Nga BUJAR QESJA

Trageti i linjës Bari-Durrës, në këtë të shtunë të 27 janarit 2024, sjell edhe trupin e pajetë të emrit të njohur të sportit dhe artit durrsak Xhavit Sharra. Prej vitesh, Xhaviti banonte në Itali së bashku me familjen në qytetin Prato pranë Firences, por kurdoherë jetoi me mallin për qytetin, që iu përkushtua dhe e ruajti si gjenë më të shenjtë.

Dinastia Sharra, si pjesë historike e lagjes së famshme dhe me prestigj në Durrës Sefer Efendiu, është shumë e njohur. Ndër më të veçantët, mbetet kampioni i boksit dhe i notit, si dhe i fushës së trajnimit Hysen Sharra. Vëllai i tij Xhaviti, ndoqi të njëjtën rrugë.

Punonjës në Portin Detar, kjo epiqendër e palcës së punëtorisë durrsake, pati rastin të përfshihesh në grupin amator të klubit të kulturës “Mujo Ulqinaku”ndër më të njohurit në rrethin e Durrësit dhe jo vetëm, duke krijuar personazhe me vlerë dhe që kujtohen edhe tash e kësaj dite.

Veç artit, ai u dha me pasion dhe talent edhe pas notit, nostalgjia e palëkundur e durrsakëve dhe boksit. Ishte personazh këtu, por gjeti kohë të mbetet edhe pjesë e historikut të gjykimeve në futboll. Fatmir Tare, kriminolog i njohur, gjyqtar ndërkombëtar dhe nga themeluesit e kolegjumit të arbitrave në Durrës, është i pikëlluar.

-Ndonëse u ndamë prej vitesh, pasi jetoi në Itali, nënvizon Tare, por gjenim rastin të takoheshin dhe të kujtonim kohët e arta, ku ishim përfshirë në gjykimet sportive, veçanërisht në futboll. Si asistent me shumë vlera, Xhavit Sharra dha ndihmesë të çmuar në rritjen jo vetëm të nivelit të futbollit në vendin tonë, por edhe të formimit të autoritetit të gjykimeve të kolegjumit të arbitrave të futbollit të Durrësit. Nuk do ta harroj kurrë angazhimin në sporte dhe miqësinë me të.

Durrësi është çquar në gjykimet në lojën e futbollit. Xhavit Sharra është renditur me shumë autoritet krahas emrave të njohur të gjykimeve si Met Myshku, Ilia Doraci, Spiro Sterjo, Astrit Canaj, Reshat Qatja, Fatmir Tare, Aleksandër Trungu, Ferdinant Behari, Kamber Alia, Idriz Gashi, Sabri Vaja, Pali Malja, Pëllumb Deliallisi, Xhevdet Kacabani etj.

Edhe në Itali, në qytetin Prato ku u vendos së bashku me familjen, ruajti vlerat e qytetarisë durrsake, duke u intregruar aktivisht në shoqërinë e civilizuar italiane.

Xhavit Sharra i lindur në Tiranë me 7 shkurt 1944 dhe që tërë kohën banoi dhe jetoi në Durrës, krijoi portretin e njeriut të ndershëm, të aftë në profesion, por shumë kontributor ne jetën shoqërore, sociale dhe sportive në Durrës.

Humbja e tij dhëmb, pasi ndërtoi raport aktiv me jetën e Durrësit dhe u bë shumë i dashur për durrsakët. Trageti i linjës Bari –Durrës ankorohet në portin e Durrësit. Një makinë funerali ofrohet dhe vendos brenda saj arkivolin me trupin e Xhavit Sharrës.

Amaneti i tij që të prehet në Durrës, është brenda logjikës të jetës që konsumoi, ku qyteti dhe durrsakët mbeten të pazëvëndësueshëm.

Në varrezat e vjetra të Durrësit, nga dita e nesërme, 28 janar 2024, do të jetë edhe varri i Xhavit Sharrës, këtij njeriu përjetësisht të paqëm.

Foto 1: Xhavit Sharra.

Foto 2: Treshja e gjyqtarëve durrsakë, me kryesorë ndërkombëtarin Fatmir Tare. Në të djathtë të tij Xhavit Sharra dhe në të majtë Aleksandër Trungu. Përmet 1993.