Pranë Kishës së Shën Dominikut në Durrës, këtë të premte u bë inaugurimi i një fushe sporti multifunksionale, projekt i investuar nga Ambasada Hungareze, nën praninë e Ambasadorit Hungarez dhe Arqipeshkvit Metropolitan Tiranë – Durrës, Imzot George Frendo.
Famulltari i Kishës Bernard Caruana, tha se kjo hapësirë shërben për bashkësinë tonë katolike, bashkësinë tonë famulltare, që funksionon për Durrësin prej më shumë se 20 vitesh.
“Falë Ambasadës Hungareze, Arqipeshkvit, Bashkësisë Dominikane në Durrës, motrat që kanë përgatitur fëmijët e adoleshentët; bashkësisë katolike në Durrës, u bë i mundur realizimi i këtij projekti”, u shpreh atë Caruana.
Në fjalën e tij të përshëndetjes, Ambasadori hungarez ka vlerësuar lart vlerat e vendit tonë si popull me tradita të lashta që ka nxjerrë nga gjiri i tij një personalitet si Nënë Tereza, duke prekur nga ana tjetër edhe disa fenomene të terrorizmit ndërkombëtar sot në botë.
“Uroj që ky kompleks të shërbejë si bazë që mban bashkë komunitetin katolik të qytetit dhe po ashtu ndihmon në mbijetesën e besimit të qytetarëve.
Jetojmë në kohëra të çuditshme, kur në Evropë dhe në kontinente të tjera njerëzit që mendojnë se janë modernë, lëshojnë fenë e tyre për hir të parasë, të pushtetit ose për gjëra të tjera që nuk mund të ofrojnë as lumturi, as paqe shpirtërore. Përveç kësaj, kemi dhe sulmet radikale terroriste kundër të krishterëve, kundër kishave ose shkollave tona. Feja jonë u bë një fe e sulmuar nga të gjitha anët”.
Ambasadori shtoi se shteti hungarez do të vijojë të investojë në vendin tonë, në riparimet e objekteve fetare të dëmtuara nga tërmeti.
“Qeveria hungareze ka themeluar para 3 vitesh programin “Hungaria ndihmon”, qëllimi i të cilit është të ndihmojë të krishterët kudo që janë. Rinovojmë kisha, ndërtojmë shkolla ose spitale katolike.
Kompleksi sportiv i Durrësit, është po ashtu një shembull i vogël i asistencës hungareze, por do të vazhdojmë me rinovimin e kishave të dëmtuara gjatë tërmetit të vitit të kaluar”.
Pas ceremonisë, Imzot Frendo ka bërë bekimin e terrenit sportiv dhe një grup të rinjsh kanë interpretuar një cikël me valle popullore.
S.L.





