Nga Dash HOXHA e Gëzim KABASHI
Valentin Rijbin ka jetuar në Durrës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
Thuajse të gjithë e thirrën “Maestro”, një titull që ai e meritonte plotësisht; dikush preferonte ta quante “Rusi i bardhë”; ndërsa disa të tjerë e quajtën thjesht “Rubin” si guri i çmuar, në një qytet, i cili kishte filluar të shijonte muzikën moderne të kohës.
Ky shkrim për të përkujtuar artistin e mrekullueshëm ka më shumë se dy autorë; ai është plotësuar nga kujtimet e shumë muzkantëve dhe qytetarëve durrsakë, për të cilët homazhi për njeriun fisnik dhe muzikantin brilant me kalimin e viteve është kthyer në një detyrim.
“Ishte muzikant brilant. Babai im, Xhepi, që ka punuar si pianist në kompleksin e Hotelit “Vollga” shprehej se pranë tij nuk kishte dëgjuar instrumentist më të mirë se sa Valentini – thotë Linda Zëmblaku, mësuese e pianos, e cila ka ruajtur edhe një foto të viteve 1960.
Nora dhe Koç Driza mbajnë mend se e kanë njohur në Liceun Artistik të Tiranës, rreth vitit 1954, kur vetë ata ishin nxënës. “U hap fjala se kishte ardhur si mësues një instrumentist i jashtëzakonshëm – kujton Nora, e cila ka kontribuar për disa dhjetëvjeçarë si violiniste në Orkestrën e Operas.
“Mjaft elegant në lëvizje dhe interpretim – është përshkrimi i Dash Hoxhës, i cili e kishte idhull maestron e saksofonit. Kam qenë fëmijë, kur mora mësimet e para prej tij – thotë instrumentisti i mirënjohur.
Në vitet 1950-1960 Rijbini drejtoi në pallatin e kulturës së Durrësit kurset e të rinjve që mësonin instrumentet e oboes e violës dhe përgatiti mjaft djem të zot. Kur po I drejtohej të 70-tave dhe interpretimi në saksofon po i vështirësohej mësoi të luajë në violë edhe si pjesëtar në orkestrën sinfonike, ndërsa violinën duket se e njihte shumë herët.
Ermir Dizdari, dirigjent i orkestrës së qytetit që nga viti 1966, kujton kontributin e Valentinit në orkestër, si dhe përgatitjen e partiturave të violave për operan “Bijtë e Skenderbeut”. Për herë të parë, dy violinistë u kthyen në violistë dhe të gjithë partiturat e tyre u përgatitën nga “Maestro” – thotë dirigjenti.
Valentin Rijbin në “Gjysëm shekulli muzikë”
I vetmi që ka sjellë të dhëna të shkruara për “Maestron” është muzikologu Spiro Kalemi në librin e tij me mbresa e kujtime “1945-1995 Gjysëm shekulli muzikë” (2010 Enti botues “Gjergj Fishta”).
Kalemi kujton se në vitin 1960 e ka mësuar saksofonin “.. me nxitjen e Valentin Rijbin-it (klarinetisti dhe saksofonisti rus i kompleksit instrumental)”.
Bëhet fjalë për orkestrinën e Hotel “Adriatikut” në plazhin e Durrësit, qytetit që në atë periudhë kishte krijuar disa grupe të mira kompleksesh instrumentale.
Drejtimi i grupit i qe besuar Valentinit, i cili zgjidhte dhe përcaktonte repertorin, udhëhiqte proçesin e përgatitjes dhe ekzekutimin e pjesëve, duke interpretuar edhe në rolin e solistit – shkruan më tej muzikologu Kalemi.
Po kush ishte ky njeri? Nga kishte ardhur dhe përse kishte përfunduar në Shqipëri.
E vështirë përgjigja me të dhënat kontradiktore që japin edhe bashkëkohësit gjithnjë e më të pakët të tij.
Tashmë gjithçka bëhet si një rebus puzzle, që duhet mbushur me teserinat e vogla shumëngjyrëshe.
Spiro Kalemi shkruan se “maestro” e kishte mësuar instrumentin në Vladivostokun e largët, në vitet e pasrevolucionit rus të vitit 1917.
Valentin Rijbin, “rusi i bardhë”, si shumë qytetarë të rrezikuar nga pasojat e revolucionit ishte strehuar në “portin e lirë” të pjesës lindore të Rusisë, ku edhe mundësia për të ikur ishte më e madhe.
Instrumentisti Ilir Dedja, që sjell kujtimet me disa foto nga i jati, Rifati, bashkëkohës fizarmoniçist thotë se, Maestro kishte ndjekur studime muzikore edhe në Shangai pas vitit 1922, madje pjesërisht edhe në Sarajevë.
I konsideruar në vendlindje si “rus i bardhë” e i padëshëruar, Valentini i ri e sheh veten në ish-Jugosllavi, ku në përbërje të një orkestrine muzikore “shëtit” në vitet ’40 lokalet në të gjithë bregdetin dalmat Kroaci-Bosnje.
Jeta e “Maestros” fillon të ketë pamjen e një udhëtimi pa mbarim.
Në “stacionin e Tivarit (Mali i Zi)” ku ndodhej në vitin 1948, viti i prishjes ideologjike mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, Valentin Rijbini, bëhet përsëri I padëshërueshem.
Ai gjen si vendqëndrimi kufitar Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.
Autori Spiro Kalemi, të cilin kolegët muzikantë e thërrisnin “Rikuçi”, ka punuar për afro dy vite së bashku me Valentinin. Ai shkruan në librin e tij se Maestro “.. qe mësues i klarinetës në Liceun Artistik (Tiranë) dhe me se me krijimin e Filarmonisë zuri vend në orkestrën e parë profesioniste shqiptare”.
Valentin Rijbini nuk kishte asnjë vështirësi në orkestrën me instrumentistë thuajse autodidaktë dhe përpinte “a prima vista” çdo partiturë. Rastiste që gjatë kohës së provave ngrihej papritur dhe dilte jashtë për të pirë cigaree, ose nuk pranonte të lunate në prova pjesët e tij solo për klarinetë.
Sipas dëshmisë së muzikologut Spiro Kalemi, “kështu ndodhi edhe në përgatitjet për vënien në skenë të baletit rus “Shatërvani I Bahçesarajit”.
Rijbini pjesët solo nuk i interpretoi asnjëherë në prova, duke e trembur kështu dirigjentin Mustafa Krantja. Ai i luajti partin e plotw vetëm në ditën e provës së përgjithshme, gjatë ekzekutimit të plotë të veprës në skenë”.
Durrsakët e kujtojnë Maestro Valentinin, atëherë kur ai erdhi në Durrës nga Tirana dhe u atashua në orkestrinën e hotel dhe lulishtes “Vollga”, ku gjeti instrumentistët e përhershëm Rifat Dedja dhe Rexhep Zëmblaku, por edhe Hamit Carën, e më pas edhe Gjon Simonin, me të cilët interpretoi përkrah në orkestrën e Plazhit.
Në formacionet orkestrale të qytetit bregdetar
Interpretimet e kompleksit instrumental dhe veçmas ato të mjeshtrit Valentin i bënë të mrekullueshme edhe mbrëmjet në pistën e hotelit “Adriatik”, i cili u ndërtua në fundin e viteve 1950.
“Ishte e këndëshme të punoje në hotel “Adriatik” – kujton Spiro Kalemi, i cili veç saksofonit interpretonte edhe në violonçel.
Pista e hapur mbushej me turistë, kryesisht nga vendet e Evropës Lindore dhe “pjesët nga muzika e lehtë gjermane, çeke dhe ruse, këmbeheshin herë pas here nga motivet polake, italiane e franceze, si dhe me të paktat ekzistuese shqiptare”.
Mjedisi, atmosfera e deti pranë, prania e të huajve, muzika që luanim, -shkruan muzikologe – e bënin atë vend një lloj oazi të shkëputur nga realiteti.
Valentin Rijbini I jepte muzikës së kompleksit harenë, por edhe trishtimin e vendeve nga vinte. “Me saksofonin e tij ai vihej në rolin e solistit dhe lunate me kadenca virtuoze” – kujton autori I librit.
Po si jetonte Valentin Rijbini, si ishte sistemuar në Durrës, qytetin ku jetoi për gati 30 vjet?
Koç Driza që ka hyrë njëherë në dhomën ku shteti e kishte vendosur me dy familje të tjera, në një ish-hotel në Durrës, kujton: “Mua mu duk se i ngjante kthinës ku mbajnë zakonisht kovat dhe fshesat pastruesit në një institucion’.
Maestro nuk ankohej kurrë.
Kur punonte në orkestrinën e Estradës, erdhi në prova pa pallto. Ishte ftohët dhe të gjithë filluan të mallkojnë vjedhësin, por Valentini nuk e kishte prishur terezinë: “Mos shani, ai I shkreti ka pasur më shumë nevojë se unë” – e mbylli Maestro debatin që u hap në orkestër.
“Shumë fisnik si natyrë, erdhi një ditë në në oborrin e shkollës me një tufë libra mësimorë për violinën – tregon Vladimir Caku, në atë kohë mësues i ri në shkollën e muzikës.
“Me shumë mirësjellje më pyeti nëse i duheshin shkollës ato tekste. I vendosur i thashë: Duhen!
Nuk ishte e vështirë të kuptoje se nuk kishte asnjë lek në xhep, por nuk ia lejonte vehtes kurrë të kërkonte – kujton mësuesi në pension.
“Maestro” punonte si instrumentist në hotel “Vollga”, kur një telash tjetër, por jo i fundit iu krijua, atëhere bolshevikët kur e larguan nga vendlindja si “rus i bardhë”, ndërsa tani në Duurrës po etiketohej si prosovjetik. Ishte fillimi i viteve ’60, kur dashuria ideologjike e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik po këmbehej me atë të “vëllezërve kinezë”.
Një batutë naïve mbi “revizionizmin kinez” i kushtoi Mjeshtrit Valentin vendin e punës.
“Në fillim nuk e kuptova kur më thirrën të zëvëndësoj “Maestron” në orkestrën e “Vollgës” – tregon Dash Hoxha, i cili në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç dhe e adhuronte “rusin e bardhë”. Notat e tij unë i dëgjoja që në fillim të bulevardit dhe i shijoja në çdo hap. Muzika e tij edhe sot më duket hyjnore – thotë Dashi.
Jeta e Rubinit vështirësohet. Ishte gati 70 vjeç kur e çojnë të përgatisë arkat në ndërmarrjen e cigareve të Durrësit. Admiruesit e tij e angazhojnë në ansamblin e ndërmarrjes, ku punon me të njejtin seriozitet.
Valentin Rijbin i donte shqiptarët, e veçanërisht bashkëqyetarët e tij durrsakë.
Kur shteti i ndërpreu lidhjet me Bashkimin Sovjetik, atij iu propozua të kthehej në atdhe, po nuk pranoi.
Ashtu siç nuk e ndërroi asnjëherë pasaportën e tij ruse me letërnjoftimin shqiptar – sjell një tjetër informacion Spiro Kalemi.
Në mesin e viteve 1970 shëndeti i tij rëndohet. Në spital e shoqëron një nga kolegët e grupit muzikor të plazhit: kompozitori Gjon Simoni.
Në Sanatoriumin e Tiranës ku shtrohet herë pas herë, për shkak të problemeve shëndetsore në mushkëri, ai le vetëm adresën e një njeriu, kolegut më të ri Shaqir Kodra: muzikanti fatkeq durrsak, që iu përkushtua interpretimit në trompë, dirigjim dhe kompozicion me mjaft sukses.
Askush nuk di të thotë për ditët e fundit të Maestros Valentin Rubin në spitalin që ndodhej në periferi të kryeqytetit shqiptar.
Madje, askush nga ata që janë ende në jetë nuk di të thotë se ku pushon trupi I tij.
“Një studente e fakultetit të mjeksisë tregoi në qytet se gjatë praktikave mësimore në Sanatorium, kishte njohur kufomëm e Mjeshtrit Rubin, që po shfrytëzohej si kadavër për leksionet e studentëve” – kujton me trishtim mësuesja Linda Zëmblaku.
Epilog
“Në vitin 1962 u mblodhëm në hotel “Vollga” për të festuar 60-vjetorin e Maestros sonë, Valentin Rijbinit – shkruan muzikologu Spiro Kalemi.
“Ashtu si më parë, u mblodhëm unë, Gjoni, Rifati e Hamiti, dhe luajtëm pjesët e preferuara të repertorit tonë të hershëm. Qe një mbrëmje e bukur për të gjithë ata që morrën pjesë”.
“Veçanërisht emocionuese ajo mbrëmje qe për Valentin Rijbinin, i cili festime të tilla i kishte patur shumë të rralla. Do të ishte rasti i fundit për të dhe për ne, të luanim të gjithë të bashkuar – mbyll Spiro Kalemi kujtimet e tij.
Viti 2022 për Maestron Valentin Rijbin, përkon me 120 – vjetorin e tij të lindjes.
Instrumentisti Dashnor Hoxha po përgatit një koncert dhe së bashku me tre kolegët e tij saksofonistë, do ti dedikojnë një nga pjesët e kuartetit pikërisht artistit të shquar që erdhi nga larg dhe iku shumë më larg.
Ky Homazh i njerëzve, muzikantë dhe bashkëqytetarë, që e kujtojnë dhe respektojnë Maestron Valentin Rijbin, si dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm, merr kështu një kuptim edhe më njerëzor.