Nga Dr. Kujtim Kabashi*
Durrës, 20 mars 2014 – Mihallaq Boshku u lind në Durrës më 14 tetor 1943 në një familje të njohur qytetare. Prindërit e tij, Kosti dhe Maria, bënë ç'është e mundur për mirërritjen e Llaqit dhe 4 fëmijëve të tjerë që mbushën plot shtëpinë e Kostit gjatë viteve të para, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Vitet 40-50 ishin të vështira për shumicën e familjeve shqiptare. Aq më tepër për ato me shumë fëmijë. Kësisoj, Llaqi iu gjend prindërve që i vogël në luftën e tyre të përditshme për sigurimin e bukës së gojës për familjen e madhe 7-vetash.
DIKU MBI BELLA VENEZIA
Apartamenti i Boshkëve, diku mbi Bella Venezia, në Rrugën Tregtare, çdo mbrëmje kthehej në një punishte të vogël, ku Llaqi, bashkë me prindërit, rreth tavolinës së madhe bënin punë të ndryshme artizanale, për ca pare më shumë mbi rrogat e ulëta të prindërve punëtorë, si pastrim tokëza sandalesh, sumbullash e krehrash plastikë, etj. Shumë shpejt në këtë punishte të improvizuar u “punësuan” edhe Margarita (motra e vetme) dhe Milti i vogël, e kështu me radhë edhe më të vegjlit më vonë. Në këtë mjedis të shëndetshëm familjar u rritën dhe u edukuan fëmijët e dashur të Marias dhe Kostit. Këtu përgatiteshin dhe shkëlqenin të nesërmen në shkollë të gjithë ata. Po këtu, Kosti, çdo mbrëmje, pasi mësohej dhe punohej, u futi dashurinë dhe u dha “mësimet” e para ne shah fëmijëve të tij, lojë qe edhe ai vetë e luante aq bukur. Nga kjo shkollë familjare e shahut më vonë dolën dhe shkëlqyen shahistët e mirënjohur në të gjithë vendin, Milto e Harallamb Boshku.
TALENT NË SPORTE DHE ART
Është pak të thuash se Llaqi ishte një talent i lindur në çdo fushë të aktiviteteve sportive e shoqërore të atyre viteve. Bashkëmoshatarët e tij e kujtojnë Llaqin si një volejbollist e futbollist të shkëlqyer për moshat, po aq sa edhe si një pingpongist e shahist të po këtij niveli në të gjitha përfaqësimet e gjimnazit “16 Shtatori” të Durrësit, në garat sportive me gjimnazet e rrethit dhe më gjerë. Të njëjtat përshkrime mund të bëhen për Llaqin si aktor i talentuar në grupet artistike të gjimnazit ashtu si edhe në trupën e Teatrit të Kukullave gjatë viteve 1959-60, nën drejtimin e regjisorit të mirënjohur Gjergj Vlashi.
I PAKONKURRUESHËM NË DIJE
Por fusha e dijes ishte terreni, ku Llaq Boshku ishte i pakonkurrueshëm nga bashkëmoshatarët e tij. Për këtë mjafton të përmendim se për çdo klasë gjatë periudhës 1957-1961 Llaqi do të shpallej nxënësi më i mirë i shkollës. Fotografia e tij e zmadhuar do të përshëndeste çdo nxënës, prind a vizitor nga qendra e tabelës “Krenaria e shkollës” në hyrjen kryesore të saj. Profesorët e nderuar të gjimnazit të Durrësit të asaj periudhe Sul Demiri, Zeqai Spahiu, Gaqo Harilla, Burhan Kaduku, Ali Kovaçi, Remzi Tivari, Kasiani Gjini, Matish Gjeluci, etj. do ta përmendnin vite më vonë Mihallaqin si një nga nxënësit më të shquar të shkollave të mesme të Durrësit, ku ata kishin punuar.
Të njëjtin shkëlqim pati Llaqi edhe gjatë studimeve të larta në degën e matematikës. I përfshirë gjithmonë në grupin e studentëve më të mirë të kursit 1961-65, Mihallaqi edhe sot kujtohet me respekt e konsideratë të veçantë nga dy profesorët kryesorë të matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Kristian Bukuroshi dhe Mina Naqo.
MËSUESI MË POPULLOR
E gjithë kjo periudhë intensive e formimit intelektual, shoqëror e profesional të djaloshit të ri durrsak do të shpalosej e harmonizuar në mënyrë të përkryer në karakterin dhe figurën e dashur nga të gjithë të mësuesit të ri Mihallaq Boshku. Nuk besoj se gjendet mësues që të krahasohet me Mihallaqin për kapacitetin e tij profesional, për marrëdhëniet e mrekullueshme njerëzore me nxënësit dhe prindërit e tyre, për frymën e respektit të ndërsjellë shoqëror me kolegët e tij, për humorin e pashtershëm dhe të improvizuar në komunikimin me këdo, etj.
Ishin këto cilësi të rralla që e bënë Mihallaqin mësuesin më popullor të shkollave ku punoi ndër vite si në gjimnazin e Shijakut, teknikumin e mbrëmjes të Durrësit, shkollën e mesme “Naim Frashëri”, filialin e fakulteteve të Ekonomisë dhe Inxhinierisë të UT për Durrësin etj.
I RESPEKTUAR DHE I VLERËSUAR EDHE NË ATHINË
Po kaq i respektuar dhe i vlerësuar Mihallaqi ishte edhe në Athinë, ku emigroi në mesin e viteve 90-të bashke me familjen e tij, bashkëshorten Eli dhe djemtë, Klodin dhe Enon. Në këtë qytet metropol Llaqi punoi me cilësi shumë të lartë në tutorimin matematikor të studentëve që përgatiteshin për dhënien e provimeve të vështira të pranimit në degët teknike dhe ato të shkencave ekzakte në universitetet e Greqisë dhe ato të Evropës. Nga Athina ai vazhdoi të bashkëpunojë me autorë të tjerë shqiptarë për hartimin e teksteve të matematikës për shkollat e mesme të vendit tonë, veprimtari që ai e kishte nisur që në fillim të viteve 70-të së bashku me Mësuesin e merituar Astrit Hoxha.
ME HUMOR BEFASUES DHE INTELIGJENT
Shokët dhe miqtë e shumtë do ta kujtojnë Mihallaqin edhe për humorin karakteristik që shoqëronte përherë komunikimin e tij. Edhe pse jeta e përballi familjen Boshku me vështirësi të mëdha, ai, si vëllai më i madh, kurrë nuk u thye para tyre. Përkundrazi, humori i tij befasues dhe inteligjent ua lehtësonte dhimbjet jo vetëm njerëzve të tij, por edhe shokëve e miqve që i qëndronin pranë gjatë këtyre periudhave.
Mihallaq Boshku u nda para disa ditësh nga gjiri i familjes së tij të nderuar. Familjarët, miqtë dhe shokët, ish-studentët dhe kolegët e tij të panumërt humbën njeriun e tyre të dashur, bashkëshortin, prindin dhe vëllanë e paharruar, shembullin e përsosur të mësuesit model të matematikës, qytetarin e mirë të Durrësit tonë.
* Dërguar posaçërisht për “Dyrrah”-un me titullin “Për Llaqin”. Autori i shkrimit, koleg dhe shok i të ndjerit, është Mësues i merituar. Ka lindur në Durrës, ku ka qenë mësues matematike dhe drejtor shkolle. Aktualisht jep po matematikë në shkollat e Torontos (Kanada). Jeton me të birin, dr. Egon Kabashi, gjenetist me emër ndërkombëtar.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





