Të enjten, më datë 10 mars, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) inauguroi Hubin e Teknologjisë Virtuale dhe Inovacionit, një investim i rëndësishëm në kuadër të projektit Erasmus+: “Përshpejtimi i Modernizimit të Universitetit në Ballkanin Perëndimor përmes Teknologjisë Virtuale”.
Në inaugurim morën pjesë Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, koordinatorja e projektit, Prof. As. Dr. Albana Ndreu, këshilltarja e Ministrisë për Mbrotjen e Sipërmarrjes, znj. Migena Muslli, Drejtoresha Ekzekutive e Albanian Skills, Ana Zakarian si dhe të ftuar nga universitetet partnere.
Në fjalën e saj të mirëseardhjes, Sotirofski falenderoi organizatorët dhe u shpreh se “ky hub është i një rëndësie të veccantë, pasi së pari iu shërben studentëve dhe stafit, dhe së dyti, sepse është një ndër të vetmit në universitetet shqiptare”.
“Synimi ynë është që përmes këtij projekti ne t’iu përgjigjemi edhe nevojave sipërmarrjes apo palëvë të tjera të interesit”, theksoi ajo.
Për koordinatoren e projektit, Prof. As. Dr. Albana ndreu, “kjo hapësirë synon të kontribuojë në modernizimin e mësimdhënies përmes teknologjive virtuale. Tashmë, në vitin e tretë të projektit, kemi ndërtuar kapacitetet për studentët dhe stafin dhe po punojmë mbi krijimin e lëndëve në VR”, deklaroi ajo.
Më pas fjalën e mori Migena Muslli, këshilltare në Ministrinë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ajo përgëzoi drejtuesit e Universitetit për suksesin e arritur në projekt dhe u shpreh se “nisma si kjo e sotmja janë të rëndësishme sepse iu shërbejnë të rinjve për të zhvilluar sipermarrjet e reja. StartUp-et e nisin jetën në laboratore të tilla”, u shpreh ajo duke ofruar mbështetjen institucionale të ministrisë.
Nën drejtimin e UAMD-së, projekti “Përshpejtimi i Modernizimit të Universitetit në Ballkanin Perëndimor përmes Teknologjisë Virtuale” aplikohet për herë të parë në universitetet e Ballkanit Perëndimor.
Përmes tij synohet integrimi i teknologjive virtuale si mjete për të përshpejtuar modernizimin e universiteteve, dhe për ndërtimin e mëtejshëm të shoqërisë digjitale në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor.