Mënyra e menaxhimit dhe reagimit për incidentet e ndodhura javët e fundit mes Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun Lindor, ka bërë që të japë dorëheqjen këshilltari për sigurinë i Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.
Admirali Alexandros Diakopoulou është i bindur se anija kërkimore turke ‘Orus Reis’ po kryen kërkime brenda shelfit kontinental të Greqisë.
“Të mos gënjejmë veten”, mësohet të jetë shprehur ai, sipas mediave greke, duke shkaktuar shqetësim në ambientet e Kryeministrisë greke. Për këtë arsye, ai paraqiti dorëheqjen, e cila u pranua nga ana e Mitsotakis.
Kjo tregon edhe pikëpamjet e ndryshme në menaxhimin e krizës mes qeverisë greke dhe këshilltarit të sigurisë.
Vetë Admirali Diakopoulou e njoftoi dorëheqjen e tij përmes një letre, në të cilën shkruante: “Deklarata ime një ditë më parë shkaktoi konfuzion dhe krijoi shqetësim për Kryeministrin dhe qeverinë, por nuk ishte aspak qëllimi im. Unë i kam shërbyer vendit tim për dekada me radhë dhe kam marrë përsipër përgjegjësitë e mia. Prandaj, jap dorëheqjen nga posti i këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Kryeministrit. Do të vazhdoj të ndihmoj atdhen në çdo mënyrë që të mundem”.





