Ambasada suedeze në Tiranë , Qendra ndërkombëtare “Olof Palm”, CDS e bashkia Durrës, kanë përkujtuar në një aktivitet “In Memoriam” ish-kryeministrin suedez Olof Palme të vrarë 30 vjet më parë në mënyrë mizore.
Miriam Reci, shefe ekzekutive e CDS, (OJQ) solli para të pranishmëve një autobiografi të ish-kryeministrit, i cili ishte edhe personazhi më popullor në Suedi, i zgjedhur 2 herë të drejtonte qeverinë, ish-jurist i shkëlqyer, por që vrasja ka mbetur pa autor.
Të gjithë pranishmit i përshëndeti edhe i ngarkuari me Punë i Suedisë në Tiranë, Johan Ndisi, përpara shfaqjes së një dokumentari mbi jetën e ish-kryeministrit.
Tridhjetë vjet më pas, vrasja e kryeministrit suedez Olof Palme mbetet e pazgjidhur. Policia suedeze nuk e ka mbyllur dosjen e hetimeve dhe vazhdimisht i rikthehet për të mbledhur fakte.
Palme u qëllua për vdekje në qendër të Stokholmit, disa minuta pasi së bashku me bashkëshorten, Lisbet, doli nga kinemaja, më 28 shkurt 1986. Palme, i cili nuk mbante truproja atë mbrëmje, u godit nga një plumb në shpinë. Ndërkohë, bashkëshortja u fshik nga një tjetër plumb.
Vrasja tronditi vendin skandinav dhe provokoi hetime të shumta për gjetjen e autorëve. Por, hetimi i kësaj vrasjeje u shoqërua me gabime që nga fillimi, sipas dy komisioneve qeveritare dhe shkrimtarëve që kanë analizuar hetimin.
“Kjo çështje e pazgjidhur mbetet një traumë për vendin”, thotë prokurorja Kerstin Skarp, e cila ka qenë pjesë e hetimit që nga viti 1997. “Çështja nuk do të quhet e mbyllur derisa dikush të dënohet nga gjykata”, thekson ajo.
Olof Palme dhe vrasja e tij
Për këtë vrasje janë bërë krahasime me atë të ish-presidentit amerikan John F. Kennedy, si edhe me bombën e vënë në një fluturim të kompanisë “Pan Am” mbi Lockerbie, Skoci.
Policia thotë se duhen nëntë vjet për të lexuar atë që është shkruar mbi çështjen “Palme”.
Palme ishte lider i socialdemokratëve që nga viti 1969 deri kur vdiq. Ai shërbeu si kryeministër përgjatë viteve 1969-76 dhe 1982-86.
Palme njihej si përkrahës i lëvizjeve çlirimtare në Afrikë, si kundërshtar i Luftës së Vietnamit dhe i diktaturave në Amerikën Latine dhe Evropën Lindore. Ai kundërshtonte edhe armët bërthamore.
“Grumbullojmë fakte gjatë gjithë kohës”, thotë shefi i hetimit të çështjes, Hans Melander, i cili nuk thotë nëse ish-kryeministri ishte viktimë e zakonshme apo e një komploti.
Përgjatë viteve ka pasur shumë teori mbi vdekjen e tij, që variojnë që nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit deri te një komplot i shërbimeve sekrete.
Një tjetër teori ngre hipotezën se anëtarë të policisë suedeze të sigurisë vendosën të vrasin Palme-n lidhur me shqetësimet se politikat e tij të çarmatimit do të rezultonin në rënien e shtetit nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik.
Sidoqoftë, Lisbet Palme dhe familja e saj mendojnë se Palme u vra nga krimineli Christer Pettersson.
Ky i fundit u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 1989, por më vonë u lirua me kusht. Ai vdiq më 2004-n dhe gjithmonë pretendoi pafajësinë.
K.H.