Sektori i Karrierës dhe Alumnit në UAMD inauguroi sot mjediset e reja. Investimi u mbështet nga projekti zviceran RISIAlbania.

Në inaugurim morën pjesë z. Patrik Meier, Zëvendës – Kreu i Misionit të Ambasadës së Zvicrës, përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Tiranë, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të universiteteve partnere.

“Misioni ynë është kalimi i suksesshëm i studentëve nga jeta universitare drejt udhëve të tyre të karrierës. Pavarësisht sfidave, ne jemi të lumtur që kemi ekipin dhe infrastrukturën e duhur në mënyrë që të ndërtojmë ura lidhëse mes të rinjve dhe tregut të punës”, u shpreh rektorja Sotirofski.

“Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka lehtësuar zhvillimin e shërbimeve të karrierës në Shqipëri. Ato janë të domosdoshme për punësimin e të rinjve në vend. Sot jemi të lumtur të shohim arritjet e UAMD-së në një kohë kaq të shkurtër dhe mes shumë sfidave”, tha Zëvendës – Kreu i Misionit të Ambasadës së Zvicër Z. Meier.

Për Drejtorin e Administrimit dhe të Shërbimeve Akademike, Xhafer Rakipllari, “zyra do të t’ju ofrojë studentëve informacione dhe trajnime mbi situatën në tregun e punës, njohuri bazë mbi procesin e aplikimit për punë, si dhe mundësi për zhvillimin e aftësive të tyre. Studentët do të njihen vazhdimisht me oferta për punësim, praktika apo punë vullnetare”.

Këshilluesit e karrierës të UAMD-së janë trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare “Global Career Development Facilitator”. Ata përdorin mjete pune të përshtatura sipas kontekstit të Shqipërisë dhe nevojave të të rinjve në vend.