DURRËS, 26 korrik 2013 – Ka kaluar një kohë shumë e gjatë qëkurse poeti i mrekullueshëm rus Sergej Esenin, në letrën e tij të lamtumirës, ka thënë të vërtetën e pakundërshtueshme se “Vdekja s’është e re në këtë botë / As të rrosh nuk është gjë e re”.

Megjithatë dua të besoj se është e vështirë të gjendet një njeri i vetëm nga ata që e njohën doktor Ajaz Ajazajn apo punuan me të, që të mos ndiejë pikëllim të thellë në shpirt, kur të dëgjojë lajmin se ai që kishte bërë aq shumë për të lehtësuar dhimbjet e të tjerëve, pas një lëngate të gjatë dhe të pamerituar, por edhe para kohe, u nda përgjithmonë fizikisht nga gjiri i shokëve, miqve, të afërmve, vëllezërve fisnikë si kalorës të vërtetë, gruas së tij plot dinjitet Elvirës dhe vajzave që aq shumë i deshi.Bir i një prej familjeve të dëgjuara për atdhetari, ai gjithë jetën eci në gjurmët e të parëve të tij, (dhe natyrisht të babait Shyqyri që me trimërinë që tregoi gjatë luftës për liri dhe besnikërinë pas çlirimit të vendit, u bë mburrja, jo vetëm e Ramicës prej nga ishte, por dhe e gjithë krahinës së Vlorës e më gjerë) dhe pasi kreu studimet e larta dhe u titullua mjek, kudo që shërbeu, deri në zonat e largëta të Kukësit, Ajazi, me punën e tij të palodhur, me aftësitë e spikatura profesionale, me korrektesën dhe ruajtjen deri në qelizë të pastërtisë morale, arriti të bëhet një figurë e nderuar dhe e respektuar për të gjithë.Dhe sidomos në Durrës, ku jetoi dhe punoi gjatë si gjinekolog, ai u bë personifikim i mjekut human që kurrë nuk bënte dallim midis pacienteve dhe asnjëherë nuk prirej nga interesi.Për doktor Ajazin, për karakterin e tij të paepur, të gjithë ishin njësoj: gratë – nëna shenjtore që lindnin fëmijë – engjëj.E kush nuk e ka ndier dorën e tij të ngrohtë sa herë ka pasur nevojë? E kush nuk e di se për të nuk kishte ditë apo natë, orar pune a pushimi? Ithtar besnik i Hipokratit, ai lumturohej kur gruaja që i rrinte tërë kohës te koka e krevatit, shpëtonte dhe fëmija lindte i shëndetshëm.I pandarë nga librat, ai e radhiti veten tek intelektualët e shquar të qytetit tonë dhe u bë një nga emrat e mëdhenj të asaj, që, me të drejtë, do ta quaja “shkolla durrsake e mjekësisë”.Edhe kur padrejtësia dhe intrigat meskine (pjesë e pandarë e natyrës njerëzore) e ndëshkuan duke e dërguar fshatrave të Kavajës, ai asnjëherë nuk u ankua, por përkundrazi, pohonte çiltërsisht se edhe këta njerëz si gjithë të tjerët janë dhe punonte me shumë devocion dhe pa u lodhur kurrë.Duke qenë një familjar shembullor, armik i përhershëm i vesit dhe shumë i virtytshëm, për t’i mbyllur këto pak fjalë modeste, nuk gjej tjetër, veçse të përsëris atë shprehjen që artikuloi dikur nipi francez për gjyshin e tij Justin Godart, mikun e madh të shqiptarëve se “Dhe mua më vjen mirë të besoj se ai u largua i gjallë nga kjo botë.”Se të gjithë ne, sa herë do kalojmë pranë asaj ndërtesës atje në bulevard, që ishte dikur materniteti i vjetër, do të na shfaqet i gjallë dhe plot jetë doktor Ajazi, i qetë, i thjeshtë, dhe i qeshur, veshur me një bluzë të bardhë si bora, të cilit i dallohej që larg ajo mirësia që i buronte nga një zemër akoma më e bardhë.

Shkruar nga Shpendi Topollaj

/red. th.m. për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”/