Nga BUJAR QESJA

Disa njerëz nuk mbahen mend vetëm për atë që bënë në jetë, por për mirësinë dhe gjurmën e qetë, që lanë në zemrat e të tjerëve.

Në jetën e çdo qyteti ka njerëz që punojnë në heshtje, larg zhurmës dhe lavdërimeve, por që me përkushtimin dhe aftësinë e tyre bëhen të pazëvendësueshëm. Ata nuk kërkojnë vëmendje, nuk kërkojnë duartrokitje, por puna e tyre flet vetë dhe krijon respekt të qëndrueshëm në kohë.

E tillë ishte Margarita Prifti Filo, një grua e mençur, një profesioniste e rrallë dhe një njeri me zemër të madhe. Ishte nga ata njerëz që jetuan thjeshtë, punuan me ndershmëri dhe u larguan, duke lënë pas kujtime të bukura dhe respekt të thellë.

Shembull dhe shpresë në familje

Margarita u rrit në një familje me gjashtë fëmijë. Që në moshë të re, u dallua për zgjuarsinë dhe seriozitetin në mësime. Ishte nxënëse e shkëlqyer dhe shumë shpejtë u bë model për motrat dhe vëllezërit.

Dashuria për dijen dhe këmbëngulja për t’u arsimuar, ndikuan fuqishëm në familje. Margarita u bë një shtysë dhe frymëzim, që të gjithë të ndiqnin rrugën e arsimit të lartë. Për këtë arsye, në kujtesën familjare Margarita mbetet jo vetëm motër e dashur, por edhe profil që ndikoi në formimin kulturor dhe intelektual të pjestarëve.

Profesionalizmi që e bëri të veçantë

Jeta e saj profesionale lidhet ngushtë me administratën. Punoi si ekonomiste në Seksionin e Planit të Komitetit Ekzekutiv dhe për një kohë të gjatë mbajti detyrën e shefes së statistikës, përgjegjësi që e ushtroi për rreth 20 vite.

Ishte një kohë, kur nuk kishte kompjuter dhe kur çdo e dhënë kërkonte punë të lodhshme në dosje dhe regjistra të shumtë.

Por Margarita kishte një aftësi të rrallë, kujtesë të jashtëzakonshme dhe një mendje analitike që e bënte të dallueshme mes kolegëve.

Shpesh drejtues të institucioneve dhe kuadro të ndryshëm, e telefononin për të marrë të dhëna të rëndësishme statistikore për ekonominë dhe jetën sociale të rrethit. Dhe ajo, pa hapur një dosje apo regjistër, jepte menjëherë përgjigje të sakta dhe të sigurta.

Sa ishte dita e punës në kooperativë?

Sa ishte numri i punëtorëve në një ndërmarrje?

Sa ishte popullsia e rrethit?

Si paraqitej rendimenti në sektorë të ndryshëm?

Sa ishte rritja e të ardhurave?

Si ndryshonin nga viti në vit lindjet apo si paraqitej vdekshmëria foshnjore?

Të gjitha këto të dhëna ajo i kishte në mendje, me një saktësi që habiste këdo.

Nuk është rastësi që shumë njerëz, e quanin me admirim “kompjuteri i gjallë i statistikës së Durrësit”.

Por për Margaritën, puna nuk ishte vetëm detyrë. Ajo mbeti një përgjegjësi morale dhe profesionale, që duhej kryer me korrektësi dhe ndershmëri.

Njeriu me zemër të madhe

Përtej aftësive profesionale, Margarita ishte mbi të gjitha një njeri i mirë. Ata që e njohën e kujtojnë për thjeshtësinë, qetësinë dhe dashamirësinë që përcillte në marrëdhënie me të tjerët.

Ishte nga ata njerëz që ndihmonin pa bujë dhe që shpesh sakrifikonin.

Në familje ishte një portret i dashur dhe i respektuar, një nënë e përkushtuar dhe shembull i mirësjelljeje.

Vajzat e saj janë sot vazhdim i denjë i edukatës dhe vlerave që ajo u la trashëgim.

Entela Filo, notere, dhe Juliana Filo, ekonomiste e lartë finance, e cila ndjek me krenari rrugën profesionale të nënës.

Mbresa dhe kujtime që nuk lëkunden

Jeta e njeriut nuk matet vetëm me vitet që kalojnë, por me gjurmët që lë pas në kujtesën e njerëzve.

Margarita Filo, ishte nga ata njerëz që fitojnë respekt dhe dashuri në heshtje. Profesionalizmi që krijoi, mbetet kujtim i çmuar për ata që punuan me të, ndërsa mirësia dhe karakteri i saj jetojnë në zemrat e familjarëve dhe miqve.

Ata që e njohën e deshën dhe nuk do ta harrojnë.

Sepse njerëzit e mirë edhe kur largohen nga jeta, vazhdojnë të jetojnë në kujtim dhe mirënjohje.

Iku për të lënë pas portretin e një zonje fisnike, që i dha shoqërisë më të mirën e saj, ndërsa familjes dashurinë dhe krenarinë.

Njerëz si Margarita janë pesha qytetare, formate që nuk i cënon harresa, kur kujtesa mbetet e freskët dhe e gjithhershme.

Dheu i lehtë zonjë fisnike, e mira dhe njerëzorja Margarita Filo!