Nga BUJAR QESJA

Tjetër lajm i dhimbshëm vjen nga qyteza e Fasanos në Bari. Nga 18 marsi i vitit 2022, nuk do ta kemi të gjallë Fatmir Shytajn. Është një emër i famshëm i sportit në Durrës. Iu kushtua kryesisht sportit të peshëngritjes. Dhe bëri histori. Në zanafillën e viteve 90-të, Fatmiri largohet nga Durrësi dhe shkon në Itali për mundësi më të mira. Por sa ishte në tokën e tij, bëri emër. Sportist i nivelit të lartë europian. Shtanga mbi shpatullat e tij, fiksoi disa herë rekorde kombëtare, duke e vendosur emrin në elitë të peshëngritjes ndërkombëtare.

Prej afro 10 vitesh, Fatmir Shytaj u prek nga paralizë në shtyllën kurrizore dhe zuri shtratin. Lëngoi gjatë dhe vështrimin nuk e zbehu nga Durrësi i tij. Një njeri i rregullt, i folshëm, me buzëqeshje të gdhendur në fytyrë. I ka dhënë shumë këtij qyteti. Katër vëllezërit Shytaj, Zyhniu, Fatmiri, Selamiu dhe Dashi u rritën të vetmuar dhe kaluan një fëmijëri të vështirë. Fatmiri ndoqi me sukses, studimet në Universitetin e Sporteve. Ishte pjesë i Kantjerit Detar, palcës së punëtorisë durrsake. Falë aftësive, raporteve mjaft të mira me njerëzit, krijimit të një pozicioni të preferuar në jetën qytetare, emërohet inspektor i sporteve të rënda në Klubin Sportiv “Lokomotiva”.

Fati kishte hobi në jetën e tij peshëngritjen, gjuetinë e peshkut me varkë dhe këngën. Kur këndonte Fatmir Shytaj, shikuesit mbanin frymën. Një zë i ëmbël, befasues kur mendoje se kishte lënë palestrën, duke u ndeshur me hekurat. Fatmir Shytaj peshëngritës. Fatmir Shytaj trajner i këtij sporti. Fatmir Shytaj rekordmen e kampion në peshën 67 kilogram. Fatmir Shytaj këngëtar. Fatmir Shytaj kuadër. Dhe gjithnjë mbeti i njëjti. Diskutonte me zjarr për peshëngritjen. E donte shumë atë. E takoja herë pas here, në palestrën e shtangës në stadiumin Niko Dovana. Më ftonte për të ndjekur ekipin dhe më njihtë me rezultatet inkurajuese që arrinin. Kujtoj që stërviste Besnik Psathën, Arben Kokomanin, Përparimin Mustafarin, Jani Llazon etj.

Por kulmin puna e tij shënoi, me nxjerrjen në pah të një talenti të rrallë, të një peshëngritësi gjigand dhe me vlera historike. Ky është Erlin Nikolla në peshën e rëndë. Dueli i tij në mesin e viteve 80-të, me mjeshtrin e njohur tiranas Mirjan Hakani, mbetet unikal dhe zor se mund të përsëritet. Pallatet e sporteve të mbushura plot si në Durrës, ashtu edhe në Tiranë. Duele të famshme dhe me fuqi rrezatuese në kujtesë. Shtanga kaloi mbi 200 kilogram dhe fitorja kalonte me gram nga njëri tek tjetri peshngritës. Dhe ishte ky Fat Shytaj, që i ngrinte peshë njerëzit, ashtu sikundër mbante në krah nga gëzimi i fitores djalin e tij Erlin Nikollën.

Në sport ai njohu dhe lidhi jetën me një basketbolliste energjike, Hanza Rrogozhinën. Një basketbolliste me shumë forcë, që luajti përkrah Aleksandra Kurtbegovit, Zhani Averikut, motrave Verteniku Zhylit dhe Shpresës, Engjellushe Arapit, Klaudia Dragonit, Donika Belliut etj. të drejtuar nga mjeshtri i koshit Niko Hercek. Familja e tyre u zgjerua me dy vajza Denada dhe Brunlida dhe më pas të djalit Bruden. Me ndryshimin e sistemeve politike në Shqipëri në vitin 1991, Fatmir Shytaj së bashku me familjen emigroi në shtetin fqinjë Italinë. Krahas viteve të akomodimit me jetën e re dhe rritjes së fëmijve, vijnë edhe kohët e vështira për Fatmir Shytajn.

Ngarkesat e jetës bënë të tyren. Krejt papritur ndjen dhëmbje në kolonë dhe paralizohet. Vite të rënda për familjen Shytaj dhe Hanza e shtrenjtë, që nuk i është ndarë të shoqit tërë kohën, sakrifikoi edhe në këto çaste të trishtueshme. Vuajtje, heqje, brenga dhe dhimbje të pafund. I palëvizur kaloi vite e vite duke lënguar, mjeshtri i sportit, një nga figurat pikante të peshëngritjes kombëtare, miku dhe shoku ynë Fatmir Shytaj. Fiziku dhe zemra e fortë si shkëmb, bënë që ai të mbijetonte për 10 vite kështu, derisa….

18 mars 2022. Nga Fasano, vjen lajmi i hidhur si farmak. Ndal frymëmarrjen i miri Fatmiri ynë. Djali zotni i Durrësit, ai që na ofroi pjesët më të arrira të jetës së tij, duke na lënë si kujtim dhe vlerë të çmuar, zërin joshës si një bunac deti dhe forcën e fizikut të tij të kthyer në vlera sportive.

Ngushëllime nga Durrësi ynë, për të qetësuar sadopak dhimbjen dhe therjen në shpirt, për ndarjen nga jeta të Fatmir Shytajt.

Durrës: 18 mars 20