Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako do të jetë nën akuzë edhe për inceneratorin e Elbasanit, përveç atij të Fierit për të cilin po hetohet.
News 24 raporton se Prokuroria e Posaçme, akuzon Bllakon për shpërdorim detyre për Inceneratorin e Elbasanit dhe me ketë akuzë të re, pozita e tij përballe drejtësisë rëndohet së tepërmi.
Prokuroria e Posaçme akuzon zyrtarisht edhe biznesmenin Mirel Mërtiri për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
“Nga tërësia e akteve të këtij procedimi penal provohet fakti dhe krijohet bindja se Alqi Bllako në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në Bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhul Çabiri e Serafin Papa në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të dhënies së koncesionit si dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën në cilësinë e ministrit të Mjedisit, kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë së Posaçme.
Kujtojmë që pak ditë më parë, Apeli i GJKKO ktheu në qeli ish deputetin e PS, pak ditë pasi ai ishte liruar me ‘arrest shtëpie’, me argumentin se mund të largohet nga vendi dhe të prishë provat.
Mirel Mërtiri pritet të shpallet në kërkim, ashtu sikurse më herët është shpallur partnerja e tij Stela Gugallja dhe biznesmeni tjetër Klodian Zoto.
“Shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, thuhet në aktakuzën e SPAK.