Sot në Durrës, familjarë, kolegë, veteranë të flotës dhe miq, përkujtuan një vjetorin e ndarjes nga jeta të Komandantit himariot, Aleko Dede.
Fillimisht Kapiten Kosta Kristoferi, veteran i Flotës Luftarake, e njohu familjen e Kapiten Alekos, me “Certifikatën e Mirënjohjes”, akorduar nga Komandanti i FD, K/Admiral Adnand Agastra.

Më pas pjesmarrësit u njohën me jetën, veprimtarinë dhe kontributin e cmuar që ka dhënë oficeri I Flotës, Aleko Dede, në Flotën Luftarake Shqiptare, nga Kepi i Palit në Shëngjin, nga Saranda në Kepin e Palit.
Gjithashtu në varrin e të ndjerit u vendosën Kurora dhe buqeta me lule.
Po kush ishte Komandanti i paharruar Aleko Dede?

U bë një vit që është ndarë nga jeta Komandanti, miku dhe prindi Aleko Dede.
Aleko u lind në vitin 1937. Në vendlindje, ai kreu arësimin fillor e 7-vjecar. Më pas shkollën “Skënderbej” dhe Akademinë e Marinës Vlorë.
Mbasi kreu me sukses Akademinë e Marinës, Aleko, navigator i ri, u caktua në Flotën Luftarako Detare në Pashaliman, në Brigaden e Nendetseve më detyrën e Komandantit të Anijes Silurkapse.
Që kur erdhi në Floten Luftarako Detare Aleko solli pak Himarë, solli fisnikërinë e kësaj zone historike, solli lëgjendat e saj të panumurta për detin, solli burrërinë e qëndresën para çdo vështirësie, para çdo dallge në det e në tokë! Aleko ka qenë e mbeti si njëri nga bijtë më fisnik e më kreshnik të bregdetit e Himares, i ditur, i paepur, njerzor, trim, i perkushtuar në çdo detyrë, i dashur e respektuar me shokët , koleget e vartësit, i shkrirë me të gjithë detaret e kuadrot, me një komunikim shumë shoqëror e miqësor, me një buzëqeshje të lindur si një valë deti që të bënte per vehte, si një babaxhan, si në urën e komandimit dhe pranë oxhakut, ku me bisedat e paharruara të tij, shkëlqente e ngrohte si ai zjarri bubulak dhe fitonte vëmëndjen e respektin e të gjithëve.
Ai me urtësinë e burrërinë e tij, të bënte që ta kishe per model e ti ngjaje atij burri! Për punë të mirë, disiplinë, ndershmëri e profesionalizëm në zbatimin e detyrave, Leko, tashmë oficer i pjekur u transferue në anijet ndihmuese të Flotiljes Durrësit, Kepi i Palit, ku shërbeu disa vite.
Në librin “Antologjia e Detarisë Shqiptare”, Vëllimi i Dytë, faqe 622 thuhet:-më 23 qershor 1972, KS-270, me Komandant Aleko Dede, zhvilloi qitjen e I-rë me silurëkundër anijes “Patosi” në gjirin e Lalzit. Po ky Katër, i drejtuar nga Komandat Aleko, në korrik 1972, ndihmoi anijen panameze “Norma’, 60 milje në VP të kepit të Rodonit… Si kuadër e detar i aftë, Leko ka lënë gjurmë gjithandej, në hapësirën detare shqiptare.
Por, kuadri i përgatitur, kërkohej kudo dhe ngarkohej me detyra të vështira.
Kështu Lekon nga BUD_i Durrës, e caktojnë Komandant Skuadrilje në Bazën Ushtarake Detare të Shëngjinit, të sapo krijuar, në vijim, disa vite Komandant i Regjimentit të Katerave Silurues në Shëngjin, deri në vitin 1981.
Aleko ishte një detar i lindur, sikur ishte perkundur në djepin e dallgëve, s’pyeste në se ka det me dallgë apo ishte bunacë. Ai kënaqej e gëzonte kur dilte në det, i dukej si shtëpia e tij, sikur vallzonte me dallgët. Dhe ishte shembull e frymëzim qëndrese dhe për ndonjë detar e kuadër, që e lodhte sëmundja e detit. Aleko mes kuadrove e detarëve ngjante si ai rrapi i moçem ku në vend të hijes, shpërndante eksperiencën e detarit të vjeter, qëndresen, fisnikërinë e burrërinë e tij, të krahines nga vinte!
Nga këtu u transferua në Bazen Detare Durrës, me detyrë Komandant i Detashmentit të Minimit, detyrë kreu deri sa doli në pension…
Komandanti nga Himara, ALEKO DEDE, cdo detyrë e kreu me nder dhe përkushtim atdhetar.
Aleko ka një meritë të veçantë në pregatitjen e aftësimin e shumë kuadrove të rinj si komandant të Katerave Silurues, që më vonë shkëlqyen në këto detyra të rendësishme. Njihte mjaft mirë detin, anijet, artin e të lundruarit në det, dhe mbi të gjitha njihte njerzit e aftësitë e tyre! Dhe gjithmonë pati arritje të larta.
Komandant Aleko Dede, ky burrë fisnik, bir i Himarës trime e lëgjendare, njihet për korrektësinë e tij në zbatimin e cdo detyre, komunikimin korrekt me shokët, vartësit dhe eprorët, respektin dhe dashurinë për detin dhe detarët.
Ai do mbetet në mendjet e navigatorëve tanë si simbol i thjeshtësise me shokët dhe këmbëngules për ngritjen e nivelit tekniko-profesional.
Aq i lidhur me detin ishte Komandant Aleko, sa dhe zëri i tij i gervishtur të ngjante me zhurmën e dallgëve kur perplaseshin në breg apo me njera tjetren! Kishte pamje deti me ato rrudhat në ballë si dallgë të detit e të jetës, por gjithmonë i drejtë si Sokrati.
Ndaj e donin dhe e respektonin të gjithë detarë e kuadro! Vërtet ai kishte zërin e trashë e të gervishtur, por zemrën, fjalën e komunikimin e kishte të ëmbël, aq sa të dukej se ëmbëlsonte dhe vet detin!
Aleko Dede ishte dhe një kuader e komandues i aftë.
Aleko do mbetet në mendjet e të gjithëve, ai Katranikasi model e i papërtuar në cdo mision.
Familja dhe farefisi i tij ka të drejtë të krenohet me jetën dhe veprën e Alekos, këtij prindi, njeriu, miku, shoku e kolegu të mrekullueshëm.
Edhe njëherë,
Lamtumirë Komandant Aleko Dede!
I përjetshëm qoftë kujtimi yt.
Shefqet Kërcelli,
Mëhill Marku.