Nga Gëzim Kabashi
DURRËS, 9 korrik 2014 – Një muaj më parë qytetarët durrsakë mësuan për vdekjen e Burhan Kadukut, mësuesit të nderuar të fizikës, i cili prej shumë vitesh jetonte në Itali.
Telefonatat e ngushëllimit drejt Ravenës, qytetit ku do të prehet përjetësisht trupi i tij kanë qenë të shumta, veçanërisht nga ish-nxënësit.
Megjithëse kishte dalë në pension në vitin 1981, profesor Burhani respektohej e nderohej njëlloj si në ditët, kur bashkë me lëndën e fizikës, u mësonte gjimnazistëve se si të hidhnin hapat e parë në jetë.
SHËNIMI NË BLLOK
Regjisori Haxhi Rama vazhdon të ruajë që prej 53 vjetësh bllokun personal të maturantit me përshtypjet e mësuesve dhe të bashkënxënësve.
“Shënimi i Burhan Kadukut, mësues dhe nëndrejtor i shkollës “Nako Spiro” është mjaft i shtrenjtë për mua, pasi më kujton mënyrën çapkëne, me të cilën e kam përjetuar gjimnazin”, – thotë Haxhi Rama, duke nënvizuar edhe humorin pedagogjik të profesor Burhanit që ka shkruar: “Fundi i shkollës qoftë fundi i marrinave tuaja. Ma serioz lyp jeta”.
Burhan Kaduku i psikologjiste shumë mirë nxënësit e tij. Kësisoj ai edhe mund t’i motivonte ata për rezultate më të mira.
“Krijonte raporte shumë të mira e miqësore me të gjithë, por duke ruajtur edhe autoritetin e mësuesit”, – dëshmon regjisori Rama, që kujtuar sensin e humorit dhe dashurinë e ndërsjellë që ushqenin nxënësit për mësuesin e fizikës.
Ishin fillimet e viteve 1960, kur në gjimnazet “16 shtatori” (më pas “Nako Spiru”) e “Naim Frashëri” të Durrësit diplomoheshin jo më shumë se 100 maturantë gjithsej, aq sa diplomohen sot vetëm në një shkollë private.
Pas përfundimit të studimeve në universitetin e Tiranës, nuk janë të pakët ata që sot njihen si personalitete në sektorë të ndryshëm, edhe falë punës së përkushtuar të mësuesve durrsakë, mes të cilëve shquhet edhe Burhan Kaduku.
SHKODËR-DURRËS-RAVENA
Jeta e Burhan Kadukut i ngjan udhëtimit të gjatë në një trekëndësh qytetesh: Shkodrës, ku lindi në vitin 1926; Durrësit ku punoi si mësues dhe ku krijoi familjen e tij, e në fund Ravenës, qytetit bregdetar italian ku kaloi pjesën e fundit të jetës, me bashkëshorten, Pertefen, dhe dy djemtë, Tritanin dhe Neritanin.
Në këtë trekëndësh shquajnë edhe kryeqytetet e Shqipërisë dhe Polonisë: Tirana, ku kreu shkollën 8-vjeçare, dhe Varshava, ku gjatë periudhës 1949-1952 studioi në degën e fizikës, me bashkëstudentë si Osman Kraja, Fatmir Sinojmeri, Emil Plumbi, Teofik Gjinali, që u shquan më pas në fushat e fizikës dhe matematikës.
Sapo u kthye nga Polonia, Burhani u emërua në gjimnazin “16 shtatori” të Durrësit, ku punonte një brez mësuesish me shumë emër.
Sulë Demiri, Petrit Velaj, Pertef Kruja, Tofik Milaqi e Matish Gjeluci ishin disa nga kolegët e Kadukut, për të cilin po niste veprimtaria 30-vjeçare e mësuesit.
Rezultatet e pedagogut të ri të fizikës ndjehen shumë shpejt.
Disa nga maturantët e shkollës së mesme “16 shtatori”, menjëherë pas diplomimit në Universitet, rikthehen në gjimnazin e tyre, këtë herë si mësues.
Ilmi Begteshi, Gëzim Hoxha, Bardhyl Ballanca, Kujtim Lluri e ndonjë tjetër u bënë kolegë me mësuesit, që i përgatitën në të njëjtat banka.
“Ishte përgjegjësi e madhe të punoje përkrah tyre”, – tregon Bardhyl Ballanca, i cili do të bëhej shumë shpejt një nga mësuesit më të mirë të matematikës në shkallë vendi.
Ballanca thotë se Burhan Kaduku shquhej për edukatën e punës, çka sipas tij lidhej edhe me kulturën universitare në Poloni.
“Në rolin e nëndrejtorit ai ishte organizator i dhjetëra veprimtarive, ndërsa shquhej për qetësinë me të cilën zgjidhte situatat e vështira të përditshme, por edhe ato që krijoheshin nga absurditeti i kohës që kaluam”, – kujton ish-nxënësi dhe kolegu i Burhan Kadukut.
Nora Malaj, një nga ish-nxënëset e shkollës “Gjergj Kastrioti” para disa vitesh, duke kujtuar mësuesit e gjimnazit shkruan: “Kam dashur pa fund fizikën. Kemi pasur një profesor, Burhan Kadukun, personalitet në fushën e fizikës; një njeri shumë i mirë”. “
Më kujtohet kur shpjegonte ligjet e inercisë, jo vetëm teorikisht, por edhe në mënyrë praktike. Po ashtu edhe ligjet e Njutonit, të cilat edhe sot jam në gjendje t’i riprodhoj falë kujdesit të tij”, – shkruan Malaj, aktualisht zëvendësministre e Arsimit e Sportit.
PEDAGOGU ELEGANT
Elegant, i qeshur, me zë të butë e plot humor, kështu e kujtoj edhe unë prof. Burhanin.
Kur isha ende gjimnazist, shtëpia e Kadukëve, pranë shkollës “29 Nëntori”, ishte vazhdimisht e hapur për ne, shokët e Tanit, djalit të madh të shtëpisë.
Banesa me oborrin plot fiq, prapa Xhamisë së madhe të qytetit, kishte sharmin e një shtëpie shkodrane, çka ndjehej veçanërisht në dialektin e pandryshuar asnjëherë të të gjithë pjesëtarëve.
Prof. Burhani rridhte nga një familje e njohur nga Shkodra.
Babai, Rizai, e dy xhaxhallarët, Ibrahimi dhe Hasani, bashkë me interesat arsimorë dhe teologjikë, janë nderuar edhe për veprat e bamirësisë në rajonin verior.
Në verandën e shtruar me çimento të familjes Kaduku kishte gjithmonë mysafirë, jo pak nga Shkodra, njerëz të afërm të të zotëve të shtëpisë.
Kujtoj që në atë shtëpi secili kishte detyrat e tij, pavarësisht nga mosha apo gjinia.
Profesor Burhani, nëndrejtor “historik” në shkollën “Gjergj Kastrioti” dy fëmijët e mëdhenj, Ervinën dhe Tritanin i dërgoi të mësonin në gjimnazin “Naim Frashëri”.
Një shembull kuptimplotë i respektit për punën e kolegëve të shkollës “rivale”, por edhe një tregues se fëmijët e tij nuk do të përfitonin në mënyrë të pamerituar.
E kujtoj profesor Burhanin, kur na tregonte për maratonat që organizoheshin në Varshavë, dhe ku bashkë me çmimin e parë, një çmim i veçantë i jepej konkurruesit që renditej i fundit.
“Nderohej për kurajën dhe vullnetin e treguar për të mos e lënë garën në mes”, – na thoshte pedagogu dhe babai i shokut, duke na dhënë një tjetër mësim nga jeta.
Ervina, vajza e madhe e familjes, një nga farmacistet më me përvojë të qytetit, vetëm pak javë pas humbjes së pazëvendësueshme kujton disa nga “miqtë e përhershëm” të të atit: librat, veçanërisht autorët francezë, Balzak e Zola; ariet dhe koralet e operave italiane; të paarritshmen Mina si dhe aktorët hollivudianë Marlon Brando e Ketrin Hepburn, por edhe Sofia Loren.
“Që kur morëm televizorin, në shtëpinë tonë babi krijoi traditën për ta ndjekur së bashku koncertin e madh të Filarmonisë së Vjenës mesditën e 1 janarit të çdo viti – dëshmon Ervinë Durrësi (Kaduku).
Burhan Kaduku mbetet një profesor i respektuar i fizikës për sa e sa breza studentësh durrsakë. Siç shkruan në ngushëllimin e tij ish-nxënësi dhe ish-kolegu mësues Kujtim Kabashi: “Përveçse një mësues i kompletuar, në përfytyrimin tim, profesor Burhani gjithmonë ka përfaqësuar modelin e gjallë të një njeriu fisnik, që e lexojmë në libra, por që shumë rrallë e ndeshim në jetë”.
Shënim. Foto poshtë: Burhan Kaduku pak kohë para se të ikte. Mirësjellje e Bashkim Kadiut dhe gazetës “Bulevard”
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





