Nga Gëzim KABASHI

Gavril Priftuli (1937 – 2006) është një nga artistët durrsakë që vazhdon respektohet dhe vlerësohet nga kolegët dhe bashkëqytetarët, megjithëse kanë kaluar 16 vjet që ka ndërruar jetë.

Qindra punime në të gjitha gjinitë dhe teknikat e pikturës; dhjetra miniskulptura të gdhendura në gurë lumi; mozaikët shumëngjyrësh të punuar me dashuri;; tablo të shumta në fondin e galerive më të mira të vendit si dhe shumë të tjera në arkivat private brenda dhe jashtë Shqipërisë janë një trashëgimi e vyer e artistit Gavril Priftuli për artin e pikturës dhe skulpturës.

“Priftuli dhe miqtë”, ekspozita në nderim të Gavrilit Cdo vit, në muajin mars kolegët e tij mblidhen në ekspozitën “Priftuli dhe miqtë”, një shenjë respekti të pandryshuar artistik ndaj artistit të shquar.

Në galerinë e arteve “Priftuli” në Durrës ata bashkë me kolegët nga I gjithë vendi dhe bashkëqytetarët durrsakë kujtojnë njeriun që punoi aq shumë për Durrësin dhe që morri në këmbim shumë pak prej tij.

Ata kujtojnë studiot e piktorëve dhe skulptorëve Gavril Priftuli, Nikolet Vasia dhe Nelo Lukaçi në vitet ’70 – ‘80, dritat e të cilave në fillim të bulevardit mbeteshin të ndezura deri natën vonë.

Kujtojnë cigaren e pandezur në buzën e Gavrilit, i cili kërkonte gjithnjë një risi në artin e tij. Mbajnë mend punën e palodhur dhe bisedat e gjata për qytetin, për artin dhe artistët në pjesën tjetër të botës.

Vajzat e piktorit të ndjerë, Meri arkitekte dhe Yllka piktore e kanë kthyer galerinë në një pikëtakimi të bukur, që shërben edhe si bashkëbisedim për artistët dhe artet figurative, çka përbënte edhe një nga dëshirat e veçanta të Gavrilit.

Megjithëse këtë vit ekspozita nuk do të hapet, bashkëshortja e piktorit, Neta Priftuli ndjen se Gavrili vazhdon të jetë një pikë referimi për nxënësit dhe studentët e tij, e po ashtu për kolegët dhe miqtë e shumtë, të pranishëm me punimet e tyre në ekspozitat që hapen çdo vit në kujtim të Vilit, siç thirrej më së shumti artisti në Durrës.

Meri Priftuli kujton galerinë e parë që ka hapur i jati në vitin 1993, galeri që tashmë menaxhohet nga familja e tij.

Gavril Priftuli ka punuar në vaj, akuarel, me pastel dhe me ngjyra vitrazhi në xham.

Ai është mjaft i njohur edhe si skulptor: mermeri, gurët e zallit, druri dhe gjithçka natyrore në duart e tij bëhej një object i mirëfilltë artistik.

Disa galeri në vendin tonë, por edhe muzetë kombëtare në Krujë dhe Durrës kanë të ekspozuara punime në formate monumentale të tij. 

Mozaikët muralë në Durrës dhe në Krujë

Shenjat artistike piktorit e skulptorit Priftuli përbëjnë emblema të dukshme talenti dhe vullneti të paepur.

Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar Gavril Priftuli, së bashku me kolegun Nikolet Vasia u bënë bartësit e vërtetë të traditës së mjeshtrave ilirë në krijimin e mozaikëve.

I njohur si mjeshtër i penelit dhe gdhëndjes në gur, njëlloj si Vasia, edhe Gavril Priftuli punoi për shumë vite në muzeun arkeologjik, falë kujdesit dhe mbështetjes së drejtorit arkeolog Vangjel Toçi.

Restauratorë të klasit të parë Priftuli dhe Vasia, të cilët kanë ndërruar jetë në fillim të viteve 2000, krijuan vepra me vlerë kombëtare.

Njëra prej tyre me emrin “Kushtrimi” përbën një nga muralet më të bukura me mozaik që janë instaluar në Muzeun historik kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Në të njejtin muze ndodhen edhe disa vepra në vitrazh, punuar në fillim të viteve 1980 nga Gavril Priftuli.

Firmat e Priftulit dhe të Vasisë mban edhe mozaiku “Festa e çlirimit” në hyrje të Mauzoleut të Dëshmorëve në Durrës e punuar afro 50 vjet më parë dhe që I ka rezistuar kohës.

“Nuk duhet harruar se të gjithë gurët me ngjyra të mozaikut me sipërfaqe 40 metra katrore janë seleksionuar një për një buzë lumenjve Erzen dhe Ishëm-ka treguar kohë më parë, Fredi Shuke, një nga specialistët e tjerë të mozaikut në
vitet 1970-1980. Gavril Priftuli mbetet një nga artistët më të shquar durrsakë me jehonë kombëtare.

Kolegët dhe kritika vazhdojnë të vlerësojnë kontributin e tij.

Naxhi BAKALLI

Gavrili kërkoi dritën dhe emocionin nga piktura, prandaj zbërtheu spektrin e shpirtit dhe e emetooi atë në kohë.

Ngjyra u bë lënda bazë më të cilat formësoi gjendjet e tij dhe percaktoi llojin e veçantë të percepsionit, ku dashuria për jetën dhe ëndrrën e saj ze vendin kryesor.

Marianna ACCERBONI

Me ato ngjyrat e tij të bukura, të gjalla e plot dritë, që i kundërvihen melankolisë, Priftuli hodhi në telajo me mjeshtëri shtjellime kromatike apo sinteza të lumtura përshtypjesh e gjendjesh shqiprtërore të lidhura me fantazinë e një reealiteti të ashpër.

Fatos KOLA

Gavril Priftuli, një shpirt që ka jetuar pasione të forta, por të ndrydhura, ku kundërshtia ndaj steriles së realitetiit është e pranishme si qenësi. Tablo me ngjarje vizuale kaotike që që pështillen me një tis të nurtë.