Partia Demokratike ka reaguar sërish në lidhje me incidentin që përfshiu kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu me disa efektivë policie.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook” Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruan se Ndreu nuk duhet të jetë mbi ligjin, por duhet të jetë në burg sepse është i njëjti që në “Dosjen 184” kërcënonte me pushim nga puna mësuesit dhe sot sulmon dhe fyen policinë.
Sipas Bardhit, ata nuk përfaqësojnë qytetarët, por interesat e krimit me të cilin masakrojnë zgjedhjet dhe vjedhin vullnetin e shumicës për ndryshim.
REAGIMI I GAZMENT BARDHIT:
Pjerin Ndreu nuk duhet të jetë mbi ligjin, Pjerin Ndreu duhet jetë në burg sepse është i njëjti që në Dosjen 184 “fluturonte” mësuesit nga puna me urdhër partie dhe sot sulmon dhe fyen policinë. Deliri tij është produkt i paligjshmërisë mbi të cilën ngrihet pushteti i korruptuar i regjimit Rama-Doshi: Vjedhja e zgjedhjeve!
Ata nuk përfaqësojnë qytetarët, por interesat e krimit me të cilin masakrojnë zgjedhjet dhe vjedhin vullnetin e shumicës për ndryshim. Që arroganca ndaj qytetarëve dhe institucioneve të ndalojë, që ankthi dhe pasiguria të mos mbretërojnë në familjet shqiptare, duhet marrë fund modeli i politikës të lidhur me krimin.





