Nga BUJAR QESJA

Kohë delikate për t’u ndodhur panë njëri tjetrit. Kovidi, tërmeti, emigracioni, lëvizjet brenda vendit, na kanë humbur disi orjentimin. Kështu dhe në rastin e Kristo Nonit.

E kam njohur këtë njeri të mirë, kur rastisa të ponoj për 24 muaj në Ndërmarrjen Bujqësore të Sukhtit. Bashkimet Profesionale të Rrethit, më kishin caktuar të ndihmoja me kulturën, në njërën prej ekonomive bujqësore më të fuqishme në Shqipëri. Bëhet fjalë për vitet 1978-1980.

Shtat mesatar, energjik, me kulturë komunikimi, ky Kristo Noni më bëri për vete. Në Sukth jo vetëm kur u ndodha , por edhe tërë këtë kohë Kristo Nonin e bëra mik të çmuar. Por nuk isha i vetëm. E cili nuk donte dhe preferonte të ishte shok, mik dhe koleg pune me njerëz të prerjes së Kristo Nonit? E shikoja gjithnjë të ecte me hap të nxituar, pasi kërkonte të ishte korrekt jo vetëm me nxënësit, mësuesit, por edhe në kryerjen e të gjitha detyrimeve zyrtare dhe shoqërore që nuk kishte pak.

Lindur me 1 maj 1945 në fshatin Shën Vlash, aty ku është edhe kisha e famshme me të njëjtin emër, Zoti e bekoi për të bërë në jetë punë të mbara. Dhe i tillë ishte dhe mbeti deri në fund, njerëzori dhe i mënçuri ynë Kristo Noni.
Kishte dëshirë të ushtronte profesionin e bekuar të mësuesit. Në Berat mbaroi shkollën e mesme pedagogjike. Dhe pa u ndalur, rriti shkallën e akomulimit kulturor dhe profesional në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, në degën e gjuhë-letërsisë.

Ndërkohë familja e Kristos, ishte vendosur në Ndërmarrjen Bujqësore të Sukthit, që i ngjante një qyteze të organizuar. Përkushtimi dhe aftësitë e Kristos, u çfaqën menjëherë.

Falë tyre emërohet drejtor i shkollës 8 -të vjeçare në sektorin Hamallaj dhe më pas në shkollën e këtij cikli në Xhafzotaj. Kristo nuk i shmangej vështirësive. Në të shumtën e kohës ecte në këmbë. Jo rrallë rrugën e bënte edhe me kolegë, e nxënës të shkollave ku punonte. Ishte i xhveshur nga zyrtarizmat.

Opinionet për të i kalonin parashikimet. Thonin se ishte jo vetëm i aftë, por i barabartë me vartësit dhe si prind me fëmijët. Emri i tij filloi të lakohej për të mirë, në të gjithë zonën e Sukthit.
Duke manifestuar cilësi publike dhe komunikuese me njerëzit, caktohet të drejtojë klasën punëtore të NB Sukthit.

Lodhje, ngarkesë, angazhime kolosale, duke i rënë kryq e tërthor sektorëve të NB Sukthit nga Xhafzotaj tek serat, nga sektori perimore në Qendër, nga Rrushkulli, Kullë në Hamallaj.
Pranë bujkut dhe blektorit, pranë mekanikut dhe mekanazatorit, në fushë dhe në lëmë ku korrej dhe shirej gruri, në serat gjigande në Rreth, e kudo shikohej tek qendronte pranë punëtorëve, ky njeri i shtruar dhe që nuk kërkoi qoftë edhe një privilegj të vetëm.

Pas 90-tës, angazhimet e suksesëshme e kishin bërë me shumë emër Kristo Nonin.
Bashkia e Durrësit, e emëron si sekretar i Njësisë Administrative Numër 1, ku i vendosi të tjera pluse biografisë së pasur të punës. Kryetari i kësaj njësie Roland Çobanaj, nuk i kursen fjalët e mira për Kriston. Veçanërisht në marrdhëniet me publikun shkëlqente. Kur erdhi në Durrës, megjithëse rrallë takohesha me Kriston, kujtonim kohën kur bashkëpunonim, por mërziteshim kur biseda fokusohej tek tranzicioni i vështirë shqiptar.

Pasi doli në pension, u largua nga Durrësi dhe u vendeos në Padova të Italisë, atje ku kishte edhe vajzat. Kristo ndërtoi një familje të lumtur, ku fati e lidhi me zonjën e nderuar Meremen, mësuese në shkollën “Jusuf Puka”. Familja e këtij intelektuali dhe kuadri të njohur, u shtua me tre vajza të cilat perspektivën e daljes në jetë e përcaktuan nga universitetet e njohura të Italisë. Manjola është mjeke, Elona ekonomiste dhe Stela juriste.

Familja e Kristo Nonit në Padova, ishte mburrja shqiptare në tokë të huaj. Ashtu siç u edukua dhe u përshtat në jetë me kulturën e mësimit dhe të punës, ashtu edhe e drejtoi familjen e tij si baba, bashkëshort dhe gjysh i përmalluar.

Mbaj mënd që nuk ankohesh, ndonëse e dija që kalonte vështirësi për t’iu përshtatur tranzicionit dhe të mirrritjes së fëmijve. I kujtoj pamjen optimiste dhe kurajon për t’u përballur. Jo vetëm nuk i lexoje hallet, por vështirësitë e tua përpiqej për t’i zbutur dhe të kurajonte.

Lajmet nga Padova vijnë të trishta. Para tri javësh, Kristo Noni goditet nga hemoragjia cerebrale. Përpjekje maksimale të mjekësisë italiane, për ta mbajtur me frymë mikun dhe shokun tonë të hershëm, emrin e njohur në Durrës dhe jo vetëm Kristo Noni. Por fatkeqësia nuk u ndal.

Me 14 dhjetor 2022, Kristo u nda nga jeta, u nda nga tre vajzat si yje, u nda nga gruaja e hekurt që i qendroi pranë Meremja, u nda nga miqtë, shokët, të afërmit, kolegët dhe bashkëpunëtorët, duke i lënë në pikëllim.
Me 20 dhjetor 2022, arkivoli me trupin e Kristo Nonit vjen nga Italia në Durrësin e tij që e deshi aq shumë. Një prehje të paqme në dheun e tokës mëmë!

Do ta kujtojmë Kristo Nonin, për ato gjëra të vlefshme që i manifestoi në jetë. Do ta kujtojmë, për mesazhet që transmetonte. Do ta kujtojmë, si njeri aq të dashur dhe aktiv.
Dheu i lehtë shoku ynë i paharruar Kristo Noni!
Durrës: 17 dhjetor 2022