsakët me lotët e dhimbjes që del nga zemra dhe shpirti i tyre, bashkohen me dhimbjen e familjes dhe të afërmëve, duke mbetur në një hap me një thirrje të heshtur, por që tingëllon fuqishëm:
Lamtumirë Agim Drita, drita e paharruar e mjeksisë dhe e qytetarisë!