Nga Nikolla Sudar
Ndarja nga jeta është momenti më i hidhur në jetën e njeriut, por… i pashmangshëm. Ajo na trondit të gjithëve, na trishton pa masë dhe shpesh herë ngushëllimet e farefisit, të miqve dhe e dashamirëve vetëm përkohësisht qetësojnë shpirtin e cfilitur nga dhimbja. Por ja që fundi është i paevitueshëm për të gjithë, ndonëse… asnjëherë nuk do të pajtohemi me të.
Një lajm drithërues na erdhi dje, me datën 27 qershor 2022, nga Durrësi: u nda nga jeta një edukator i rrallë, një mik i mirë, një njeri i vërtetë, NIKO DEDA, prandaj tronditja na pushtoi të gjithëve. Dhe arsyet janë të shumta, mbresëlënëse, të spikatura dhe të paharruara.
Cili ishte Niko Deda?
Në Shijak, jo larg qendrës së qytetit, ndodhet një shtëpi e bukur (tashmë e restauruar), me plot mbresa e me vlera historike dhe shoqërore. Aty u vendos në vitin 1936, për të dhënë kontributin e vet mjeku i shquar, humanisti i mrekullueshëm dhe i paharruar, njeriu të cilit i madh edhe i vogël në Shijak I detyrohen përjetësisht, Dr. Koço Deda. Sa herë e kujtoj këtë emër, më del para syve figura fisnike gjithmonë e qeshur e “shëruesit të vegjëlisë”, siç do ta quante populli i Shijakut.
Djaloshi Koço Deda, nga fshati Bual i Përmetit, pasi kreu me sakrifica të mëdha , por me medalje ari gjimnazin e famshëm “Zosimea” të Janinës. ashtu si edhe mjaft bashkatdhetarë të shquar të tij, do ta meritonte medaljen e dyte te arte, por tashmë në fakutetin e Mjekësisë në Athinë. Atje i afruan katedrën e Patologjisë, por ky atdhetar i shkëlqyer u kthye në atdhe për t’i shërbyer popullit të vet. Rrallë mund të gjendet një familje e vërtetë antifashiste që me aq vendosmëri të gjithë pjesëtarët e saj do të vinin gjithçka për interesat e atdheut. Zonja Anthi, e shoqja e doktorit, kjo intelektuale e vërtetë, që njihte në mënyrë të përsosur greqishten, italishten dhe frëngjishten flaku me neveri këmishën e organizatës “La donna faschista”; vajzat e familjes, Leonora dhe Violeta ishin ndër të parat që e filluan veprimtarinë antifashiste që në vitin 1942, ndërsa më e vogla, Aleksandra, në atë të pionierëve. Duke rrezikuar gjithçka, doktori patriot Koço Deda e ktheu shtëpinë në një spital ilegal partizan.
Në këtë mjedis, sa atdhetar aq edhe të kulturuar, do të lindte, më 1935 dhe do të edukohej, i djali i vetëm i familjes, Niko Deda. Moshatarët e mbajnë mend djaloshin e shkathtë dhe të thjeshtë, i cili çdo ditë nisej herët në mëngjes me mjete të rastit dhe drejtohej për në Durrës, që të ndiqte gjimnazin, të cilin e kreu me rezultate të larta, në vitin 1954.
Mbase familjarët e tij do të dëshironin që ky djalosh shembullor dhe i talentuar të ndiqte studimet për mjekësi, por ja që ai ndoqi një rrugë tjetër, po aq humaniste sa edhe ajo e babait, atë të edukatorit të brezit të ri. Tashmë Nikon do ta gjejmë në fakultetin e matematikë-fizikës, në këtë degë që jo pak nga maturantët e anashkalonin për vështirësitë e saj. Përsëri si edhe në gjimnaz do të shkëlqente studenti Niko Deda. Tek ai do të spikasnin edhe dhunti të tjera e të shumta. Në pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”, në Tiranë disa ditë në jave do ta gjeje atë, duke mësuar instrumentin e fizarmonikës, me mjeshtrin e madh, Agim Prodani. Ai ishte nga të paktët në atë periudhë të shekulllit të kaluar që, krahas diplomës së fakultetit, do të merrte edhe diplomën e instrumentistit pasionant. Kjo arritje do t’i shërbente shumë në jetë, pa harruar edhe pasionin e madh për futbollin. Për një farë kohe ai do të bënte pjesë një njëmbëdhjetëshen e suksesshme të “Erzenit” famëmadh, si lojtar virtuoz.
Ishte mesi i dhjetëvjeçarit 50-60, të shekullit të kaluar, kur ai do të njiihej me studenten elegante dhe të shkathtë, Betariçen, me të cilën do të lidhte përfundimisht jetën.
Në vitin 1958, Niko Deda përfundon fakultetin matematikë-fizikë dhe caktohet në gjimnazin e Lushnjës. Tashmë ai do të shkëlqente në rolin e pedagogut me horizont të gjërë dhe shumë komunikues me masën e nxënësve. Krahas punës në shkollë, ai do të bëhej pjesëtar i estradës së Lushnjës, ku do të debutonte me shumë sukses ikona e muzikës shqiptare, Vaçe Zela. Edhe sot në Lushnjë e kujtojnë me nostalgji dhe respekt të thellë pedagogun e dashur të matematikës, drejtuesin e grupit artistik të gjimnazit dhe muzikantin e shquar të estradës, Niko Dedën si edhe të shoqen intelektualen e përgatitur, mësuesen e përsosur të gjuhës ruse, të paharruarën Beatriçe Deda.
Pas disa vjetësh bashkë me të shoqen transferohen në gjimnazin “16 Shtatori” të Shijakut, por tashmë Nikoja do të kryente detyrën, sa fisnike, aq edhe me përgjegjësi, atë të drejtorit. Si asnjëherë më parë do të merrnin një hov të paparë edhe aktivitetet artistike të shkollës dhe të qytetit. Më kujtohet sesi në ato vite në gjimnaz ai ngriti një nga orkestrat më të mira në të gjithë rrethin, e përbërë nga mësuesi i talentuar Shpëtim Myshketa me klarinetë, unë dhe Rifat Malltezi me fizarmonikë dhe mësuesi Shefqet Demiri me violinë.
Përveç këtij angazhimi të madh në shkollë, Niko Deda do të bëhej njëri nga drejtuesit më të mirë artistik që ka njohur ndonjëherë Shijaku. Kjo është arsyeja që, jo vetëm qyteti, por edhe kooperativa bujqësore e asaj kohe, radhitej ndër më të mirat në të gjithë vendin për programet argëtuese amatore. Niko Deda si rrallëkush dha kontributin e vet në kompozimin e këngëve, mbështetur më taditën vendase.
Një pasion tepër i madh për intelektualin e nderuar Niko Deda do të mbetej krijimtaria letrare, sidomos në drejtim të romaneve fantastiko-shkencorë. Njohës i mirë i gjuhëve rusishte, italishte dhe anglishte, ai ishte gjithmonë ishte në korent të arritjeve shkencore të kohës. Prandaj mirëpriteshin shkrimet e tij edhe në organe të tilla si “Pionieri”, “Horizonti” dhe “Shkenca dhe jeta”. Në veprimtarinën e tij shumëvjeçare përfshihet një numër i konsiderueshëm veprash letrare me temë fantastiko-shkencore. Ndër ta mund të përmendim të tillë si, “Letër nga hëna”, “Gjyqi i Arkimedit”, “Olti do të bëhet natyralist”, etj. etj.
Për vite me radhë ai ka kryer me shumë sukses detyrën e inspektorit të kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Durrës.
NIkoja dhe Beatriçja rritën dhe edukuan më së miri dy fëmijët e tyre, Almën, pedagogen e shquar të elektronikës, që jep mësim në disa universitete të vendit si edhe Kostandinin (Ninon), i cili, pasi kreun Universitetin e arteve për kompozim, sot është bërë muzikant i dëgjuar në Gjermani.
Ndarja nga jeta para kohe e së shoqes, Beatriçes, e kësaj drejtueseje të aftë shkolle dhe veprimtareje të palodhur të organziatës së gruas, e rënduan pa masë gjendjen shpirtërore të Nikos. Kësaj situate iu shtua edhe një operacioni i vështirë i prostatës, që do ta izolonin nga jeta e dikurshme plot vrull e tij. Sëmundja do të rëndohej nga dita në ditë, derisa më në fund do ta shkëpuste nga jeta, nga njerëzit më të dashur, nga miqtë dhe shokët.
Të rrojmë e ta kujtojmë këtë edukator të rrallë, këtë njeri të vërtetë, që do të mbetet simbol i thjeshtësisë dhe i fisnikërisë.





