Nga BUJAR QESJA
Herët në mëngjes, mësova për një lajm të dhimbshëm, që më drithëroi. Afrodita Hay përhap lajmin, se Bela Kalamishi nuk jeton. Në këtë të dielë të 23 qershorit 2024, i jepet lamtumira e fundit. Ndonëse me ngarkesat e mëdha të ditës, me halle dhe problematika nga më të ndryshmet, nuk mund të mos merrja penën dhe të hedh në fushletrën e bardhë, fjalë për këtë Belë të mrekullueshme, për këtë grua të bukur si vetë shpirti i saj, për këtë personalitete të arsimit në Durrës.
Emri i saj i plotë është Satbere Kalamishi, por një popull i tërë, e njeh shkurt dhe që i vinte më për shtat Bela. Katër gërma shumë histori. Katër gërma dhe lënda e gjeografisë, ka mbretëreshën e përjetshme të mësimdhënies. Edhe mua dhe brezit tim, kjo Belë e Kalamishëve më ka dhënë mësim. Por çfarë mësimi? Një Belë e hijshme, me një komunikim të falë nga Zoti, zotëronte mjeshtërisht dhe mrekullisht lëndën e gjeografisë. Me shkopin që tregonte hartën, më dukej si shkopi i një dirigjenti, që komandaonte tërë botën.
Nuk mund të harroj seriozitetin e saj, seriozitet që lexohej qartë në të tjera personalitete të arsimit durrsak si Mihal Ekonomi, Astrit Hoxha, Sul Demiri, Seit Xaxa, Tofik Milaqi, Petrit Velaj, Meleq Kalamishi, Benardina Qerraxhia, Ali Çinari, Naim Rexha, Danish Bebeziqi dhe emra të tjerë që nuk kam kohë ti kujtoj, ku demostronte deri në perfeksion artin e mësimdhënies, art që lidhej ngushtë edhe me formimin dhe edukimin e nxënësve me lëndën.
Satbere Kalamishi, lidhi jetën me njeriun e urtë dhe babaxhan Qamil Pemaj. Fatkeqësisht edhe ky i fundit, u largua nga jeta me 21 shkurt të vitit 2024 në moshën 87 vjeçare. Dhe vetëm pas katër muajve, i ofrohet të shoqit në banesën e përjetshme Bela e jonë e Kalamishëve, Satbere Pemaj, që pa as më të voglën mëdyshje, ka lënë gjurmë të arta në historinë e arsimit në Durrës. Nga martesa e tyre, lindi një fryt i ëmbël, një vajzë e bukur si zana. Emri i saj është Afërdita. Shoqet e rinisë, një prej të cilave është edhe ime bijë, i thërrasin Ditka.
Po sa kujtime kanë ato me Belën, me nënën e Ditkës, e cila iu bë prind edhe atyre. Familje e urtë dhe fisnikësh, të mirnjohurit Kalamishët e Durrësit. Origjina e tyre nga Ulqini, e bëri këtë zonjë të përfshihej edhe në “Shoqatën Kulturore Ulqini”, të drejtuar nga intelektuali i paharruar Zyhni Beqiraj. Edhe këtu, ndihmesa e Satbere Pemaj është e pamatë.
E takoja herë herës, ndaleshim dhe kujtonim kohën e mësimdhënies. E “rreptë” ka qenë. Kështu i etiketonin nxënësit mësuesit që kërkonin shumë, por që në fakt i ndihmuan në formimin kulturor dhe edukativ. Bela Kalamishi kishte krijuar modelin e saj. Përgatija në mësim ishte ekselencë. Korrektesa dhe aftësia e komunikimit, njohja në majë të gishtave të lëndës, e kishin kthyer zysh Belën në personalitet, që i shkonte shumë natyrës dhe karakerit të saj.
Çifti Pemaj, u kujdesën maksimalisht për vajzën e vetme, dritën e syrit. E dërguan në Hamburg të Gjermanisë, të studionte në lëndë preferenciale. Atje u njoh me amerikanin John Hay dhe lidhën jetën së bashku. Fryt i kësaj lidhje është djali 13 vjeçar Adi, i bukuri i dheut jo vetëm i prindërve, por edhe i dy gjyshërve Belës dhe Qamilit.
Lajm i rëndë këtë mëngjes. Satbere Kalamishi, ka ndalur frymëmarrjen. Për pak çaste edhe ne ndalim frymëmarrjen, por në shenjë respekti dhe nderimi për këtë figurë madhore të arsimit durrsak. Zysh Bela ka mësuar mjaft breza në karrierën e saj të pasur dhe që të gjithë flasin me nderim, për këtë zonjë të rëndë të arsimit. Jam i sigurtë se përkufizimi që i bëjmë, i takon jetës së saj aktive dhe itensive në fushën e arsimit dhe nuk mbetem i vetëm.
Afrodita Hay, ka lënë Kantonin Zug të Zvicrës ku jeton familjarisht, duke përfunduar të tjera studime pas Hamburgut edhe në Basel dhe i ndodhet pranë nënës tashmë pa jetë. Por nuk ka ngushëllim më të madh, kur ke lënë jetën e ngjallur, të përpjekjeve të jashtëzakonshme në favor të ecurisë dhe progresit të arsimit në Durrës. Ajo dhe ne të tjerët jemi të bindur, që nëna e saj Satbere Pemaj, i ka lënë krenarinë e një emri kurdoherë të denjë, veçanërisht kur flitet për historinë e arsimit.
Jetë të gjatë në kujtesë, zyshës tonë të nderuar, zonjës kryelartë të arsimit, e cila falë aftësive dhe përkushtimit, u kthye në shembull dhe referim!
Dheu i lehtë Bela, kujtesa ndaj teje nuk do të zbehet!