Gjatë Kongresit të 49-të të UEFA-s, i cili po mbahet në Beograd, ka ndodhur një incident i rëndë që ka shkaktuar tensione mes Kosovës dhe Serbisë. Flamuri i Kosovës, i cili ishte vendosur në hyrje të sallës së kongresit, është hequr nga Federata e Futbollit të Serbisë.

Në një deklaratë për mediat, institucioni serb justifikoi këtë veprim, duke theksuar se “nuk ka asnjë flamur apo simbol të Kosovës në Kongresin e UEFA-s sot në Beograd” dhe se ky ishte një akt i koordinuar për të shmangur tensionet.

Pas këtij veprimi, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) reagoi ashpër, duke theksuar se Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe duhet të trajtohet me respekt në arenën sportive. “Prania e delegacionit të Kosovës në kryeqytetin serb dhe fakti që flamuri ynë valëviti përkrah atyre të shteteve të tjera vazhdon të jetë i papranueshëm për politikën dhe një pjesë të opinionit në Serbi,” thuhet në reagimin e FFK-së.

Incidenti u përshkallëzua më tej kur në rrjetet sociale u publikua një video ku huliganë serbë shihen duke djegur flamurin e Kosovës në rrugë, veprim i cilësuar si hakmarrje ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, i cili ishte fotografuar pranë flamurit kosovar në kongres.

Ky tension ndodh në një kohë kur Shqipëria dhe Serbia kanë marrë përsipër organizimin e Kampionatit Europian U-21 për vitin 2027, duke ngritur pikëpyetje mbi bashkëpunimin sportiv mes dy vendeve. Deri tani, UEFA nuk ka reaguar zyrtarisht mbi ngjarjen.