Pas humbjes së përballjes gjyqësore me Ramën në Apelin Administrativ, KLD i është drejtuar Gjykatës së Lartë përmes një rekursi. Në datën 26 tetor 2015, Gjykata Administrative e Apelit vendosi që pranonte padinë e bërë nga Ina Rama kundër KLD-së, duke pranuar të drejtën e saj për rikthim në Gjykatën e Apelit, pas përfundimit të detyrës si kryeprokurore. Por KLD-ja bëri rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kundërshtimi i vendimit është regjistruar më 11 janar 2016.
Çështja është shqyrtuar nga një Kolegj Administrativ i kryesuar nga gjyqtarja Ariana Fullani, ku është vendosur që rekursi i KLD-së të rrëzohet që në dhomën e këshillimit. Vendimi në fjalë tashmë është përfundimtar, i formës së prerë dhe i detyrueshëm për t’u vendosur në zbatim nga ana e KLD-së. Përmes këtij rekursi, KLD-ja kërkonte shfuqizimin e vendimit të Apelit Administrativ të datës 26 tetor 2015, raporton “Panorama”.
Vendimi në fjalë në Apelin Administrativ i dha ish-kryeprokurores të drejtën për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vendim thuhej se Apeli Administrativ ka vendosur “detyrimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e paditëses Ina Rama në detyrën e gjyqtares së Gjykatës së Apelit Tirane”.
Në këtë vendim, Apeli ndryshoi vendimin e Administratives së Shkallës së Parë, që rrëzoi pretendimin e Ina Ramës. Ish-prokurorja e Përgjithshme, Rama, nisi betejën e saj gjyqësore me KLD-në për shkak të vendimit të këtij Këshilli të datës 24 shkurt 2014, që nuk pranoi kërkesën e saj për rikthim në sistemin gjyqësor. Kërkesa u argumentua me hapësirën që i jepte ligji, që pas përfundimit të mandatit mund të emërohej në një vend të barasvlershëm me atë Apelit të Gjykatës për Krimet e Rënda, pozicion që Rama gëzonte para se të emërohej kryeprokurore.
KLD arsyetonte në vendim se Apeli i Krimeve të Rënda nuk ishte i barasvlershëm me atë të Tiranës. Sipas KLD-së, për t’u emëruar në Apelin e Tiranës, Rama duhet t’i nënshtrohej konkurrimit. Nga ana e saj, Rama e shihte si të papajtueshëm kthimin e saj te Krimet e Rënda, prej faktit se atëkohë kjo gjykatë po shqyrtonte çështje penale që ishin iniciuar në kohën kur ajo ishte kryeprokurore.





