Nga BUJAR QESJA
Nuk e kisha menduar, se në këtë të shtunë të 16 tetorit 2021, do të shkruaja për një atlet të njohur, për një sportist modest, por që i dha shumë këtij Durrësi. I dha me rininë e tij, me talentin e tij, me dashurinë për përfaqësimin me shumë përkushtim për fanelen, për ngjyrat e qytetit, për respektin ndaj sportëdashësve. Arsyeja që po e shkruaj këtë material është e thjeshtë në pamje të parë, por shumë e rëndësishme në argument të logjikës.
Teksa nxitoja, për të shkuar tek klinika e njohur e dokotoresh Klodi Spahiut, në afërsi të lokalit të berberëve të Tit Çopanit, janë vendosur disa afishe që lajmërojnë të larguarit nga jeta. Në një cep të kolonës së murit, shtang për një moment kur vështroj një emër. Një njoftim i thjeshtë dhe i vendosur poshtë të tjerave.
Lexoj: Hasan Korra, vjeç 81. Nisja për në varreza, bëhet nga morgu i spitalit të Durrësit.
Qëndroj për pak çaste dhe ripërsëris kushedi për të satën herë në mëndje, emrin Hasan Korra. Tashmë i larguar nga jeta dhe që i është dhënë edhe lamtumira e fundit. Nuk ishte e vështirë për të kuptuar, heshtjen për largimin nga jeta të një atleti të njohur, madje shumë të njohur. Jam i bindur se në jetën e tij shumë të thjeshtë, mund të mos i jenë dhënë shumë gjëra që i meritonte. Por heshtja e tanishme për lamtumirën e fundit, duket më e rëndë se vetë ikja.
Vendosa të mos e lija “vetëm” Hasan Korrën. Le të shërbenin shënimet e një gazetari, si pjesë e peligrinazhit që deomos i meriton Hasan Korra dhe gjithë ai brez, që me zell dhe pasion, pa kurrfarë shërblimi në shkëmbim të kësaj, u përpoqën dhe dhanë aq sa mundën. Dhe e dhanë fort mirë, fort bukur, që me djersën e tyre mbushnin trofetë jo të pakta që ka marrë “Lokomotiva” e Durrësit në maratonë, garat e thellësisë dhe të gjysmë thellësisë.
Fotoja e Hasan Korrës, vendosur në fund të kolonës të atij muri, që niste rrugica e vjetër e një zone të hershme të qytetit, më dukej se më shikonte, për të më thënë:
-Kështu do të më përcillni për në banesën e fundit, pas asnjë fjalë, në heshtje, në heshtje të plotë?!
Instiktivisht iu përgjigja dialogut të heshtjes:
-Jo Hasan Korra, jo! Dy fjalë në vënd të përcjelljes, janë fare pak për atë që bërë ti dhe shokët e t’u për sportin e Durrësit, për atletikën e Durrësit, duke i ushqyer traditën me vlera.
Përballë Muzeleumit të Dëshmorëve, zonë e njohur dhe pikë referuese e Durrësit, është një llustraxhi i vjetër. Është nga ciganët e qytetit, për të cilët ruaj respekt të jashtëzakonshëm. Janë shumë të urtë dhe kavaljerë. Janë me humor, por shumë të vuajtur. Këtij llustraxhiu i flas vazhdimisht, sa herë që më bie rruga andej. Quhet Shaban Ymeri. Është i datëlindjes 1935, pra 86 vjeç. Dhe punon, për të thyer pleqërinë e vështirë të një mbijetese delikate.
-Shabë, i thashë, çfarë kishte Hasan Korra?
-Ishte i sëmurë gazetar, ishte i sëmurë.
-Po pse nga morgu, kishte Covid?
-Jo, jo. Jetonte vetëm me djalin të pamartuar.
Hasan Korra 19 vjeç, është në ajkën e përfaqësimit të atletikës durrsake që në spartakiadën e parë kombëtare, zhvilluar në tetor të vitit 1959. Në një pamje shumë emocionale, ai është me numurin 768 dhe është vendosur krahas emave të njohur si Dilaver Cara, Idriz Çinari, Iliaz Elezi, Frederik Gjergo, Andrea Stasi, Nikolla Çeta, Andon Shkjezi, Luigj Aleksi, Zija Turku, Gani Dano, Vlash Dhima etj.
Atletika durrsake është me histori, është me tradita. Dhe njëri prej tyre që është në rrënjë të kësaj historie, në rrënjë të kësaj tradite është edhe Hasan Korra, i larguari ynë 81 vjeçar. Veçanërisht në vitet 60-të, 70-të, kemi një shpërthim të “Lokomotivës” së Durrësit, në fillimet e dominimit në garat e maratonës, të thellësisë dhe të gjysëm thellësisë. Emra të njohur, ku ndër ta renditet me shumë meritë, me shumë autoritet edhe Hasan Korra.
Dyshja Daut Falli dhe Hasan Korra, përbën atë binom të jashtëzakonshëm të maratonës durrsake, e cila ka të drejtën e krenarisë dhe të kryelartësisë. Ashtu si garat e çiklizmit, që finishin e realizonin jo rrallë në interval të pjesëve të një ndeshjeje futbollit edhe maratonistët, finalen e bënin nën breshërinë e duartrokitjeve. Dhe kurdoherë të parët vinin ata, maratonistët e “Lokomotivës” të përbërë veçanërisht nga dyshja e pathyeshme Hasan Korra dhe Daut Falli, e më pas shokët e tjerë të ekipit Idriz Kazazi, Skënder Hado etj.
Rrugëve të Durrësit, të periferisë së saj deri në Vorë, Kavajë e gjetkë, shikoheshin ata, vrapuesit e garave të gjata të “Lokomotivës”. Në shi, në të ftohtë, në temperatura të larta, ku djersa të dukej si ujvarë janë ata maratonistët durrsakë, ndër ta edhe Hasan Korra. Dhe krahas Hasanit, vlen të përmënden edhe Daut Falli, por edhe i famshmi Shefik Dervishi, e të tjerë si Idriz Kazazi që vinte nga Kavaja, Avdulla Cukali, Ferhat Dalipi, M. Musai, Alush Kazazi, Safet Kërtusha etj.
Nga më të vjetërit jeton “Trajneri Kombëtar”, ai që ka meritën e madhe të punës së kryer me atletikën në Durrës, 92 vjeçari Iliaz Elezi. Nuk e di është në dijeni apo jo Iliaz Elezi, që është ndarë nga jeta Hasan Korra. Po e ndihmoj atë me këtë shkrim. Po i ndihmoj edhe të tjerë, për të thyer sadopak heshtjen e madhe që shoqëroi largimin nga jeta, të atletit shumë të njohur durrsak Hasan Korra.
Ky shkrim që i shërben edhe lamtumirës së Hasan Korrës, le të ngacmoj edhe një dukuri që po kthehet në një praktikë jo të pranueshme. Nëse njerëz si Hasan Korra, nuk morën atë që meritonin në të gjallë të tyre, të paktën pak mirnjohje, pak respekt do të na bënte nder, për t’i përcjellë për në banesën e fundit. Ky është akt moral dhe qytetar. Është një akt i domosdoshëm civilizues, nëse nuk duam që të ulim kryet para dukurive të tilla.
Hasan Korra u largua nga jeta.
Le të shërbejë ky shkrim, për t’i dhënë mirnjohjen e munguar.