Nga Bujar QESJA

E mora lajmin nga ndarja e Artur Bujarit nga ne frymorët, në kushte shumë të vështira. Dhimbja m’u dyfishua, pasi vonë pas orës 3 të natës në spital, mësova për këtë gjëmë që më dërrmoi. Një tension shumë i lartë, mbi 20 dhe situatë delikate shëndetësore, m’u imponua të kaloja dhe ende përpiqem, që preku bashkëshorten Kostandina. Në urgjencën e spitalit të Durrësit, teksa po bënim ekzaminimet e Kostandinës, nga skaneri i kokës, e të tjera e të tjera dhe kur po rrokja përkushtimin profesional të mjekut Kristi Gurra, njihem me largimin nga jeta të Artur Bujarit.

Ashtu i cfilitur, i pagjumë, kur fiziku më është dobësuar, e sytë më përplasen mbi tastjerë, kur Kostandina është në serum, e në përpjekje për të mësuar se çfarë ka ndodhur, shkëputem për të shkruar këto rradhë për mikun e rrallë, shokun e hershëm, durrsakun e tejbindur Artur Bujari.

Vajzat, djali dhe Dori, e bija e Stilian Sinjarit, fqinj me familjen bujare të Llazi Ngresit, babait të Kostandinës, janë në dhimbje, janë në trishtim, janë në vaj, janë me zemër të plasur. Nuk jeton ai, i miri, i bukuri i dheut, i urti i lindur, dashuria e madhe, shumë e madhe për Durrësin dhe durrsakët, biznesmeni aktiv dhe me mëndje të artë, me buzëqeshje që ia zbukuronte fytyrën, i mënçuri dhe arti në komunikim e në mendim Artur Bujari.

I tetorit 1956 në lindje dhe tash e mbyll librin e jetës me 13 mars 2024, duke hapur librin e madh, me kopertinë të hekurt, atë të kujtimeve. Jemi ende të shokuar nga dhimbja. Dhe kur këtë dhimbje e merr në dhimbje, dhe kur këtë trishtim e merr në trishtim, ej zemër bëhu e fortë dhe qendro. Durt m’u ftohën, djersët m’i qullën rrobat, e tronditja më godiste si me shpulla, m’u në pikën ë të dobët, por edhe të fortë zemrën time.

Eh Tur Bujari, bujaria dhe fisnikëria e jonë! Pak ditë ka që më telefonove dhe me zë të mekur, me një frymë që t’i mbulonte fjalët, por jo mendimin dhe zemrën e madhe, po më flitje për orë të vështira të jetës tënde. Kërkoje nga unë, të falenderoja mjekët e urgjencës së Durrësit, që manaxhuan në prefeksion tensionin e lartë që të goditi. Sa dashuri në ato fjalë! Sa shpirt në atë dëshirë! Dori, gruaja jote e jashtëzakonshme, të mori telefonin dhe dëgjova të më thonte:

-Bujar! Turi është i lodhur paksa. I shpëtoi një goditje tensioni dhe zemër mund të ishte. Kur të dali, pini një kafe dhe dëgjoje për atë që do të flasë.

Dhe kur pak orë pas kësaj, që mund të kenë bërë fare pak ditë, vjen njoftimi se floriri i qytetarisë durrsake, biznesmeni shumë modest dhe me zemër shumë të madhe Artur Bujari, nuk është më ndër ne. Lajm që besohet është ky?! Lajm që shkruhet është ky? Si mor, mund të mos jetojë ai që krijoi “Pemën e Jetës”, sipërmarrjen tjetër të prodhimit të mobiljeve e artikujve të tjerë për eksport dhe qarkullim të brendshëm Artur Bujari?! E ç’lajm është ky?

“Pema e Jetës”, do të mbetet tërë kohën Pema e Turit. Lulëzonte gjithçka. Agrobiznes fantastik. Mrekulli natyrore. Kodër dominuese, që e bëri përrallore. Ushqim bio dhe i pastisur, shprehje e një zemrë po të tillë, të pastërt, të florinjtë, edhe kjo e pastisur. E kishte bërë këtë “Pemë të Jetës” për të kënduar bilbilat. Kafshë të buta, ushqim i preferuar, pemtari pa fund, gjelbërim edhe ky i pafund, fruta, pemishte, perime gjithfarë, gatime të rralla nga fondi i artë i guzhinës shqiptare, përpunim, konservim, gjithë,gjithë mrekullitë e botës kishte mbledhur në këtë “Pemë të Jetës” kjo “Pemë”gjithnjë e bukur dhe krenare e qytetarisë durrsake.

Lëvizën nëpër botë dhe botë e bënë investimin e tyre në këtë Shkallnur, gjithnjë e më të begatë. Shkuan në Francë, Itali dhe Izrael, për të parë përvojat më të përparuara në agrobiznes. Për ta sjellë në vendin e tyre, në këtë tokë të bekuar të Durrësit, që krahas detit të merrte fuqinë edhe të zhvillimit blektoral, të bujqësisë, kulinarizmit, të gjithçkaje të mirë, që vetëm vizioni i mënçurisë së rrallë të Artur Bujarit mund ta bënte.

Artur Bujari, “Pema e Jetës” tënde, do të jetë në duart e djalit, Dorartit, i cili mbaroi studimet në Londër për marrdhënie ndërkombëtare dhe ti i shtrenjti ynë, e binde që të vazhdoj rrugën tënde dhe të Dorit. Dhe ky Doarti, po kthehet në mëndje të artë, për të bërë “Pemën e Jetës” më të artë dhe më të veçantë.

13 mars 2024. Ka pak orë, që jemi me 14 mars 2024. I lodhur jam. I rraskapitur jam. I mbushur sa ska me dhëmbje dhe trishtim. Artur vëlla! Artur mik e kaluar mikut! Artur shok e përmbi shokët! Sa kujtime të vlefshme ke lënë, të paharruara? Cili të takoi, e nuk mori një mbresë nga ty, mbresa që edhe këto nuk harrohen.

Me punën që bërë, me dashurinë e pashoq që tregove për familjen, për miqtë dhe shokët, duke i dhënë vlera dhe vetëm vlera Durrësit tënd të lindjes, të babait tënd, të, të mirit Xhavid Bujari, t’i do të kujtohesh, nuk do të harrohesh.

Nuk mundem më të vazhdoj. Sytë nuk po më binden nga lodhja, pagjumësia, por edhe lotët duke më marr peng shikimin. Po ndahemi këtu së bashku Artur Bujari, për të mos e ndarë tërë jetën, portretin tënd tërheqës, prej një njeriu të rrallë dhe të bekuar.

I lehtë dheu i tokës tonë, të asaj toke që ti i dhe përjetësisht emrin “Pema e Jetës”.