Nga BUJAR QESJA
Kështu të thërritja gjithnjë: profesori im. U takuam dy herë në Durrës brenda 24 ditësh. E para tek Gëzim Domi, me 25 qershor 2022 kur hapi ekspozitën dhe e dyta tek bahçeja ime me 19 korrik 2022. Dhe pas takimit të dytë, e lamë të piqeshim këtë verë, kur do të vije të shikoje vajzën e mrekullueshme Emën, dy binjakët që fluturoje dhe dhëndërrin Ilirin, djalin zotni, të një zotnije tjetër që nuk jeton, shokun e paharruar Bujar Gjinali. Prej 22 vitesh jetoje në Itali tek dy djemtë: Gentjani dhe Ermani.
Kur u takuam tek Gëzim Domi, sikur pashë fëmijërinë time. Brenda teje ishte nxënësi i shtatëvjeçares tek shkolla “Dalip Tabaku”. Ma vendose kokën në gjoksin tim dhe e ndjeva se ma lage me lot. Dhe me 19 korrik 2022, kur erdhe të ndaheshim ta vendosa unë kokën në gjoksin tënd. Edhe ai u lag. Por këtë herë nga lotët e mi. U përqafuam me shumë shpirt.
Ishim shkëputur prej kohësh. Prandaj edhe takimi ynë kishte brenda mall, atë lëng jetësor që vetëm nxënësi me profesorin e tij mund ta ndjejnë, mund ta prekin, mund ta bëjnë pjesë të shpirtit të tyre. Në të dy takimet nuk i kaluam 100 minuta, por vlejtën shumë. Mësova për jetën tënde, për hallet e mëdha që të ranë dhe sakrificat që bëre për fëmijët. Mbaj mënd që më tregove:
-Burri dhe gruaja kur martohen quhen bashkëshortë. Po ta zbërthesh këtë fjalë, thjesht kupton që ky është shorti që të ka rënë në jetë, apo që e ke kërkuar si puna ime. Nuk ta kam thënë se nuk ka rënë rasti. 30 vite më parë, një hata e madhe i ndodhi familjes tonë. Bashkëshortja ime Xhemailja u nda nga jeta. Më preu krahët si i thonë. Dhe short tjetër, as që mendoja të kisha në jetë. Dhe u mora me fëmijët. Djali i madh ishte 10 vjeç, ndërsa vajza shumë, shumë e vogël. Mund ta përfytyroni vetë, se çdo të thotë për një baba, i vetëm të rrisë tre fëmijë.
Dhe halli yt Naim Rexha, u kthye në fat, pasi këtë kërkove. Të tre fëmijët mbaruan shkollët e larta. Vajza, Ema studioi për ekonomi në Itali. Gentjani është i martuar dhe ka një djalë. Peng të mbeti djali tjetër Ermani, se s’do të prishë beqarinë. Prej 22 vitesh banon në Gjenova dhe jeta atje është krejt ndryshe.
Kur qendruam, mësova një dukuri thelbësore të jetës së Naim Rexhës. Kam takuar shumë burra e njerëz të tjerë në këtë botë të gjallë. Kam takuar, e çfarë nuk kam takuar, por një të tillë si ky burrë me shtat të imët, por me energji diellore, me një urtësi befasuese, me një thjeshtësi më shumë sa ç’mund t’i takonte, me një komunikim që i evitonte shenjat e moshës si ky Naim Rexhë, nuk kam hasur. Ka të veçanta sa të duash dhe mbi të gjitha në fytyrën e tij lexohej lehtësisht, mirënjohja dhe respekti.
-Profesori im, jeni shumë njerëzor, jeni shumë, shumë i mirë në atë çka çfaqni në bisedë!
-Asnjëherë, në çfarëdo rrethane, në çfarëdo pozicioni që kam patur, nuk e kam vendosur veten mbi të tjerët, qoftë kjo edhe me nxënësit e mi. Kam shumë dashuri së pari për familjen time, së dyti për të afërmit e mi dhe së treti për miqtë, shokët, kolegët, nxënësit, të huaj apo shqiptarë. Dhe kam vuajtur Bujar dhe këtë nuk e kam çfaqur për ta lexuar të tjerët, qoftë kjo edhe familja ime. Është ajo që Zoti ma ka taksur mua dhe ky quhet fati i njeriut.
Në minutat që bashkëbiseduam, bëmë edhe pak humor. Naim Rexha është i datëlindjes 29 shkurt 1932. Për çdo vit, festonin ditëlindjet me një grup miqsh në Itali dhe kishin rënë dakort që ta qerasnin njëri tjetrin. Në ditët e tyre, ato e gostisnin profesorin tim, por ndërkohë nga ai nuk kishte reagime.
Një ditë e pyetën:
-Po pse vetëm ne do ta mbajmë fjalën?
-Po mua, iu përgjigj profesori nuk më ka ardhë ende dita e lindjes, ndonëse kalojnë vite.
-Por si ndodh kjo? reaguan të paduruarit miq.
-Ndodh kështu: kam lindur me 29 shkurt dhe një herë në katër vjet, më bie rasti të festoj. Kjo është puna. Prandaj unë jam brenda kompromisit që kemi bërë.
Naim Rexha, është vëllai i madh i familjes së krijuar nga çifti Selman dhe Emine Rexha. U lindën tre vëllezër dhe tri motra. Tani ka mbetur njëra nga motrat, si dhe Naimi me vëllanë më të vogël Skënderin. Nuk e dija Naim i shtrenjtë, se nuk do të uleshim përsëri së bashku, në atë tavolinë teë thjeshtë, që shkëlqen nga gëzimi i pritjeve dhe kur mbi të vendoseshin filxhanat e kafesë dhe gotat e ujit. Meraku yt nuk mbahej kur humbe vëllain, Aliu dhe gëzoheshe që është mirë me shëndet Skënderi (edhe ky një mik i nderuar i yni).
Trup i imët, por me zemër të madhe. Zemra jotë peshonte shumë. Ishte më e madhe se trupi. Por vuajtjet, optimizmi, kurajo dhe mirësia, dashuria dhe ëmbëlsia në komunikim, e qeshura që dukej sikur të mbinte në gojë një trëndafil i bukur, ishn pjesë e një burri të fortë, shumë të fortë.
Nga Gjenova vjen lajmi i trishtë. Po bëhen përgatitjet për të sjellë në Atdhe, në Durrësin aq të dashur, trupin e pajetë të profesorit tim, të idhullit tim, të njeriut nga më të mënçurit dhe nga më të bukurit e qytetit Naim Rexha. 91 vjeç. Isha përgatitur për kafenë e rradhës. Viti po bëhej. E kishim lënë për t’u takuar. Si herën e fundit nxënësi me profesorin e tij. Biseda të këndshme do të kishim. Me Naimin nuk i ndjeje minutat dhe koha që kisha kaluar pa të, më dukej shumë e shkurtër.
Pritet që të nesërmja në mëngjes, Naim Rexha të prekë Durrësin. Sigurisht nga deti. Trupi i Naimit, do të vendoset në shtëpinë e bukur të Rexhëve në lagjen fantastike, puro durrsakëshe Sefer Efendiu. Atje do të përcillet për tek varri i përbashkët me Xhemailen. 40 vite është në pritje të Naimit Xhemailja. Tek të vjetrat varreza. Dhe tanimë bashkë për gjithmonë.
Tek trualli i të parëve, do të pihet kafeja e dhimbjes. Aty do të ndizen edhe cigaret. Dhimbje për Naim Rexhën. E nxënësi i tij, i ka ende të freskëta në gjoks lotët e gëzimit të profesorit, kur u takuan pas shumë kohësh me 25 qershor 2022. E tani nxënësit, po i laget shpirti me lotët e dhimbjes. I fortë do të mbahem! Të fortë do të mbahemi! Do të mësohemi kështu.
Do të ulem sërish, tek vendi ku u pamë për herë të fundit. Ishte 19 korrik 2022. Do t’a mbaj fjalën që të dhashë profesor, se do të të pres. I bindur se edhe ti do ta mbash fjalën që më dhe se do të vi. Pa tjetër që do të takohemi. Por duke bashkuar lotët e dhimbjes.
Të dua profesor Naimi! Le ta njomin varrin tënd, lotët e mi. Jam i sigurtë se nuk do të thahen kurrë!
Bujar Qesja
Durrës: 21 qershor 2023
Dy pamje me Naim Rexhën. E para me 25 qershor 2022. Jam së bashku me Kostandinën, nxënësen e tij. Dhe e dyta me 19 korrik 2022, në tavolinën e gëzimit të pashuar me miqtë.