Nga BUJAR QESJA


Eh ky zanati ynë, kur i përkushtohesh me mish dhe me shpirt, të nderon, por edhe nderohesh. Ndonëse në gjendje jo të mirë, teksa jam duke shpërndarë urime miqve për vitin e ri 2024, pasi viti 2023 numëron orët e fundit, vjen lajm i dhimbshëm, i kobshëm, trishtues, tronditës i sosjes së frymëmarrjes të Petrit Llullës.
Pa diskutim emër me peshë në qytetarinë durrsake. Indrit Ypi kujton, kur po dilte disa orë me Petrit Llullën në Durrës, i kishte bërë përshtypje respekti i jashtëzakonshëm i njerëzve. Nuk ngeli kush pa e përshëndetur.
Ky burrë i urtë, i ëmbël, i mënçur dhe shumë njerëzor, jetoi duke luajtur fort me kartën e dashurisë për punën dhe për njerëzit. Nëse Goma shqiptare ka të parët e saj në historik, pa dyshim nga më të rëndësishmit mbetet Petrit Llulla.
Petriti ka muaj që lëngon, duke treguar karakter dhe grintë për të rezistuar dhe mos iu dorëzuar sëmundjes. Në muajin korrik 2023, Petriti mbushi 90-të vjeç, duke kaluar në dekadën e fundit që do të përbënte 1 shekull jete. Miku i tij më i ngushtë, shkencëtari i ekonomisë shqiptare, ideatori dhe zbatuesi i prodhimit të kontenierit të parë shqiptar, flet me dëshpërim për këtë humbje të madhe.
-Ndjehesha dhe do të ndjehem sa të jem gjallë, krenar që kam patur fatin dhe nderin të jem mik për shpirt me ty Petrit Llulla, sepse ishe njeriu më i madhërishëm që kam njohur në jetën time. Për cilësitë që kishe, të kam çmuar duke qenë fort i bindur se i takon anës elitare të qytetarisë durrsake. Ma coptove shpirtin mik dhe vëlla!
Vlerësime të veçanta jep edhe doktori i njohur i zemrës, një tjetër burrë i mënçur i joni Riza Xhepa dhe djali i tij Eduarti, sipërmarrësi i “Arragostës” për Petrit Lullën.
-Kemi të bëjmë me një burrë të madh, zotni i vërtetë. Qytetaria durrsake humbi nga më pikantët e saj, pasi puna që bëri Petriti dhe raporti që krijoi me njerëzit, zor se ia shuajnë famën në Durrës.
Që në rininë time, kam dëgjuar të fllitet për Petrit Llullën, si njeri babaxhan, që sillej mirë me njerëzit dhe korrte respektin e tyre. Që herët aftësitë krijuese si mekanik ranë në sy. Filloi punë në fabrikën e Gomës “Kozma Nushi”. Aftësitë e rralla, siç thotë populli “çfar i shikon syri i bën dora”, i detyrojnë autoritetet e kohës në Shqipëri, ta dërgojnë Petrit Llullën tri vite për specializim për prodhimet e gomës në Republikën Çeke.
Dhe ky burrë i mënçur dhe mjeshtër me mëndje dhe duar të florinjta, bëri mrekulli në prodhimet dhe asortimentet e reja, që lartësonin markën e gomës shqiptare. Kulmi arriti me prodhimin e rrypave që xhironin rrotat e eskavatorëve. Falë aftësive krijuese, eksperimentuese dhe zbatuese, shpirtit të paepur novator dhe bindja për t’ia dalë, bëri që të realizoj prodhimin e ri.
Kjo shpikje mori dhenë dhe emri i Petrit Llullës, u bë i njohur në të gjithë vendin. Rrypat e rrotave të eskavatorëve kishin kosto të lartë dhe vinin nga importi. Ekonomia shqiptare e përballonte me shumë vështirësi. Por ja që ishte mëndja e mprehtë e Petrit Llullës, që i tha ndal importit duke lartësuar potencën novatore të punëtorisë dhe personelit inxhinjero teknik shqiptar.
Petrit Llulla mbetet pionier i fabrikës së Gomës në Durrës, pasi aty e nisi hapin e parë dhe e sosi hapin e fundit kur doli në pension. Kariera e tij u ngrit deri në nëndrejtor i fabrikës, duke merituar gjithnjë dashurinë e kolektvit punonjës.
Esat Ypi e përmënd përsëri Petrit Llullën në prodhimin e kontenierit të parë shqiptar. Ishin aftësitë e Petrit Llullës, që gonicioni i derës mbyllëse të konteneirit, ishte një histotri më vete zhvillimi dhe sigurie.
Lidhja aktive në punë dhe jashtë saj e Petrit Llullës me njerëzit, bëri që ai të njihej dhe të respektohej nga çdo familje durrsake. Mbaj mënd dhe për këtë sherben edhe një pamje që e publikojmë, që bëmë një takim me Petrit Llullën, Esat Ypin dhe Muhamed Laknorin. Bëri përshtypje urtësia dhe mënyra plot finesë dhe kulturë që kalonte në bisedë. Ishte shumë fin. Buzëqeshja e tij ngjasonte me lulet e çelura në pranverë, që kur kalonte në rrugë përkulej para çdo durrsaku duke i përshëndetur. Dhe ato ja kthenin me të njëjtën monedhë.
Respekti dhe mirnjohja që kishin durrsakët për djalin e tyre, Petrit Llulla e ruajti të shenjtë dhe të paprekur, deri në frymën e fundit të jetës së gjatë 90-të vjeçatre. Largimi i ti nga jeta, është humbje e madhe për Durrësin dhe qytetarinë e saj.
Krenarë që e patëm pjesë tonën Petrit Llullën, Petritin tonë të mirë, ku qeshja dhe komunikimi i sinqertë, do të mbeten në kujtesë dhe të paharruara nga bashkëqytetarët e tij.
Dheu i lehtë Petrit Lulla! Kujtesa për ty detyrim.
Bujar Qesja
Durrës: 31 dhjetor 2023
Foto1
Petrit Lulla
Foto 2
Nga e djathta: Muhamed Laknori, Esat Ypi, Petrit Lulla dhe Bujar Qesja.
Foto 3
Nga e majta: Petrit Llulla, Riza Xhepa dhe Esat Ypi.
Foto 4
Nga e djathta: Petrit Llulla, me çiftin Ypi Zanën dhe Esatin.
Foto 5
Ngae djathta: Petrit Llulla, Riza Xhepa dhe Esat Ypi.