Nga Gëzim KABASHI

Këto radhë janë shkruar vite më parë për një zonjë shumë të respektuar në Durrës.

Ajo ka ndërruar jetë pesë vjet më parë.

Vera Agovi (14 mars 1931 – 17 nëntor 2017) është bërë e njohur si mjeke popullore dhe njerëzit vazhdojnë ta  nderojnë për humanizmin e rrallë.

Po cila ishte mjekja popullore e Durrësit?

Duart e Verës kanë shëruar qindra pacientë me djegie në pjesë të ndryshme të trupit dhe ilaçet e saj të përgatitura me bimë mjeksore i kanë kthyer buzëqeshjen plot njerëzve.

Megjithëse ka punuar 43 vjet radhazi kryesisht në sistemin shëndetsor znj. Agovi është kujdesur njëlloj si për familjen edhe për bashkëqytetarët e shumtë, që kanë trokitur në derën e familjes Agovi për të gjetur “derman” për hallet e tyre.

“Djegia nuk është një gjë që pret-tregon Vera Agovi. Sa më shpejt të kurohet i sëmuri, aq më shumë mundësi ka që shenjat të hiqen sikur nuk kanë qenë kurrë”.

Terapia e mjekes popullore është shumë e thjeshtë, ndoshta aq shumë sa që janë të pakët mjekët që e pranojnë zgjedhjen fatlume të Vera Agovit.

“Pomada që përgatis me bimë mjeksore, të cilat i mbledh vetë, shtrohet lehtë në vendin e djegur, si të ishte një krem fytyre-tregon Vera. Mbi të vendoset një letër kartpecetë, të cilën mund ta heqësh më pas me ndihmën çajit kamomil të vakët”.

Kjo është në thelb edhe “plastika popullore” që përdor Vera, e cila ngulmon se letra I heq qelizat e vdekura. Ato fillojnë të zëvëndësohen me qelizat e reja me ndihmën e ilaçit, që ka në bazë bimë mjeksore dhe vaj ulliri. Por bashkë me medikamentin “firmato Vera” për të arritur rezultatin e dëshëruar duhet një mjekim intensiv dhe shumë i kujdesshëm.

“Ka raste kur mjekimi duhet përsëritur katër herë në ditë dhe gjithçka duhet kryer me shumë kujdes-tregon Vera, pikërisht atë copëz të humanizmit, për të cilin bashkë me pacientët dhe familjarët e tyre e nderojnë edhe durrsakët.

E me siguri ka ardhur koha që edhe Bashkia e qytetit dhe shoqata “Durrësi” të kujdesen për ti dhënë kënaqësinë e merituar mjekes popullore, që u kthen vërtet buzëqeshjen pacientëve të saj.

Tradita 80-vjeçare e familjes

Vera Agovi është gjyshe dhe stërgjyshe e lumtur. Katër fëmijët e saj, Zana, Irma, Alma dhe Seiti, e kanë bërë shtatë herë gjyshe dhe pesë herë stërgjyshe. Një kënaqësi e madhe që ajo e përjeton njëlloj edhe për njerëzit që arrin të ndihmojë.

Më 14 mars, pikërisht  Ditën e Verës ajo do të festojë 81-vjetorin e lindjes.

Një jetë kushtuar familjes, por edhe pacientëve nga Durrësi, Tirana, Kavaja dhe Shijaku.

Puna humane e Verës i ka rrënjët në familjen e saj gjirokastrite.

“Gjyshja Merushe e mësoi mjekimin për djegiet nga Basho Gole, një minoritar që banonte në Cfakë-tregon Vera historinë e 8 dekadave më parë. Basho ishte mjek popullor dhe ia tregoi të fshehtat e ilaçit gjyshes sime atëherë kur erdhi të mjekonte vëllain tim, që u dogj me qumësht të nxehtë në shtëpinë që kishim në Dunavat-vazhdon Vera.

Bashkë me traditën gjirokastrite familja e gjyshërve të Verës solli në Durrës edhe “farmacinë e vogël të djegieve”, e cila dora dorës i kaloi në trashëgimi nënës Zaho.

Njëlloj si gjyshja e saj, edhe Vera i ka përgatitur për herë të parë mjekimet popullore të gjyshe Merushes dhe të nënë Zahos atëherë kur njëra nga vajzat e saj është djegur me ujë të vluar.

Deri atëherë në shtëpinë që ndodhej te Pusi i Toponasë, thuajse në qendër të Durrësit, Vera ishte marrë vetëm me punët e një amvise, ndërsa kishte punuar edhe si edukatore në çerdhe apo në sistemin shëndetsor. Ka mjaftuar kaq që Vera ti shtohet listës së traditës mjeksore të gjyshe Merushes dhe nënë Zahos.

Më pas shumë njerëz i kanë besuar duarve të Verës. Punëve të shtëpisë dhe të shtetit iu shtua edhe trokitja e njerëzve orë e pa orë dhe me halle shëndeti që nuk prisnin.

“Në fillim mbaja shënime për pacientët, më pas nuk u kujdesa më për këtë-thotë me keqardhje Vera Agovi, e cila shpreson të gjejë ne shtëpi një nga blloqet e vjetër që përdorte si regjistër.

Tre ditë më parë një burrë i moshuar më kishte treguar për mrekullitë e mjekes popullore.

“Djali im u dogj nga shpërthimi i një bombole gazi. Qe një tragjedi e madhe, sepse së bashku me të u dogjën edhe e shoqja dhe i biri. Unë kisha besim të plotë në aftësitë e Verës dhe vërtet ajo ia doli-më tregonte Muhameti, një nga familjarët e shumtë që i janë drejtuar për ndihmë mjekes popullore.

“Më parë rastet më të shumta ishin djegiet me ujë të vluar, me qumësht apo me gjellë, kurse 15 vjetët e fundit janë shtuar shumë dëmtimet nga gazi-tregon Vera, duke iu kthyer edhe një herë terapive: Pjesa që rigjenerohet me vështirësi janë artikulacionet, pra përthyerjet e lëkurës. Ndonjëherë ato mbesin të ngjitura pas djegieve dhe efekti i ilaçit me bimë mjeksore është tamam ky”.

Sipas saj këto ilaçe me bimë mjeksore shërbejnë edhe për sëmundje të tjera si fistulat apo hemorroidet.

Duhet shumë durim për të luftuar me djegiet. Ka patur raste kur mjekimi është ndërruar edhe katër herë në ditë dhe gruaja humane nuk ka përtuar ta bëjë këtë, duke shkuar në banesat e pacientëve.

Njerëzit i janë mirënjohës Verës. Ky është shpërblimi më i rëndësishëm për mjeken popullore.

Ka edhe diçka tjetër që e gëzon pa masë zonjën 81-vjeçare.

Njëra nga vajzat e saj po e vazhdon traditën e bijave të familjes që ka nisur po aq vite më parë. Ky është brezi i katërt i mjekeve popullore në shtëpinë e Verës.

“Zana është inxhinjere elektronike, megjithatë prej kohësh ajo i është kushtuar edhe mjekimit të djegieve-tregon Vera. Madje pomadat e përgatitura prej saj kanë tërhequr edhe vëmendjen e farmacistëve të huaj-tregon me krenari Vera Agovi, mjekja popullore e Durrësit.