Nga BUJAR QESJA

Herët në mëngjesin e sotëm, të së hënës 25 korrik 2022, vura re që njoftohej për ndarjen nga jeta të Zhaneta Karolit. Ceremonia mortore, ishte bërë të dielën e 24 korrikut 2022. E njihja këtë grua, së pari nga personaliteti i saj. Së dyti nga origjina e familjes, së treti nga bashkëshorti dhe së katërti nga pasardhëset që la.

Zhaneta u preh në paqen e përjetshme, pranë një personaliteti të jetës ekonomike dhe sociale të Durrësit, Marko Karolit. Ky kuadër dhe intelektual i rrallë, pati jetën e shkurtër, por emrin e mirë që la të paharruar. Sëmundja e rëndë e largoi nga ne në vitin 1977, 45 vite të shkuara, duke jetuar 55 vjet. Dhe Zhani tashmë i bashkohet Markos, duke përbërë një çift të rrallë bashkëshortësh, ku do të vazhdojnë gjithnjë të kujtohen. Punuan shumë, dhanë shumë dhe u respektuan shumë.

Zhaneta Karoli, lindi në vitin 1936 në Luaras, një kryeqendër e Kolonjës. Mbiemri i saj është shumë i njohur, Luarasi. Është e motra e regjizorit të famshëm të teatrit Mihal Luarasi, që u nda nga jeta pesë vite më parë. Ajo lidhi jetën me djalin nga Polena e Korçës Marko Karoli, duke krijuar atë dyshe të veçantë, me një prezantim fantastik për kohën që punuan në Durrës.

Zhani është nëna e dy vajzave Arianës dhe Laureshës, duke krijuar edhe ato familjet e tyre, e duke ecur në gjurmët e prindërve. Ariana lidhi jetën me kuadrin e Fllotës Detare Tregtare Aleksandër Gjermeni. Është kryetari i Shoqatës Kombëtare Detare “Adrion”. Ka mbaruar Akademinë e Marinës në Vlorë dhe studimet e larta për juridik. Ndërsa Lauresha ka ndërtuar familjen, me intelektualin Agron Veseli. Të dyja vajzat, ia kanë ngritur edhe më shumë krenarinë prindërve të tyre të shtrenjtë Marko dhe Zhaneta Karoli.

Zhani një grua fisnike në të gjitha angazhimet shtetërore, ka spikatur për korrektesë dhe ndershmëri absolute. Ajo krijoi një rreth shoqëror për t’u patur zili, duke lartësuar personalitetin e një zonje të nderuar dhe të respektuar. Zhani kaloi shumë peripeci në jetë, duke përballuar me suksese situata pse jo edhe dramatike, që krijoheshin nga sistemi i kaluar. Si një grua e rrallë, i qendroi besnike të shoqit në çaste delikate. Ajo u përbetua se do ta mbante të fortë familjen e saj, kur bashkëshorti Marko Karoli mbylli sytë në dhjetorin e vitit 1977. Dy vajzat ishin të vogla dhe ajo u kujdes në mirërritjen shkollimin dhe daljen në jetë të tyre.

Arjana dhe Lauresha janë të njohura në profesionet që kryejnë, me shoqëri të pastër dhe të kristalizuar. Kjo ia lehtësoi dhimbjen Zhanit, pas largimit të Marko Karolit. Me kurajo përballoi prej disa vitesh sëmundjen e rëndë, duke tentuar t’ua lehtësonte kujdesin vajzave të saj.

Me 24 korrik 2022, u përcoll për në banesën e fundit Zhaneta Karoli. Bëri më të mirën në jetë. Bashkshorte e dhëmbshur, nënë e përkushtuar, gjyshe e dashur për mbesat. Zhaneta Karoli mbetet pikë referimi, se si një grua me karakter dhe moral të lartë, ia del dhe ruan krenarinë edhe në situata delikate. Për këtë meriton të kujtohet edhe më shumë.

Në këtë humbje të ndjeshme, pse jo edhe për qytetarinë durrsake, i shprehim ngushëllimet më të prekshme dy vajzave Arianës dhe Laureshës, familjeve të tyre dhe të afërmëve të tjerë.

Dheu i lehtë Zhaneta! Së bashku me Marko Karolin, si në të gjallët tuaj, ashtu edhe në botën e përjetshme, do të mbeteni pjesë aktive e mburrjes dhe krenarisë tonë. Durrsakët nuk do t’ua harrojnë përpjekjet që bëtë, në përparimin dhe civilizimin e shoqërisë.

Do të mbeteni pjesë e artë dhe me shkëlqim të pazbehur.