ELBASAN, 31 mars 2013– Një incident është shënuar sot gjatë tubimit të Aleanca Kuq e Zi në qytetin e Elbasanit ku 2 persona tentuan te prishin mitingun. 

Burimet bënë të ditur se Spahia është sulmuar me vezë nga një person që ndodhej në turmë, ndërkohë që lideri i kësaj force politike thotë se goditja drejt podiumit është bërë me sende të forta. 

“Në sheshin kryesor të Elbasanit, 2 persona tentuan 2 herë të prishin tubimin duke goditur drejt podiumit me gjysma tullash, me gurë, me leva. Na u desh të qetësonim mbështetësit që kapën këta 2 persona dhe nuk po i lëshonin. Personat janë ndaluar nga aktivistët, janë përleshur për t’i mbajtur dhe policia nuk ndërhyri dhe jo më për ti ndaluar ata”, sqaroi në një lidhje telefonike, Kreshnik Spahia. 

Më tej Spahiu theksoi se më 7 Prill, AK do të mbajë një tubim të fuqishëm që sipas tij, do të jetë dhe fundi i qeverisjes së kryeministrit Berisha. 

“Miting paqësor, por madhështor. 7 prilli do jetë një ditë e madhe, dita e Çlirimit, dita e shporrjes së njeriut më të urryer të gjithë shqiptarëve. Ne e njohim si shtetasi Berisha dhe më pas do njihet si i pandehuri Berisha, njeriu që shiti trojet, por që kreu dhe vrasje, deri dhe vrasje në mes të Tiranës e Tropojës. Le të veshë antiplumb, por orteku kuq e zi do ja shpojë atë jelek”, tha Spahiu.