TIRANE, 03 mars 2013 – Ish-kryeprokurorja Ina Rama hodhi poshtë deklaratat e PD-së, për mundësinë e përfshirjes së saj në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, ish-kryeprokurorja Rama nuk jep detaje nëse ka marrë ndonjë propozim nga të majtët për të kandiduar nën siglën e PS-së, por hedh poshtë çdo mundësi për t’u përfshirë në politikë, duke nënvizuar faktin se synimi i saj është të vijojë të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Për të përmbushur këtë synim, ish-kryeprokurorja Rama bën me dije se ka depozituar në KLD kërkesën për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin e saj si gjyqtare në Gjykatën e Apelit, Tiranë. 

“Pas përfundimit të ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, në mesin e muajit janar, kam paraqitur zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kërkesë për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin tim si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Për këtë kërkesë gjithashtu kam bërë me dije zyrtarisht edhe Presidentin e Republikës, Z. Bujar Nishani. Kjo kërkesë është mbështetur në garancitë që jep neni 7 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, për Prokurorin e Përgjithshëm që mbaron mandatin e tij kushtetues dhe në faktin që para kësaj detyre, kam ushtruar funksionet e gjyqtares së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Neni 7/1.3 i ligjit parashikon se “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm.” Përtej të drejtave që jep ligji i mësipërm, kjo kërkesë mbështetet në vullnetin tim për të vazhduar dhe ndjekur profesionin tim, brenda sistemit gjyqësor, pjesë përbërëse e të cilit kam qenë që nga fillesa e karrierës time. Këto fakte tregojnë qartë për mungesën e interesit tim për t’u përfshirë në ndonjë projekt politik dhe për ekzistencën e plotë të dëshirës sime për të mbetur pjesë e sistemit të drejtësisë. Për më tepër mbetem në pritje që Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ta trajtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim lidhur me kërkesën që kam paraqitur.”- thekson ish-kryeprokurorja Rama. 

Deklarata e PD-së

Në një deklaratë për media, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, kujtoi se Edi Rama dhe Ilirian Celibashi vodhën mandatin e Spartak Ngjelës, në kohën kur ky I fundit kandidoi kundër Ramës për postin e kryebashkiakut të kryeqytetit. Sipas selisë blu,  PS do të vijojë të prezantojë si kandidatë për deputetë njerëz me të cilin e lidhin vetëm interesat personale. 

“Doli para mediave dhe njoftoi zëvendësimin e Gramoz Rucit si kryelistë në qarkun e Fierit me ish kryetarine KQZ-së, famozin Ilirjan Celibashi me të cilin i vodhi mandatin Spartak Ngjelës, si rival që e kishte për kryetar bashkie. Burime nga selia “mavi” e partisë së re të Ramës bëjnë të ditur se keto ditë, Rama do të paraqesë kandidatë për deputete ish kryeprokuren e pergjithshme Ina Rama e cila e mbrojti atë si avokate, nga hetimi si kryeorganizatori i puçit të 21 janarit. Listës së kandidatëve do ti shtohet Dhori Sollaku me urdhër të prerë të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” që sundon mbi Z. Rama. Keshtu mesa duket partia e re e Edi Rames perveç 99-shave dhe Mjaftuceve do përfaqësohet më shumë se kurrë nga bota e krimit dhe mbrojtësit e saj”, u shpreh Vorpsi.