Nga BUJAR QESJA

Do të vazhdojmë ta shkruajmë historinë tonë të sporteve edhe kur protogonistë të saj ndahen nga jeta. Vështirësitë shtohen, pasi copëzimi i durrsakëve në dhe të huaj na dobëson informacionin.

Por Zot shyqyr, lidhjet e forta me bashkëqytetarët tanë kudo që ndodhen, na e vonon, por nuk na ndërpret atë që na duhet: të dhënat se çfarë bëhet me ta.

Diktere Mustafaraj në fillim, e më pas Aleksandër Çeta më njoftojnë lajmin e dhimbshëm. Nuk frymon më një autoritet i basketbollit të femrave të “Lokomotivës”. Emër shumë i njohur. Veçanërisht në fundin e viteve 60-të dhe në vitet 70-të, angazhimi i tij në topkoshin durrsak është shumë aktiv.

Ky është Bruno Vezuli, ku gjithnjë ka tërhequr vëmëndjen tingëllimi italian i emrit. Arsyeja e thjeshtë. Nëna e Brunos ishte italiane. Por që në rininë e hershme Bruno Vezuli, tërhiqte vëëndjen jo vetëm nga djemtë më të pashëm në Durrës, por edhe fiziku i tij i lidhur dhe i veçantë. Mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë dhe punon si mësues i edukimit fizik në disa shkolla të arsimit 7 dhe 8 vjeçar të qytetit.

Shumë pasionant, shumë sportiv, e shumë aktiv, Bruno Vezuli fillon të përmëndet në organizimin e spartakiadave shkollore lokale dhe kombëtare, duke patur peshë në rezultatet cilësore të sportistëve të rinj durrsakë. Bruno kishte hob eksplorimin e ujit të detit, duke u zhytur e qendruar me orë të tërë në mbretërinë e tij.

Gjuante me pushkë dhe për kohën njerëz të tillë, përcilleshin me shumë bujo në Durrës.
Ajo që e vendos Bruno Vezulin, në gjerdanin e shkëlqyer të sporteve, është basketbolli i femrave. Ai trajnoi për shumë vite basketbollin e të rejave të “Lokomotivës”, të rriturave kur për disa sezone ishte edhe ndihmës i të madhit të koshit Niko Hercek.

Ka meritën e padiskutueshme, falë aftësive profesionale dhe pedagogjike, të organizimit dhe thellimit të njohurive për topkoshin, që basketbolli i femrave në Durrës, krijoi shtrat të shëndoshë dhe ishte nga violinat e para në kampionatet kombëtare.

Fotot që prezantojmë, e evidentojnë Bruno Vezulin si trajner aktiv, së mësues i dashur, ku vajzat e kishin si prind të dytë, shumë pasionant dhe inkurajues i rezultateve pozitive që arrinin ekipet që drejtonte. Bashkshortja e Brunos është inxhinjerja e njohur e ndërtimit Vasilika Prifti. Ka dy djem Lorisin dhe Andin.

Me ndryshimin e sistemit, ky kuadër i vlefshëm i basketbollit durrsak, largohet nga Durrësi dhe vendos të jetojë e punojë në Pordenone të Italisë. Ai e ruajti edhe në tokë të huaj, emrin e mirë që kishte krijuar në vendlindje, duke mbetur shembull dhe nxitës dhe në emigracionin shqiptar.
Vitet e fundit vuajti nga sëmundjet, derisa mbylli sytë në mesnatën e 1 majit 2024. Ceremonia e përmortshme u bë pasditen e 2 majit, në varrezat e komunës së Pordenones.

Ajo çka dha Bruno Vezuli në basketbollin e femrave, mbetet kapitulli i arritjeve më të mira për ekipin e “Lokomotivës” së Durrësit. Sportëdashësit durrsakë do ta kujtojnë gjatë këtë njeri të dashur të sporteve. Gjatë kohës që punoi dhe jetoi në Durrës, dha shembullin më të qartë të kuadrit të përkushtuar, të trajnerit të suksesshëm, të veprimtarit të sporteve nga më aktivët.
Lamtumirë Bruno! Lamtumirë Vezuli ynë i basketbollit!

Bujar Qesja
Durrës: 2 maj 2024