Nga BUJAR QESJA

E dielë, 14 gusht 2022. Familja Kërtusha, ndodhej për pushime në një nga plazhet tërheqëse të Himarës. Besniku, natyrë sportive dhe me një fizik të fortë, po relaksohej teksa notonte i qetë mbi valë. Rreth orës 11.00 kur po dilte në breg, ndjen dhimbje në gjoks. I bën shenjë të vëllait Kujtimit dhe bashkshortes Dianës, që të ofroheshin. Befas humbet ndjenjat dhe përplaset në tokë. Krijohet situatë e pazakontë. Për momentin, nuk po kuptohej se çfarë po ndodhte.

Por Besniku, kishte ndalur frymëmarrjen. Përpjekjet e Dianës dhe Kujtimit ishin maksimale, por pa ja dalur. Shoku ynë i hershëm Besnik Kërtusha, nuk mundi t’i shpëtonte demonit të tmerrshëm që po i merrte jetën. Në një rast të tillë para 20 viteve, fiziku i tij nuk u tut. Por infarkti akut i miokardit i 14 gushtit 2022, na e mori Besnikun tonë, duke mos menduar kurrë se ai trup i fortë sdo të lëvizste më.

Kujtimi dhe Diana që ishin aty, nuk do të mund ta besojnë se do t’u ikte Besniku, ashtu papritur. Në kafetë e mëngjesit dhe orët e këndshme që kalonin gjatë ditës, uronin njëri tjetrin për shëndet dhe jetëgjatësi, për kohë të lumtura në vijimësinë e jetës. Por ja çasti fatal dhe i trishtueshëm erdhi pa pyetur kërkënd.

Thirrjet e tyre plot ankth, nuk mundën ta zgjonin më Besnikun, që ra në gjumin e përjetësisë. I rëndë lajmi. E rëndë pesha e dhimbjes. Mario, djali i Kujtimit, nuk përmbahet në komunikimin me ne. Edhe ai, është përfshirë në brengën që shkaktoi ky largim i papritur nga jeta i Besnikut.

Besnik Kërtusha, e donte jetën. Kishte një dashuri të pakufi për tre vajzat: Iridën, Blerinën dhe Irisin, për bashkëshorten Dianën, për vëllezërit Yllin dhe Kujtimin, për motrën Elvirën. Nuk harronte të kujtonte njerëzit më të afërt, që i janë larguar nga jeta: babain Asllanon, nënën Nafije, vëllain Fatmirin dhe motrën Shpresën. Mbete njeri i ndjeshëm, duke ndërtuar raporte shumë njerëzore me qytetarinë durrsake, me të cilën mburreshe vazhdimisht.

Besnik Kërtusha, u lind në Durrës me 4 shkurt 1950. Pasi mbaroi shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti“, në harkun kohor 1968-1973 iu nënshtrua studimeve në degën e inxhinjerisë mekanike në UT-në e Tiranës. Punon pesë vite në Dibër dhe emërohet në Uzinën Mekanike Bujqësore në Durrës dhe pas kësaj drejton degën teknike në Ndërmarrjen e Bonifikimit. I thjeshtë, i komunikueshëm, korrekt dhe i lidhur shumë me njerëzit, Besnik Kërtusha lakohej për të mirë nga i gjithë komuniteti durrsak.

Për vlerat e spikatura, për përvojën e madhe të krijuar në punë dhe në jetë, emërohet Zëvënds Kryetar i Bashkisë së Durrësit nga viti 2000 deri në 2004-trën. Më tej kalon në drejtimin e Departamentit të Shërbimeve Publike dhe Investimeve po në Bashkinë e Durrësit. Ngarkesat në punë, shkalla e lartë e përgjegjësisë, por edhe e ndërgjegjes dhe ndershmërisë, me sa duket ia rënduan zemrën. Shenjat u dhanë, por rikuperimi ishte i shpejtë.

Besnik Kërtusha, i takon atij brezi kuadrosh dhe intelektualësh, që i dhanë dhe po i japin ende zhvillimit ekonomik dhe social të Durrësit. Së bashku me shokët e tij Leonidha Gjermeni, Përparim Tartari, Kujtim Kumbaro, Astrit Duçi, Diamant Pojani, Mikel Subashi, Sokol Kokomani etj. kanë udhëhequr përpjekje itensive në zgjidhjen e mjaft problemeve, që i kanë shërbyer qytetit. Dhe gjithnjë ia kanë dalë dhe kanë marrë shpërblimin e një pune dhe angazhimi të gjatë. Dhe ky shpërblim, ka qenë gjithnjë shpirtëror dhe moral, sepse i tillë mbeti përkushtimi ndaj njerëzve.

Besnik Kërtusha jetoi 72 vite. Iku shpejt, kur donim të jetonte edhe për shumë vite pranë nesh, shokëve dhe miqve, vajzave, nipërve dhe mbesave, bashkshortes, të afërmëve të tjerë. Ishte shumë aktiv. E takonim gjithnjë dhe përshëndeteshim. Dhe asnjëherë nuk e shikonim vetëm, por mes shokësh dhe miqsh. Do të kujtojmë Besnik buzëqeshjen tënde, atë humor që të dilte nga shpirti dhe ecje rrugëve të vendlindjes, duke përshëndetur e respektuar bashkëqytetarët e tu.

Emër të mirë le Besnik Kërtusha. Dhe kjo është një mundësi edhe më e madhe, për të të kujtuar. Të shikojmë në shtratin e përjetësisë dhe nuk mundemi ta besojmë, jo, jo nuk mundemi. Lotët nuk mund t’i gëlltisim të gjitha dhe na çfaqen në fytyrë por t’u dukur qartë. Janë lot për ty vëlla, janë lot për ty baba, për ty Diana që dhimbja vjen edhe më e rëndë, për ju vëllezër, për ty motër, për ne të gjithë shokët dhe miqtë e t’u, që të deshëm shumë, shumë.

Eh Besnik i shtrenjtë! 15 gushti 2022, është përcjellja për në banesën e fundit. A mundet ta besosjmë këtë, kur vetëm pak orë më parë të shikonm ashtu si gjithnjë të qeshur dhe hokatar? Si mund ta besojmë të na lesh kështu, teksa ende bënim plane për punën, teksa ende kishim angazhime dhe detyrime, për qytetarët e mirë dhe të nderuar të Durrësit.

Sa e deshe qytetin tënd! Sa i dhe këtij qyteti, banorëve të tij! Dhe të jesh i sigurtë, se edhe ato do ta shpërblejnë, duke të kujtuar e mos harruar. Ti ishe i tyre dhe përgjithnjë do të mbetesh i tyre.

Besnik Kërtusha! Një ikje pa kthim, por edhe një kthim pa ikje në memorien tonë dhe të gjithë atyre, që të kishin pranë tërë kohën.

Lamtumirë vëlla! Dheu i lehtë!