Nga sot, Durrësit iu shtua një tjetër shkollë e re, këtë herë në njësinë administrative Manëz.
Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare “Zyber Sallaku”, ku mësojnë rreth 270 nxnënës.
Deputeti i kësaj zone, Jurgis Çyrbja ka qenë i pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, së bashku me ministren e arsimit, Ogerta Manastiriu dhe kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako.
I përkushtuar ndaj problematikave të kësaj zone periferike të Durrësit, deputeti Çyrbja ka ndjekur në mënyrë rigoroze të gjitha etapat e punës për ndërtimin e këtij institucioni arsimor.
“Një projekt i CIS, financuar nga qeveria e Danimarkës dhe Britanisë së Madhe dhe zbatuar nga UNDP, do të jetë një qëndër komunitare në funksion të gjithë komunitetit të zonës.
Kemi ndjekur hap pas hapi ndërtimin e këtij institucioni arsimor të rëndësishëm për Manzën, pasi 12 Klasa dhe 272 nxënës do të ulen në banka si moshatarët e tyre evropianë, me të njëjtat standarde!”,- shkruan deputeti Çyrbja në rrjete sociale.
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, shumë institucione arsimore të Durrësit u dëmtuan rëndë, gjë që lindi domosdoshmërinë për rindërtimin apo rikonstruksionin e tyre.
Tashmë me 25 shkolla të rindërtuara dhe 13 të tjera që janë drejt përfundimit, Durrësi renditet ndër qytetet shqiptare me numrin më të lartë të shkollave të reja, të ndërtuara në 4 vitet e fundit.