Policia e Durrësit reagon duke dhënë detaje zyrtare mbi ngjarjen e regjistruar në një gurore në Krujë, ku ka humbur jetën një punëtor dhe është plagosur një tjetër. Sipas policisë, ka shpërthyer aksidentalisht një nga minat gjatë montimit të tyre.

“Në fshatin Kurcaj të Krujës, duke punuar në një gurore të licensuar, shtetasi A. J., 55 vjeç, gjatë montimit të minave elektrike, dyshohet se aksidentalisht i ka shpërthyer njëra prej tyre dhe për pasojë ka humbur jetën

Nga shpërthimi është plagosur edhe shtetasi G.D., 55 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.  

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor”, informojnë blutë e Durrësit. 

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar për veprime të mëtejshme në Komisariatin e Policisë Krujë përfaqësuesin ligjor të firmës dhe një punonjës tjetër që ishte prezent në momentin e shpërthimit. 

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Krujës vijon punën për sqarimin e rrethaneve të ngjarjes.