Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka marrë vendimin për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë lidhur me aferën e inceneratorit të Fierit.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite burg.
Në seancën e kaluar, (6 shtator) ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka shfajësoi veten përballë akuzave lidhur me inceneratorin e Fierit. I pranishëm në GJKKO në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ish-ministri tha ndër të tjera se nuk ka pasur fuqi vendimmarrëse në këtë çështje dhe se vetëm ka ekzekutuar.
Për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, rikualifikohet vepra në shpërdorim detyre të nëpunësit. Dënohet me katër vjet, zbret një e treta e dënimit dhe i qëndron 2 vjet e tetë muaj burg.
Ndërsa për Klodian Zoton, aksioner kryesor i koncesionarit të Fierit ende në kërkim u kërkua dënimi 12 vite burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ai dënohet me 8 vite burg.
Arben Dervishi, Arjola Kodra dhe Juri Imeraj kanë fituar pafajësinë. Me shërbim prove janë 5 të akuzuar: Gentian Zifla, Regan Merdani, Sabina Canameri, Azem Shateri, Florian Muça dhe Pëllumb Abeshi.
Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën në dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.