Anëtarja e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së Evi Kokalari ka akuzuar Lulzim Bashën për incidentin që ndodhi pasditen e sotme në selinë blu.

Kokalari thotë se u ushtrua dhunë fizike e psikologjike ndaj saj dhe Albana Vokshi. Për këtë arsye ka një paralajmërim dhe thirrje për kreun e PD.

“Lulzim Basha duhet të marrë përgjegjësi për dhunën verbale, psikologjike dhe fizike të ushtruar ndaj meje dhe disa grave të tjera në ndërtesën e PD-së sot.

Dy gra, që ishin komplet jashtë kontrollit, u munduan të na intimidonin me sharje vulgare dhe dhunë fizike, dhe Lulzim Basha që ishte në seli, nuk mori mundimin ta ndaloj për gati një orë që ishim aty, që do të thotë që Lulzim Basha ishte pjesë e këtij vulgariteti.

Basha duhet të kuptoj që unë do vi sa herë kam takim në seli, sepse jam e mandatuar nga 4446 delegatë të Partisë Demokratike.

Nëse herës tjetër që do jem aty, do përballem po me këtë vulgaritet, Lulzim Basha do marri një përgjigje jo vetëm të merituar, por dhe shumë agresive, që do mallkoj ditën që humbi logjikën ndaj meje, dmth shkarkimi nga detyra dhe dosja e Nick Muzin, do të ishin vërtet problemet më të vogla që Luli do ketë ndonjëherë në jetë”, shkruan ajo.