Nga BUJAR QESJA

Lajmi është i dhimbshëm, aq më shumë kur vjen papritur. Igli Goga, degëzim i përsosur i rrënjëve të hershme të Gogallarëve të famshëm të Durrësit, ishte i prekur kur më jep këtë lajm të dhimbshëm. Një tjetër basketbollist, nga plejada e shkëlqyer e topkoshit durrsak nuk është më ndërmjet nesh. Është Pavël Jorgoni, njeriu zotni i Durrësit. Pas largimit nga jeta të Taç Jorgonit para disa muajsh, tani i vëllai i tij Pavli shkon në parajsën e tij.

Lajme të rënda për t’u përballuar, aq më shumë kur kemi të bëjmë me një burrë zotni të Durrësit, gjithnjë hokatar dhe buza gaz. E kishim gjithnjë prezent sa herë flitej për Durrësin dhe durrsakët. Veç të tjerash Pavli, është edhe i vëllai i mjekut të njohur, të mirit tonë doktor Nikolla Jorgonit. Derë e hapur për durrsakët këto Jorgonët. Të lidhur me sportin, si bima me tokën. Kanë luajtur basketboll që herët. Më parë Taçi, e më pas Pavli. Ndërsa doktor Jorgoni, jo rrallë ishte edhe mjek i sportistëve, duke ndihmuar me këshillat dhe ndërhyrjet e tij profesionale.

Nga familja e Pavlit, doli edhe një sportist me emër. I biri i tij, Ivi Jorgoni, i aktivizuar si portjer me Teutën. Pavli filloi basketbolln që fëmijë dhe menjëherë u përfshi në grupin e famshëm të “Lokomotivës” kampione për të rinj, nën drejtimin e kalorësit të topkoshit durrsak Dhimitraq Gogës. Grupi i basketbollistëve që luajti Pavël Jorgoni mbetet nga më të spikaturit. Kujtojmë Niko Profkolën, Vladimir Agarajin, Luigj Kalebotën, Josif Xhufkën, Tush Çumashin, Ibrahim Kurtbegovin, Spartak Jahon, Stefan Jorgjin, Qemal Kërtushën, Leonard Janin, Anesti Kuqin, Sotiraq Mëngjesin, Shpëtim Prodanin etj.

Në vitin 1967 deri në 1972, kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës për inxhinjeri mekanike. Në këtë kohë, aktivizohet me ekipin e njohur të basketbollit të “Studentit”. Më pas kthehet në qytetin e lindjes, ku e mbylli karierën e pasur sportive me “Lokomotivën” e Durrësit. Disa vite drejtoi edhe komunën numur 5, ashtu si në një periudhë, ushtroi profesionin e inxhinjerit mekanik në Parkun Urban të Durrësit.

Pavël Jorgoni krijoi një familje të shkëlqyer, duke i mbetur gjithnjë në krah bahkëshortja e nderuar Merita. Pavli ishte nga trashigimtarët më të denjë të fisit të njohur të Jorgonëve, duke i shërbyer me shumë dashuri dhe me shumë personalitet qytetarisë durrsake. Mbeti portreti i masovikut, i njeriut të qeshur në pamje dhe në shpirt, duke shpërndarë gjithnjë respekt për të afërmit, miqtë, shokët dhe ato që patën rastin ta njohin.

Largimi i tij nga jeta na dhëmb. Është tjetër plagë që hapet në shpirtërat tanë, duke mbetur i palëkundur kujtimi më i mirë dhe më i prekshëm për Pavli tonë të shkëlqyer, për Pavlin tonë të mirë, për Pavlin tonë që edhe më tej nuk do ta besojmë se e “humbëm” me 26 dhjetor të vitit 2021.

Dheu i lehtë shoku dhe vëllai ynë Pavli! Ajo ç’ka ishe dhe ç’ka i dhe Durrësit tënd, nuk ka gjasa të harrohet, përkundrazi do të kujtohet si një arritje e jetës tënde.
Ngushëllime të sinqerta dhe të ndjera familjes së Pavli Jorgonit!

I paharruar!

Durrës: 26 dhjetor 2021