7 dhjetor 2015 – Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha sot se ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç nuk mund të jetë më ministër.

Pas komenteve drejtuar një gazetareje të radios “B92” gjatë një prononcimi live, Gashiç pritet të largohet nga qeveria, pavarësisht performancës së mirë, shkruajnë mediet serbe.

“Ne duhet t`i mbrojmë gratë në Serbi. Ky  ishte një mesazh i keq për të gjitha gratë. Një ministër nuk mund t`ia lejojë vetes një gjë të tillë”, tha Vuçiç pas incidentit.

Incidenti që do të çojë në shkarkimin e Gashiçit nga detyra ndodhi dje në Tërstenik. Gjatë një prononcimi për mediet, një prej gazetareve u ul në gjunjë, për të mos i zënë pamjen kameramanit. Por komenti i ministrit ishte i një karakteri seksist. “Sa më pëlqejnë gazetaret të cilat bien lehtë në gjunjë”, tha Gashiç.

/portali DurresLajm/