Nga Bujar Qesja
Emër i njohur, që i takon botës së sportit u shua. Sëmundja e gjatë e mundoi këtë njeri të mirë të Durrësit, këtë vlerë të qytetarisë tonë, duke e larguar nga gjiri ynë dhe i familjes. Shpëtim Haveriku, është në historinë e vyer të gjykimeve të basketbollit. Në këtë traditë renditen edhe gjyqtarë të tillë me emër si Agim Taraku, Gjon Luli, Abadenin Cara, Bardhyl Kadiu, Rrapo Duraj, Muharrem Mehmeti, Luan Mezini, Besnik Dervishi, Qemal Dervishi etj. Dhe nga më pikantët mbetet edhe Shpëtim Haveriku.
Agim Taraku, Rrapo Duraj, Muharrem Mehmeti, Din Cara kanë vite që nuk janë në gjirin tonë. Dhe pranë tyre, shkon në këtë ditë të sotme të 23 majit 2024 edhe Shpëtim Haveriku. Kolegjumi i gjyqtarëve të basketbollit durrsak, ka qenë shumë aktiv dhe ndër më të mirët në vend. Shpëtim Haveriku falë qetësisë dhe ndershmërisë, meritoi besimin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, duke i dhënë ndeshje të rëndësishme për të gjykuar. Dhe zor se është kontestuar, duke ia rritur namin lojrave në Durrës edhe në fushën e gjykimeve.
I angazhuar në gjykimet e sportit të koshit, ai u njoh dhe lidhi familje me basketbollisten e njohur korçare Zhani Salavaçi . Kjo lidhje e tyre bëri bujo në Durrës, pasi sportëdashësit ishin të interesuar, për forcimin e pozitave të ekipit të basketbollit të femrave të “Lokomotivës” që drejtohej nga Niko Hercek. Dhe nuk u gabuan. “Lokomotiva” e mesit të viteve 70-të, ishte në ekipet më të mira shqiptare, duke fituar në vitin 1975 edhe Kupën e Shqipërisë. Krahas Aleksandra Kurtbegovit, motrave Verteniku, Engjellushe Arapit, Hanxa Rrogozhinës, Klaudia Dragotit, mbeti edhe e mirnjohura Zhani Haveriku.
Çifti Haveriku, bëhet nga më tërheqësit edhe për këtë fakt, që i dhanë basketbollit me çtë mundnin. Haverikët e basketbollit ishin model dhe kujtohen me shumë respekt edhe sot e kësaj dite. Veç basketbollit, Shpëtimi ishte një mekanik i shkëlqyer dhe pati rastin të investonte, aftësitë e profesionit të tij në shumë familje durrsake.
Emëri i njohur i basketbollit durrsak, 80-të vjeçari Haxhi Boshnjaku, i pikëlluar për këtë humbje shprehet:
-Shpëtimi ishte njeri i urtë, shumë fisnik dhe me lidhje të ngushta me bashkëqytetarët e tij. Veç kësaj, dha ndihmesë të çmuar si arbitër basketbolli, duke gjykuar drejt dhe me ndershmëri. Lidhja martesore me basketbollisten e njohur dhe të ekipit kombëtar Zhani Salavaçi, e bëri edhe më të prekshëm për sportëdashësit. Çifti Haveriku ishin model. Kam punuar me Zhanin, si specialistë me klasat sportive të basketbollit dhe mbetet shemnbull, për atë çka dha në këtë drejtim.
Shpëtim Haveriku nuk jeton. Dhimbje për familjen Haveriku, për bashkëshorten e respektuar Zhani, për dy djemtë dhe pasardhësit e tyre. Basketbolli durrsak, humbi një zë që është ndjerë dukshëm në vitet 70-80-të, duke mbetur me shumë autoritet në traditën dhe historinë e gjykimeve të sportit të koshit.
Lamtumirë Tim Haveriku! Jam i sigurtë, që për durrsakët do të mbetesh gjithnjë i paharruar!
Bujar Qesja
Durrës: 23 maj 2024