Një moment i pazakontë ndodhi gjatë bashkëbisedimit virtual të kryeministrit Edi Rama me qytetarët, ku një buf – të cilin ai e ka marrë dhuratë në Vlorë dhe e përdor shpesh si simbol për Sali Berishën – ra papritur.
“Ra bufi, shihni! Po ne nuk e lëmë ne të bjerë,” tha Rama, duke komentuar incidentin me ironi.
Pamjet u transmetuan në emisionin “Opinion”, ku kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi me të qeshura, duke akuzuar Ramën për një inskenim të qëllimshëm.
“E rrëzoi vetë, e shtyu dikush nga mbrapa… Duket haptas! Nga fobia që ka marrë nga gazetarët, gjeti një mënyrë për t’i përjashtuar. Kjo është një teknikë banale për të mbuluar dështimet e tij, lidhjet e tmerrshme me krimin dhe abuzimet që i janë zbuluar,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së kujtoi gjithashtu një debat të mëparshëm ku, sipas tij, Rama ishte “gozhduar” nga gazetarët dhe nuk kishte mundur të përballej me akuzat.