DURRËS, 23 shkurt 2015 – Në orën 13:33 të ditës së hënë, më 23 shkurt 2015, drejtoria e policisë së shtetit e qarkut bëri të ditur: “Më datë 23.02.2015 ora 11.25 në afërsi të zyrave (fillimisht, në orën 12:01, u dha njoftimi: “tek zyrat e ALUIZNI-t”) të ALUIZNI-t, në lagjen nr. 2 Durrës, ka pasur në konflikt mes dy shtetasve, i cili ka degraduar deri në përdorimin e një arme zjarri. Nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale (janë thyer xhamat). Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë. Autori është identifikuar dhe u shpall në kërkim”.
Ndërkaq, rreth orës 13:00 drejtori rajonal i Durrësit Flamur Gjuzi bëri këtë deklaratë por shtyp: “Sot [e hënë, 23 shkurt 2015 – “Dyrrah”-u] në mesditë, ka pasur një incident në ambientet e jashtme të Prefekturës. Kjo ngjarje nuk ka lidhje me punonjësit dhe aktivitetin e ALUIZNI-t. Ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të institucionit tonë.
Me hetimin e ngjarjes po merret Policia e Shtetit, e cila, besojmë, se shumë shpejt do të bëjë të mundur sqarimin e rrethanave të saj.
Komunikojmë për qytetarët se ALUIZNI Durrës vazhdon normalisht punën”.
ANALIZË
Pavarësisht se shtetasi F. B. u lëndua nga grushtet dhe jo nga plumbi i armës, ngjarja, ku u thyen xhamat e ALUIZNI-t, është e rëndë. Sherri “te zyrat e ALUIZNI-t” / “në afërsi të zyrave të ALUIZNI-t” / “në ambientet e jashtme të Prefekturës”, mu në qendër të qytetit komprometon sigurinë në institucionet publike, që duhet ta garantojnë rojat private / Policia e Shtetit.
Gjithsesi, bie në sy përpjekja e njeriut të LSI-së, ish-shefit të antitrafikut në policinë e Durrësit në kohën e PS-së, para vitit 2005, tani drejtor ALUIZNI, Flamur Gjuzi, për ta zhvendosur ngjarjen nga xhamat e thyera të zyrave të tij te Prefektura e PS-së dhe policia e shtetit. Sherri ka ndodhur para derës së hyrjes për në hollin e ALUIZNI-t, që ndahet nga bordura e lulishtes me 1,5 metra. Vetë ALUIZNI ndodhet, në katin e parë, në skajin e majtë të ndërtesës së ish-komitetit të PPSH të Durrësit, ku ndodhen edhe zyrat e institucionit të Prefektit të Qarkut, Këshillit të Qarkut, INSTAT-it. Gjuzi i LSI-së e mban mend se një ngjarje me armë në hollin e madh të katit të parë të ish-komitetit të PPSH, ka ndodhur para 12 vjetësh, ku personazhet që shpuan muret me plumba, i takojnë sot LSI-së.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





