Vazhdojnë incidentet në qytetin e Kumanovës, në Maqedoninë e Veriut. Pas përplasjeve në lidhje me flamurin shqiptar, mëngjesin e sotëm janë raportuar disa raste zjarrvëniesh të qëllimshme. Siç raportojnë mediat vendase, një lokal, disa makina dhe një shtëpie janë përfshirë nga zjarret që dyshohet se janë vënë qëllimisht. I është vënë flaka zyrës për kontabilitet dhe përkthime gjyqësore përball Gjykatës Themelore në Kumanovë. Zyra në fjalë rezulton në emrin e Fitor Jakupit, këshilltar në Kuvendin Komunal të Kumanovës.

Po mëngjesin e sotëm, i është vënë flaka makinës së prokurorit të lartë, Xhelal Bajrami. Makina ka tentuar t’i digjet edhe një koloneli me inicialet E.D, por ajo është përfshirë vetëm pak nga flaka dhe nuk ka patur pasoja. Ndërkohë një tjetër makinë është djegur si rezultat i këtyre zjarrvënieve dhe për pasojë në flakë është përfshirë edhe një shtëpi fasada e të cilës mësohet se është djegur pjesërisht por që zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë.

Jo zyrtarisht mësohet se në asnjë prej vendeve ku është vënë zjarri nuk kanë punuar kamerat e sigurisë, pikërisht në momentet e zjarrvënies. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të dyshuarit të kenë përdorur bllokues të kamerave, përkatësisht bllokues të internetit që ndërpret filmimet në kamerat e sigurisë. Prokurorët kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa një pjesë e makinave të djegura janë konfiskuar si prova materiale për hetimet e mëtejshme.