Një incident është shënuar sot jashtë Kuvendit mes një efektivi të FNSH-së dhe deputetit demokrat Luan Baçi. Ky i fundit pretendon se në një moment të përplasjes efektivi ka nxjerrë armën. I ftuar në “Opinion” në Tv Klan, ai u shpreh se ky akt nuk është personalisht ndaj tij, por ndaj gjithë opozitës.

Pyetje: A keni të drejtë të shtyni një polic ashtu? Është zbatues i ligjit.

Luan Baçi: Absolutisht jo dhe absolutisht nuk e kam bërë! Por në momentin që vihemi mes dy zjarreve. Kemi punonjësit e Gardës dhe punonjës të policisë. Kthehemi në oborr të Parlamentit dhe përsëri na dalin të FNSH-së, me skafandra që na i vënë në fytyrë për të mos ikur. Kemi kapur skafandrën për t’i larguar. Meqë ai zbaton urdhrin e padrejtë, ne duhet të nënshtrohemi?! Ramën nuk e takojmë dot, është e pamundur të takosh urdhërdhënësin. Unë nuk pretendoj, se kam qenë aty dhe e kam parë. Polici që ka qenë aty, hapi xhaketën si te filmat me cowboys, më pa drejt në sy dhe kapi pistoletën ashtu. Më vjen keq që reagova në moment, që mora kapelen dhe ia hodha në fytyrë.

Pyetje: Ndërkohë policia thotë është bombul spraji…

Luan Baçi: Është deklaratë e PS-së, pavarësisht se e çon policia. Pse kur u agravua situata dhe shumë kolegë erdhën e panë skenën, deputetja Hoti bëri filmimin. Të gjithë punonjësit, forcat e FNSH u larguan për të mos u zbuluar. Drejtuesi i Gardës u habit tha ç’duan këta këtu? Kjo nuk është nxjerrje arme e një polici ndaj një deputeti, është në vazhdën e gjithë presioneve të kësaj mazhorance ndaj opozitës.