TIRANE, 4 qershor 2013 – Arben Isaraj, deputeti i PS-së të cilin zëdhënësja e kryeministrit Erla Mëhilli e akuzoi se së bashku me makinën e tij ka tentuar të nxjerrë nga rruga makinën ku udhëtonte ajo dhe stafi i kryeministrisë, i është përgjigjur kësaj të fundit po në Facebook.
“Nuk mbulohet paniku me gjethe fiku". Kjo ka qënë kundërpërgjigjja e deputetit socialist Arben Isaraj, kundrejt akuzës së bërë publike ditën e sotme nga zëdhënësja e kryeministrit Erla Mëhilli. Kjo e fundit, e akuzoi se së bashku me makinën e tij ka tentuar të nxjerrë nga rruga makinën ku udhëtonte ajo dhe sfati i kryeministrisë.
“Shpifjet dhe paniku po shoqërojnë fushatën elektorale të Qeverisë që po ikën. Zëdhënësja e kryeministrit ka shpikur sot një skenar halucinant aksidenti, sipas të cilit, unë i jam vënë pas në rolin e "kamikazit", për ta asgjësuar fizikisht dhe për të rrëmbyer fjalimin e Roskovecit.
Sindroma e shefit të blinduar duket se ka prekur edhe cupëzën me fantazi të shfrenuar. Sinjali majtas është sinjali i parakalimit. Sinjali djathtas është sinjali i hapjes së krahut dhe uljes së shpejtësisë. Zoti ju ruajte e ju shpëtoftë nga sindroma e parakalimit të shpejtë politik", thuhet në reagim.





