Më shumë se 4 vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, hapi sot dyert shkolla e re 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës, e rindërtuar me standarde europiane. Kjo shkollë pësoi dëmtime të rënda nga lëkundja sizmike dhe Instituti i Ndërtimit vendosi për shembjen e saj.

Sot, gjatë përurimit të godinës arsimore ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit Ogerta Manasterliu, ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako dhe përfaqësuesja e UNDP, Monica Merino.

Krahas shkollës dhe kopshtit “Eftali Koçi” po sot u inaugurua edhe çerdhja nr.2, një tjetër godinë e dëmtuar nga tërmeti.
 
Këto dy institucione janë dy prej 18 objekteve arsimore pjesë e Bashkisë Durrës, të cilat janë në fokus të “EU4Schools”.

Nga riparimi i Çerdhes Nr. 2 Durrës përfitojnë drejtpërdrejtë 120 fëmijë, 17 staf mësimor dhe 7,000 banorë të komunitetit.

Ndërsa nga rindërtimi i shkollës 9-vjeçare & kopshtit “Eftali Koçi” falë “EU4Schools” përfitojnë drejtpërdrejtë 542 nxënës, 40 fëmijë, 36 mësues/e dhe 53,000 banorë të komunitetit.

Gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e shkollës së re doli në dritë një zbulim shumë i rëndësishëm arkeologjik. Ekipi i arkeologëve, i drejtuar nga Iris Pojani zbuloi në vitet 2022-2023 fragmentin e murit rrethues të Dyrrahut antik, të shekullit V të e.s..

Gjetjet e rëndësishme shkaktuan spostimin e projektit të shkollës 9-vjeçare, e cila nuk u rindërtua mbi gjurmën e dikurshme.

Ky zbulim arkeologjik pritet që së shpejti të marrë statusin “Monument kulture” i kategorisë së parë, ndërsa do të kthehet në një sit të mirëfilltë arkeologjik, të vizitueshëm nga të gjithë.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me një vlerë prej 75 milionë Euro dhe zbatohet nga UNDP Albania në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare. Projekti synon rindërtimin ose riparimin e 60+ objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019-të, me përfitues të drejtpërdrejtë 25,000 nxënës, mësues dhe fëmijë.