Nga BUJAR QESJA

Kohë të vështira të një pandemie që as ka ndërmënd të soset. Po na godet shumë rëndë. Po na rrëmben nga gjiri ynë mjaft njerëz, pa dallim në moshë. Kur kthej kokën pas, të ikurit janë të shumtë. Mjaft prej tyre i kemi patur miq, pjesë të bisedave dhe halleve tona të përditshme. Kujtoj që në muajt mars prill të vitit 2020, kur u shpif kjo e keqe e madhe dhe me thënë të drejtën isha edhe në stres psikologjik, telefonatat e mikut të tim eti dhe të familjes tonë Eqrem Shehu, ishin terapia më e mirë. Kisha dëgjuar këshillat e mjekëve Pipero, Çomo, Kalo, Alimehmeti, Sulçebe etj. por zëri i Eqrem Shehut më vinte aq i ngrohtë, aq optimistë dhe mobilizues, saqë e harroja të keqen.

-Ju dua shumë ju Qeset, se jeni të lidhur njëri me tjetrin. Nuk mund të harroj babain tuaj, mikun tim të paharruar Xhafën. I keni ngjarë atij. Hidhni përshtypjet e jetës tuaj në ndonjë libër, pasi keni shumë për të thënë. Disa botime unë i kam bërë. Po lexoj shumë dhe nuk kam ndërmënd të ndalem. Hajde Bujar mos u mërzit, se do të kaloj kjo e keqe dhe do të jemi si më parë. Do të të telefonoj përsëri. Kurajo vëlla, kurajo!

Ky dreq covidi, siç e kam përsëritur dukshëm kohët e fundit, ngjason me një oktapod gjigand që ka shtrirë kthetrat, apo tentakulat për të thithur jetë njerëzish. Lajmet vijnë të kobshme. Tmerri po nis të riçfaqet. Në një nga takimet e fundit me mikun tim të respektuar, intelektualin e njohur Gani Krasniqi, u përmënd emri i Eqrem Shehut.

-Na është sëmurë Eqremi më tha Krasniqi, teksa nuk e fshehu tronditjen. Është shtruar në spital me covid. I kanë vendosur oksigjenin.

Me një Ohhhhh të gjatë, shoqërova këtë lajm të trishtë. Inshalla po e kalon! Eqremi ynë i mirë, Eqremi ynë i dashur, Eqremi ynë që na ka mbjellë tërë kohën në mëndjen tonë rrënjët e optimizmit, nuk duhet të na ikë. Dhe me Ganiun mbrëmjet e fundit, e kishim shëndetin e mikut tonë të madh, temën e parë të bisedës.

E hënë, 13 shtator 2021. Një lajm i hidhur na godet. Një komshi i yni herët në mëngjes, ushtaraku i njohur Hakim Agaj dha shpirt. Zemra sa s’më doli vëndit. E takoja çdo mëngjes këtë njeri super të mirë, teksa çapiste hapat me Hanushen e tij të jetës. Një covid i shpejtë, na e rrëmbeu si nga duart Hakimin tonë. M’u në këtë dhimbje, vjen lajmi tjetër lemeritës për largimin nga jeta të Eqrem Shehut, të optimistit tonë që na ngrinte moralin për të rezistuar. Lajm i rëndë për zemrat tona të mbushura plot dhimbje, plot trishtim, plot hidhërim. Se kush thërriti:

-0 Zot, duam të qeshim! Mjaft më me humbje jete! Mjaft më “rrëmbime” të njerëzve tanë të mirë!

Eqrem Shehu është përcjellë në këtë të hënë të 13 shtatorit, për në banesën e fundit. Në varrezat e vjetra të qytetit, është tashmë Eqremi ynë i mënçur, Eqremi ynë i dashur. A duhet ta besojmë? E kam quajtur që në titull zotnia i arsimit. Më duket se nuk do të kem kundërshti. 19 ditë më parë Eqrem Shehu kishte festuar 78 vjetorin e lindjes. Me siguri 80 vjetori, do të shënonte një festë më vete. Tetë dekada jetë, nuk janë pak dhe shoqëruar veçanërisht me suksesese si të Eqrem Shehut. Ky kavajas erdhi dhe akomodohet në Durrës, si një durrsak i hershëm duke qenë nga kontributorët më të spikatur të arsimit.

10 vite kryeinspektor dhe 17 vite Shef i Arsimit në Durrës. 27 vite nuk janë pak, madje do të thoja shumë, për të qenë në krye të detyrave të vështira të arsimit, aq më shumë në një rreth të madh si Durrësi, ku përfshiheshin edhe Shijaku, Kavaja dhe Rrogozhina. Sipas Gani Krasniqit dhe jo vetëm, Eqrem Shehu është refermator i arsimit të Durrësit. Një i tillë më parë ka qenë edhe eruditi dhe i mirnjohuri Astrit Hoxha, i cili u nda nga ne, në fundin e muajit gusht 2021. Mbasi përfundoi studimet e larta në matematikë –fizikë, Eqremi që i ri i përkushtua me një pasion dhe zell të jashtëzakonshëm mësimdhënies. Drejtor shkolle në Golem dhe më pas në shkollën e mesme kombëtare sportive të mjeshtrisë sportive në Durrës. Për afro 30 vite drejtoi, duke e patur detyrë funksionale arsimin në Durrës, duke lënë përshtpyje nga më të mirat. Koha e arsimit të Eqrem Shehut, kujtohet dhe do të kujtohet sa vetë ky sektor në Durrës.

Studiues, referues, formulues tekstesh dhe librash me tema të ndyshme, specialist i mirfilltë i lëndës së tij, koleg i preferuar, kuadër nga ato që sido që të jetë nuk harrohen, një intelektual me shumë horizont, me kulturë të gjërë dhe gjithnjë në pasurim, kështu ishte në të gjallë të tij, miku ynë i shtrenjtë Eqrem Shehu.

Pasuri e Eqremit ishte djali Endrit dhe vajza Teuta, ku veçon bashkshortja e respektuar Hajria. Por mjalti i mjaltit mbetën për Eqremin tonë nipërit dhe mbesat. Lumturi më të madhe nuk mund të përjetonte kësisoj.

Pikëllimi për humbjen e Eqrem Shehut është shumë i madh. Prej vitesh ka kaluar peripeci me zemrën, por falë kurajos dhe një lloj optimizmi mbase të lindur, i mbijetoi vështirësive që krijonte kjo sëmundje stresuese. Por nuk mundi t’i shmanget “kurthit” që ngriti covid 19. Dhe prandaj quhet edhe fatkeqësi. Dhe prandaj edhe jemi të brengosur.

13 shtator 2021! Është dita e lamtumirës së Eqrem Shehut, por njëkohësisht është edhe dita e kujtesës dhe mos harresës së tij. Gjithnjë pranë nesh, Eqrem Shehu, miku ynë i paharruar, zotnia i thekur i arsimit në Durrës!

Durrës: 13 shtator 2021