Nga BUJAR QESJA

Vonë në mbrëmje, para se ora të kalonte në ditën e sotme të 5 gushtit 2022, në duart e gruas Sanije, të djalit Albert, të nuses Nadi dhe të dy nipërve, dha frymën e fundit një burrrë zotni, një i thekur i karakterit dhe i atij nderi dhe sinqeriteti aq shumë të lakmuar, sidomos në kohën e sotme Merko Bozhanaj.

E kam takuar disa herë këtë karakterformuar dhe në të shumtën e rasteve për lot. Pas 9 majit të vitit 2017, sytë e tij kurdoherë mbeten të njoma, të qullura sikur të notonin në ujë. Dhe tash që e kemi humbur, sytë e tij nuk mund të thahen. Dhe ashtu do të mbesin. Edhe foton e fundit, sytë vazhdojnë të jenë plot lëng.

Sot në mëngjes herët, kortezhi i përmortshëm shoqëruar nga një grup të afërmish dhe miqsh, është nisur në fshatin e njohur Dukat, në qarkun e Vlorës. Merko Bozhanaj, e pa për herë të parë dritën e diellit me 7 shtator 1941 dhe e mbuloi gjumi i përjetshëm me 4 gusht 2022. Frymëmarrja e tij u ndal pas 81 vitesh, por që nga 9 maji i vitit 2017, nuk jetoi por përjetoi një humbje fatale. Djali i djalit, Besar Bozhani, e ndali jetën si pasojë e një aksidenti fatal, organizuar nga dy të huaj pjestarë të TAP-it, në një garë konkurence shpejtësie. Dhe prej asaj dite sytë e Merko Bozhanajt u mbushën nga ujët e lotit, që u kthyen në një rezervuar gjigand të pashterur.

Dhe u thurën vargjet:

A do rroj të shkruaj më,

Dhe në mos rrofsha ska gjë.

Do t`u dal në ëndërr,

T`u them që jam me të.

Mbaroi të ultën në Dukat, të mesmen në Vlorë dhe të lartën për matematikë fizikë në Tiranë. Pas universitetit rikthehet në Dukat të jap mësim dhe për katër vjet, të jetë edhe drejtori i shkollës së këtij fshati që i fali burrërinë, ndershmërinë, sinqeritetin, mosgënjeshtrën dhe forcën e fjalës dhe të mendimit.

Kjo lloj natyre e Merko Bozhanajt, i duhej vëndit për tjetër punë. U vesh ushtarak, madje me një sivi për t’u vlerësuar dhe nuk i shkonte mëndja për karrierë, por vetëm për të shërbyer.

Më thonte:

-Nuk mund ti shesësh interesat e Atdheut tënd për pasuri, por vetëm për ti shërbyer, për ti dhënë.

Dhe mbeti deri në fund ky Merko Bozhanaj, i pasur në shpirt dhe i varfër në katani. Zoti i dha një djalë të mirë dhe të bukur si vetë natyra, një grua të fisme dhe tre nipër si drita. E shoqja Sanija, i qëlloi burrneshë si vetë burrëria e tij dhe erdhën këto dukatas në Durrës. Dhe ky qyteti ynë ia pa hajrin këtij fisi me emër, pasi kishte nevojë për besën e tyre, për nderin e tyre, për besnikërinë e tyre, për mënçurinë e tyre e gjithçka tjetër të mirë të tyre.

Kur takohesha me këtë Merkon zotëri të rrallë, nuk doja të shkëputesha nga bisedat me të. Mësoja shumë. Më dukej se bëhesha më i fortë dhe më i bindur në punët e mia. Merko Bozhanaj nuk e njihte të kthyerin mbrapsht.

-Frikacakët dhe të pamësuarit kthehen pas, nuk bëjnë para, më përsëriste hera heras ky dukatës bujar dhe më shumë se i mirë.

Festë në familjen e Merkos, kur lindi nipi i parë. Ishte një ditë e bukur, ku natyra kishte hedhur tërë ngjyrat e saj të zgjedhura. E quajtën Besar, besë e artë i një dukatasi të florinjtë, që gjithë kohën u mblodh me nderin e tij dhe nuk e tjetërsoi. Një djalë i hijshëm, që kur kalonte tundej dheu dhe të gjithë e shikonin me kërshëri.

Jeta e Bozhanajve në Durrës po qendisej me punën e Merkos, të Sanijes dhe Nadit, të Bertit dhe të Besar-it. Era e Adriatikut, përzihej dhe vëllazërohej me aromën e freskët që vinte nga malet mbi Dukat dhe kjo krijonte klimën më joshëse që rrethonte Bozhanajt e Durrësit tashmë.

Por ja 9 maji i vitit 2017, maji i luleve dhe i bukurisë, maji i ngjyrave të pranverës, solli mort tek Bozhanajt.

-Na e vranë djalin, na e vranë! Eh kjo zemër nuk mund të rrahë më! Është e kotë të nis mëngjezin dhe të pres mbrëmjen. Tashmë kjo jetë, nuk vlen për mua.

Sprovë për të gjithë ikja e Besarit, por për Merkon ishte fundi vetë.

Më mori një ditë në telefon, ky babai i Bertit, shokut dhe mikut tonë të përditshëm dhe kërkoi vendndodhjen time. Të pres, i thashë.

Sa të hapësh dhe mbyllësh sytë, ja behu në “kasollen” time buzë rrugës.

-Po të sjell librin që bëra për Besarin. Tani gdhihem dhe flej me të. Qaj me të. Qesh me të. Bisedoj me të. Tani jemi dy dhe jo një.

Dhe lexova shpejt disa nga mijrat e vargjeve:

Kush e pa e nuk u prek,

Bërtitën c’është ky qamet.

Në qiell u çanë retë,

U drodhën dallgët në det.

Kur dëgjuan tragjedinë,

Gjithë vëndi përhapi zinë.

U thanë lulet në lëndinë,

Krojet shteruan burim’,

Zogjtë ndalën cicërim’

Pyje, male oshëtinë……….

Lotët e tij m’u dukën si dallgë deti dhe arritën të lagin edhe shpirtin tim.

-Bëj durim o Merko Bozhanaj. Dhimbja e madhe është në trup të fortë. Kështu Besari bëhet më i palarguar.

U largua nga marshi i dhimbjes dhe humbi nga vështrimi im i mugëtyer. Berti po më thonte paradisa ditësh, që Merkua është shumë sëmurë. Nuk mendon se po soset, sesa lexon padurimin e tij:

-Më prit Besar djalë, gjaku i gjakut tim. Nuk vonoj, e do të më kesh pranë. Tani do të jetoj me mosvetminë tënde. Erdhi gjyshi, erdhi. Prit dhe pak.

Dhe do të vinte, e enjtja e 4 gushtit 2022 kur njoftohemi se Merko Bozhanaj e ndali shikimin. Mushkëritë e tij e kanë ndërprerë punën. Zemra ka pushuar. Ritmi i saj nuk dëgjohet, është fikur. Frymëmarrja nuk rinis. Merko nuk jeton. Zi tek Bozhanajt, por edhe ne e ndjejmë. Iku Merko i mirë, Merko shembulli i burrërisë dhe i kurajos.

Kortezhi me dukatas dhe durrsakë, miq të dukatasve, është nisur drejt Dukatit. Në makinën e mortit, është arkivoli me trupin e pajetë të Merko Bozhanajt. Rruga është e gjatë aq sa të mos ndalen kujtimet, mbresat dhe bisedat për këtë burrë lis të fortë, një shembull i asaj që duhet bërë. Pasi të kërkohet varri i Besar-it, vetëm atëhere mendohet lehtë se ku do të strehohet përjetësisht edhe Merko ynë.

Në kthim kortezhi do të kthehet, por pa Merkon. Ia falëm sërish Dukatit, këtij fshati me emër dhe histori. Ia morëm Merkon “borxh` në Durrës dhe ia kthyem Dukatit për të mos e marrë më kurrë. Dhe në pllakën e ftohtë të varrit do të shënohet:

Këtu pushon Merko Bozhanaj. Lindi në Dukat me 7 shtator 1941 dhe e përfundoi minutën e fundit të jetës me 4 gusht 2022.

Të lamë aty ku linde Merko. Por ti mos u mërzit. Të japim fjalën, që kur të na marrë malli do të vijmë të të shikojmë. Një fjalë të doli. Nuk je vetëm. Përjetësisht me Besarin.

A do rroj të shkruaj më,

Dhe në mos rrofsha s’ka gjë.

Do t`u dal në ëndërr,

T`u them që jam me të.