Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sot përfshirjen e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, në skemën e inceneratorëve.
Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se Rama po tenton që të bëjë ‘kurban’ dhe Peleshin, që sipas tij ka firmosur në shkresat e inceneratorëve.
“Së pari, Edi Rama është kokë e këmbë dhe me firmën e tij i zhytur dhe kryesor në aferën e djegësave.
Këtu, unë kam një vendim të datës 2 nëntor të vitit 2014. Edi Rama me firmën e tij rishikon buxhetin afatmesëm dhe fut në këtë rishikim djegësin e Elbasanit, kontrata për të cilin do firmosej vetëm një muaj më vonë. Kjo shkresë është e datës 2 nëntor, në një kohë kur kontrata është firmosur ditën fatale, siç e kanë quajtur mediat, të qeverisë për djegësat, 16 ose 17 dhjetorin. Së dyti, Edi Rama është personi që ka firmosur lejen e ndërtimit të djegësit të Elbasanit. Kryetari i komitetit ndërministror të emergjencës civile, e ka quajtur veten Edi Rama dhe keni këtu të firmosur planimetrinë dhe lejen e ndërtimit.
Së treti, Edi Rama, tani të lexojmë pak shkresën, sepse këtu Peleshi ka firmosur në një shkresë ku thotë në mungesë dhe me porosi. Për kryeministrin e vendit nuk mund të firmosë kurrë kush pa autorizimin e tij.
Mund të jetë pesë zëvendëskryeministra, asnjëri nuk mund të firmosë nëse nuk autorizohet nga kryeministri. Autorizimi i kryeministrit për firmën mbi dokument është përgjegjësi e plotë e kryeministrit. Dmth autorizimi që i bën kryeministri, e bën atë përgjegjës njëlloj, sikur ka firmosur vetë sepse Këshilli i Ministrave me Kushtetutë, drejtohet nga kryeministri dhe jo nga zëvendësi. Në çdo rast, kur një firmë vihet në mungesë dhe me porosi, përgjegjësia e parë është e atij që ka porositur. Se si mendon Rama të shpëtojë, duke bërë kurban Peleshin, kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka drejtësi në botë që mund ta bëjë këtë. Peleshi është përgjegjës vetë se ka firmosur një akt të kundërligjshëm dhe çdo njeri që vepron në kundërshtim me ligjin, është përgjegjës për veprimin e tij përpara ligjit. ndaj kjo jo nuk e lehtëson Ramën, por përkundrazi bën përgjegjës Ramën dhe zëvendësin e tij, i cili mesa duket do të shkojë bashkë me të.”, tha Berisha.
Berisha tha se Rama ka firmën në financimin me fondin rezervë të qeverisë të djegësit të Elbasanit.
“Edi Rama ka një problem tjetër madhor. Problemi i tij madhor është se ka firmën e tij mbi financimin me paratë e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, të djegësit të Elbasanit. Pra, kjo e bën atë përgjegjësin më kryesor në zbatimin e këtij projekti mafioz. Kurrë ai nuk mund të prekë atë fond për këto qëllime. Kurrë!
Por ai e ka bërë se e kishte sipërmarrjen e tij. E fundit te firmat është firma e tij fatale mbi dhënien e bonusit prej 8 pikësh të një kompanie që nuk ekzistonte kurrë, tetë muaj përpara se ajo të themelohej. Dhënia në dhjetor të vitit 2016 për kompaninë Integrated, edhe pse Ermonela Felaj e ka informuar me shkresë se kjo nuk mund të ndodhë pasi kompania nuk ekziston. Ky ishte projekti i djegësit të Tiranës me të cilin jo vetëm ai, por edhe gjeneratat që do vijnë do të bëheshin të pasur. Kryeministër në botë që pretendon se djegësi i Tiranës është një kompani e Zoto-Mërtirit dhe që të dy janë me mandat arresti dhe në kërkim, paguhen çdo ditë 90 mijë euro, paguhen mbi 2 milionë euro në muaj, kjo ndodh vetëm se është sipërmarrja e tij. Kur vjen puna, ai ka bërë ligjin e konfiskimit, autorizon veten e tij për të konfiskuar, që nuk ndodh as në diktatura. Por kur është puna, atë ligj e ka për të tjerët, jo për sipërmarrjen e vet. Sipërmarrja e vet vazhdon të furnizohet dhe paguhet në kundërshtim me ligjin nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe Edi Ramës t’i shtohen kontot bashkë me Erion Veliajn. Nuk ka firmosur rastësisht Niko aty, është i zhytur edhe ai në pleh. Do dalin edhe dokumentet për zhytjen e tij. Do të shihni ju se si këta anëtarë të organizatës kriminale, kanë shkelmuar çdo interes të qytetarëve shqiptarë. Ahmetaj është, pavarësisht se nuk është akuzuar për dy gjërat kryesore, për dhënien, miratimin, për procedurën me negociata të mbyllura, Ahmetaj ka dhënë miratimin. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave nuk mund të preket pa firmën e ministrit të Financave. U zhvilluan pothuajse një javë negociata me të dhe nuk pati rezultat dhe dje u lëshua mandati i arrestit.”, theksoi ai.