Shqipëria dhe Kosova tanimë janë të lidhura me një “autostradë energjetike”. Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e inaugurimit të përfundimit dhe vënies në punë të linjës së interkonjeksionit 400 kV mes dy vendeve. Projekti u financua nga banka gjermane KfW, për pjesën e Shqipërisë kushtoi 29 milionë euro, ndërsa punimet në terren filluan prillin e vitit 2014 dhe përfunduan këtë qershor. 

Në ceremoninë e inaugurimit të pranishëm ishin dy kryeministrat Edi Rama e Isa Mustafa si dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri.

Rama e cilësoi investim strategjik që diversifikon burimet energjetike midis Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë fjalës së mbajtur, Rama shtoi se dy vendet duhet që të krijojnë një bursë të përbashkët energjie, me qëllim që të rrisim mirëqenien e popullit dhe të dalim në tregun evropian të sigurt dhe të bashkuar.

“Sot krijojmë premisën themelore për një treg të përbashkët të energjisë për një reduktim të konsiderueshëm të kostove. Ne jemi të vetëdijshëm se asnjë prej dy shteteve tona nuk ka rezerva të diversifikuara.

Nëse në Kosovë, 97% e energjisë prodhohet nga termocentralet, në Shqipëri thuajse e gjitha prodhohet nga hidrocentralet. Mjafton pamja e dy anëve të kësaj medaljeje për të kuptuar se çfarë rëndësie strategjike ka që ne të punojmë, që burimet e ndryshme t’i vëmë në shërbim të njëri-tjetrit dhe kështu kthehemi në hapësirë të diversifikuar”, u shpreh Rama.

Një tjetër investim strategjik është dhe ai me Maqedoninë, ku projekti i interkonjeksionit do të përfundojë brenda vitit 2018. Duke cituar një studim të Komisionit Evropian, kryeministri Rama tha se përfitimet shtesë për Shqipërinë janë 315 milionë euro.

“Kjo autostradë e re që fillon me Maqedoninë, pritet të përfundojë brenda vitit 2018 dhe do të mundësojë lidhjen e Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë me Shqipërinë, dhe më tej me Italinë dhe Evropën Qendrore.

Ky investim është edhe më i madh dhe sipas studimit të Komisionit Evropian, do të krijojë 315 milionë euro shtesë në Prodhimin e Brendshëm Kombëtar të Shqipërisë dhe do të ketë 800 mijë përfitues të drejtpërdrejtë pa llogaritur dhjetëra mijëra biznese”, deklaroi Rama.